• |
ide | kryesore

Policia ukrainase gjen të varur aktivistin bjellorus

-Instant, Lajme, Planet



Policia ukrainase tha më 3 gusht se kanë filluar hetimet për vrasje të dyshuar pasi e gjetën të vdekur aktivistin bjellorus, Vital Shyshou.

“Qytetari bjellorus Vital Shyshou, i zhdukur dje në Kiev, u gjet i varur sot në një nga parqet e Kievit, jo shumë larg vendbanimit të tij”, thuhej në deklaratën e policisë.

Policia tha se do të hetonte të gjitha mundësitë, përfshirë edhe dyshimet për vrasje të maskuar si një vetëvrasje.

Aktivisti më parë ishte raportuar si i zhdukur, pasi kishte dalur për vrapim dhe nuk ishte kthyer më.

Policia tha se në vendin e ngjarjes kishin gjetur telefonin celular të Shishou dhe disa gjëra personale të tij.

Vital Shyshou, ka drejtuar një organizatë joqeveritare me qendër në Kiev e cila ndihmon bjellorusët që ikin nga persekutimi i regjimit të Alyaksandr Lukashenkas.

Ukraina, Polonia dhe Lituania janë bërë vende strehimi për bjellorusët që kundërshtojnë Lukashenkan.

Autoritetet bjelloruse kanë synuar të heshtin kritikët dhe mediat jo shtetërore, pas protestave që kanë nisur në gusht të vitit të kaluar, si pasojë e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

Autoritetet i kanë karakterizuar protestuesit anti-qeveritarë si kriminelë ose revolucionarë të dhunshëm të mbështetur nga Perëndimi.

Perëndimi ka refuzuar ta njohë Lukashenkan si president dhe ka vënë një mori sanksionesh ndaj tij, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *