• |
ide | kryesore

Tragjedia në Kroaci, Albin Kurti niset për të vizituar të plagosurit

-Instant, Lajme, Të fundit



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po udhëton drejt Kroacisë për të vizituar personat që janë plagosur nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm, ku humbën jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 9 pasagjerë që po ktheheshin nga Gjermania në Prishtinë dhe njëri prej shoferëve të autobusit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë” njofton qeveria e Kosovës.

Ministria e Jashtme në Prishtinë deklaroi zyrtarisht se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve, ndërsa 15 janë në gjendje më të rëndë për jetën.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli deklaroi se fatmirësisht mes viktimave nuk ka fëmijë. Ata ishin duke u kthyer nga Gjermania kur autobusi doli nga rruga në Kroaci.

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *