• |
ide | kryesore

Ringjallja e Pogradecit, ku mund të shkosh këtë verë

-Instant, Lapsi Leaks



Emirjonit, shoferit të linjës së autobuzit nga Durrësi drejt Pogradecit, i pëlqen të tregojë për të rejat që i presin pushuesit dhe turistët këtë verë në qytetin piktoresk buzë liqenit të Ohrit.

Pa i hequr sytë nga rruga dhe duart nga timoni ai tregon për urën mesjetare të Golikut dhe për varret monumentale të mbretërve ilirë  në Selcë.

“Atje ku në verë organizohet festa e zonës së Mokrës,” shpjegon Emirjoni, ndërsa autobuzi i ngjitet Qafë Thanës.

“Megjithatë, pushues janë ende më pak se sa në 2019, se krahasimet me vitin e pandemisë janë të kota”, shtoi ai , ndërkohë që mjeti filloi zbritjen drejt fshatit Lin.

Reshjet e ditëve të fundit i kanë dhënë më shumë freski se zakonisht Pogradecit, dhe të ardhurit dallohen nga vendalinjtë, pasi megjithëse është korrik mbajnë veshje me mëngë të gjata.

“Ka pogradecarë që ankohen se nuk ka pushues, por e kanë gabim,” thotë Nesim Pere, pa e fshehur optimizmin.

Nesimi administron një bujtinë me pamje të mrekullueshme në kodrën mbi qytet.

“Tek unë ishin mysafirë një grup arkeologësh shqiptarë dhe zviceranë, që punuan një muaj buzë liqenit”, shpjegoi ai.

“Thonë se kanë zbuluar edhe objekte të hershme, si dhe palafite, shtëpi druri, 5 apo 6 mijëvjeçare”, vijon mesoburri, i cili gjithsesi e ka më lehtë të flasë për kuzhinën e bujtinës së tij.

Në rrugën “Rinia”, që dallohet për hijeshinë që i japin pemët e blirit, një grup të moshuarish përballë njeri-tjetrit respektojnë një radhë, që fillimisht nuk kuptohet se çfarë qëllimi ka.

“Ne pëlqejmë qumështin dhe produktet e baxhos së Cërravës, e po kështu edhe mjaft pushues vijnë të blejnë këtu,” i përgjigjet habisë sime një vendali.

Edhe në mëngjes herët, bujqit e fshatrave pranë sjellin produktet e freskëta të bahçeve të tyre në lulishten kryesore, tamam aty ku numri i pushuesve është edhe më i madh.

Bashkë me frutat e zarzavatet e përditshme ata ofrojnë edhe manaferra, boronicë, apo edhe bimë të tjera me indikacione shëndetsore që pëlqehen nga vizitorët.

Në kërkim të destinacioneve turistike

Lulishte buzë liqenit në Pogradec | Foto : G. Kabashi

Vetëm 125 kilometra larg kryeqytetit, dhe diçka më shumë nga Durrësi  bregdetar, Pogradeci buzë liqenit mbetet një nga qendrat e pushimit veror më të njohura në shkallë vendi.

Numri i hoteleve, të ndërtuar rishtaz veçanërisht në Tushemishtin pranë tij, është rritur ndjeshëm dhe aktualisht statistikat lokale dëshmojnë për 1,500 shtetër, pa numëruar dhomat me qira që ofrojnë familjarët.

“Qyteti ka një traditë mikpritëse të konsoliduar në këtë drejtim, pasi edhe 40—50 vjet më parë ishte i vetmi që lejohej të jepte dhoma me qira”, thotë Artin Halili, këshilltar në bashkinë e Pogradecit.

“Sidoqoftë, ne po punojmë për të krijuar një regjistër me numrin e saktë të kapaciteteve turistike të qytetit”, shtoi ai.

Bashkia e Pogradecit duket se ka edhe disa sfida të tjera konkrete.

Sipas këshilltarit Halili, jehona pozitive që po e shoqëron monumentin e teto Ollgës në Tushemisht, atje ku në vitet 1980 u xhiruan filmat “Zonja nga qytetii” dhe “Shoqja nga fshati”, ka nxitur edhe projekte të tjera të  ngjashme.

Në  Pogradec dhe në rrethinat e tij janë xhiruar mbi 15 filma artistikë.

“Bashkia po punon për rikrijimin pranë liqenit të setit kinematografik në filmin “Mëngjese lufte”, që trajton temën e rezistencës gjatë pushtimit nazi-fashist të qytetit,” tregoi Artini.

Mbrëmjet në dy shëtitore

Piktori Gjergji Marko | Foto: G. Kabashi

Mbrëmja në Pogradec ka dy pista për shëtitje, e para buzë liqenit, ndërsa në të dytën, përballë lokaleve të shumta, ku gati – gati sfilojnë vajzat dhe djemtë pogradecarë.

Të veshur me shije dhe me dialektin e butë karakteristik të zonës, ata janë një nga asetet e çmuara të qytetit.

Pushuesit përgjithësisht kanë dyfishin e moshës së tyre, pasi Pogradeci nuk është një destinacion i dëshiruar për të rinjtë e qyteteve kryesore të vendit.

“Moshatarët tanë nga kryeqyteti vijnë më së shumti në qershor, kur qyteti ynë ende nuk ka dalë nga dimri,” shpjegon Enkeli, një i ri pogradecar. “Atëhere i bëjnë edhe festat shoqërore,” theksoi ai.

Mes bar-restoranteve të shumtë të shëtitores dallohet një studio e lartë dhe e ndriçuar mirë.

Janë pesë piktorë të njohur, dy nga të cilët nga Tirana, Buron Kaceli e Gjergj Marko, ndërsa të tjerët, Agron Polovina nga Berati, Emjona Stasi nga Durrësi dhe Vangjo Vasili nga Pogradeci janë bashkuar për një nismë të re. Në veprat e ekspozuara në parete dallohet stili i veçantë i secilit prej tyre.

“Eshtë një përvojë ndryshe, që do të zgjasë dy muaj,” thotë Gjergj Marko, pa e fshehur ambicien për të çelur studio të tilla shumëfunksionale edhe në Berat, Durrës apo nëë Gjirokastër.

Sipas Markos, ky komunikim i drejtpërdrejtë me publikun i bën mirë piktorëve, por u jep mundësi edhe vizitorëve të flasin me  artistët për veprimtarinë e tyre dhe për vlerat e tablove.

Çdo mbrëmje piktorët qëndrojnë së  bashku, punojnë në kavalet, japin ndonjë mësim të shkurtër për nxënësit e pasionuar dhe diskutojnë për planet e ardhshme. Megjithëse është piku i shëtitjes duket sikur numri i vizitorëve ka rënë. Por nuk është ashtu.

Që prej një viti shëtitja zgjatet më tej, në trotuare të rinj  edhe për  gati 2 kilometra drejt Tushemishtit, ndërsa plani i bashkisë synon shëtitoren 5-6 kilometra që fillon në Pogradec dhe përfundon në zonën kufitare.

Bashkë me guidat drejt liqeneve akullnajore të Mokrës apo bashkëpunimit me institucionet shkencore për zbulimin e mureve të kalasë mbi qytet, edhe shëtitorja e ardhshme tingëllon si një ftesë afatgjatë në qytetin piktoresk.

Gezim Kabashi/ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *