• |
ide | kryesore

“Vila na ka prishur shumë punë, diferencën e bën shpirti i garës”: Teuta është gati për të mposhtur d’Escaldes

-Instant, F1, Sport



“Në letër kemi shanse shumë për t’u kualifikuar, por letra nuk është gjithçka. Pavarësisht cilësive tona dhe të kundërshtarit, duhet të jemi 100% të mobilizuar në fushë. Është një ndeshje e fortë, e luftuar, të gjithë dinë të mbrojnë dhe të kundërsulmojnë mirë”. Me këto fjalë tekniku i Teutës Edi Martini nxit optimizmin për një kualifikim në Conference League ku Inter Club d’Escaldes nuk duket se mund të ndalë ambicjet e kampionëve të Shqipërisë për tu kualifikuar në raundin e tretë të kompeticionit. “Shanset janë më tepër për ne, por shpirti i garës bën diferencën – shpjegoi tekniku shkodran -. Do doja të mbyllnim llogaritë e kualifikimit që në ndeshjen e parë, por janë dy ndeshje për t’u luajtur. Të bëjmë sa më mirë ndeshjen e parë, por nuk duhet të mendojmë që mund t’ia dalim që në ndeshjen e parë, pasi janë dy ndeshje të vështirë”.

Gjërat sigurisht që janë ndryshe nga Champions dhe Martini kërkon të imponohet përballë një kundërshtari që nëse vihet nën presion gjendet në vështirësi. Në këtë aspekt tekniku shkodran i ka idetë e qarta se cfarë duhet të bëjë ndryshe, në krahasim me moldavët e Sheriff Tiraspol: ” Duhet të bëjmë atë që dimë më mirë të bëjmë, të mos merremi shumë më mënyrën e lojës së kundërshtarit, por të bëjmë mirë lojën tonë: mënyrën e daljes në sulm apo përqendrimit maksimal që duhet të kemi në fushën e lojës. Shpresoj t’ia dalim” vazhdoi tekniku.

Formacioni në mendjen e Martinit është i zgjidhur, por dëmtimi i Lorenzo Vilës i ka krijuar jo pak probleme durrsakëve. Tekniku beson në të gjithë lojtarët që ka në organikë, por është e qartë se kualiteti i Vilës së vogël do ti mungojë ofensivës së bregdetarëve: “Pothuajse 90% është i fiksuar formacioni, por mund të ketë ndonjë ndryshim deri nesër. Vila na ka nxjerrë disa probleme me mungesën e tij. Megjithatë, edhe lojtarët e tjerë do mundohen të bëjnë më të mirën, edhe ata që mund të futen si zëvendësues. Shpresojmë ta rregullojmë, që të mos ndihet mungesa e tij” përfundoi Martini.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *