• |
ide | kryesore

Vaksinimi në Kosovë/ Mbi 19 mijë doza të aplikuara gjatë 24 orëve të fundit

-Instant, Lajme, Të fundit



Ministria e Shëndetësisë së Kosovës në përditësimin e të dhënave të fundit rreth situatës me COVID-19, ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit është shënuar rekord i qytetarëve të vaksinuar me vaksinën anti-COVID.

Në njoftimin e MSH-së bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 19 mijë e 609 qytetarë. Numri i të vaksinuarve deri më tani në vend ka shikuar në 343 mijë e 330, ndërkaq 102 mijë e 210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

“Në 24 orët e fundit janë dhënë 19.609 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 343.330 doza të vaksinës. Deri më sot 102.210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka apeluar që qytetarët ta marrin vaksinën kundër COVID-19.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që po përdorë vetëm vaksinat e aprovuara nga Agjencia Federale e Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Ai ua ka rikujtuar qytetarëve se mund të zgjedhin vaksinën që dëshirojnë ta marrin.
“Ju bëj thirrje që të caktoni takimet për vaksinim në platformën https://ekosova.rks-gov.net ose në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat tuaja.

Me kujtimin për të dashurit që humbëm nga pandemia, të kujdesemi për veten dhe njerëzit tonë të afërm duke u vaksinuar. Të përgjegjshëm individualisht dhe për njëri-tjetrin, bashkë ia dalim!”, ka shkruar Kurti.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *