• |
ide | kryesore

U kap me 300 kg kokainë në Kolumbi/ Si i shpëtoi Agim Çerma burgut të përjetshëm në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Shqiptari Agim Çerma, i arrestuar pak ditë më parë në Kolumbi për trafik të sasive të mëdha të kokainës rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për akuzën e vrasjes.


Ai është akuzuar për vrasjen e shtetasit Gëzim Liçi, në Elbasan në vitin 1997. Në atë kohë, mbetën të plagosur edhe dy punonjës policie. Vendimi për dënimin e përjetshëm u mor më 12 maj të vitit 1998, ku Çerma dhe vëllai i tij Gazmendi, shpallen fajtorë për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërsa Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg.


Dy vëllezërit e dërguan çështjen në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Më 18 nëntor 1998, kjo Gjykatë refuzoi kërkesën e të pandehurve, duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga shkalla e parë. Agim Çerma e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar për proces të parregullt gjyqësor. Edhe kjo nuk e ndryshoi vendimin e dënimit me burg përjetë. Pas kësaj, Çerma e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka rikthyer sërish dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan me argumentin se dënimi ishte dhënë në mungesë.

Gjykata e Elbasanit e dërgoi dosjen në Gjykatën e Lezhës, pasi Çerma kryente dënimin në burgun e Shënkollit. Më 16 mars 2012, gjyqtarja Parashqevi Ademi, vendosi që të lironte nga qelitë Agim Çermën. Në vendim ai lirohet me kusht për një periudhë 3-vjeçare që të mos kryej vepër tjetër penale. Pasi la qelinë, Agim Çerma është larguar nga Shqipëria dhe vitet e fundit jetonte në Amerikën Latine.

3 vjet më vonë u arrestua për korrupsion edhe gjyqtarja që e liroi Çermën. Policia e Lezhës arrestoi gjyqtaren Parashqevi Ademi në sallën e gjyqit më 11 qershor 2015. Bashkë me të u arrestua edhe avokati Gjovalin Prendi, pasi morën 2 milionë lekë të vjetra për një çështje, rast i denoncuar në ‘Fiks Fare’. Më 26 tetor 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi gjyqtaren Ademi dhe avokatin me 4 vite burg për secilin. Ata përfituan nga gjykimi i shkurtuar, duke kryer 1/3 e dënimit. Gjyqtarja u lirua në korrik të vitit 2016, por dënimi i kushtoi karrierën në sistemin e drejtësisë.

Në krahun tjetër shqiptari Agim Çerma kishte ngritur një organizatë të fuqishme të trafikut të drogës në Kolumbi. Ai kishte arritur të korruptonte edhe zyrtarët aviacionit për të mundësuar trafikimin e kokainës me “charter” për në Europë. Ai kishte bërë marrëveshje me “Clan del Golfo”, kartel i fuqishëm kolumbian i drogës dhe i përfshirë në dhjetëra vrasje, nga ku furnizohej me kokainë.

Mediat vendase shkruajnë se shqiptari, ishte emisar i Kartelit Ballkanik dhe investitori kryesor i organizatës. Misioni i tij ishte të merrte kokainë për ta dërguar atë veçanërisht në Sofje të Bullgarisë. Çerma u arrestua në qytetin e Monterias. Gjatë bastisjeve policia gjeti 332 kilogramë kokainë me vlerë rreth 17 milionë euro dhe një kasafortë me kartëmonedha pesos që llogariten në 300 mijë euro. ©LAPSI.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu