Vihen në pranga 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale, 4 prej tyre të shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit në territor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Arrameras, Fushë Krujë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 45 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, të mbjellë me prodhime bujqësore, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar disa fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, strukturat e DVP Durrës dhe Komisariatet e Policisë Shijak dhe Krujë, ndaluan shtetasit:

Mario Zeqiri, 38 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë e ka dënuar me 2 vite, 6 muaj e 15 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Arsim Gashi, 48 vjeç, banues më Fushë Kosovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Kontrabandë me mallrat e licencuar”;
Flamur Mema, 46 vjeç, banues në Shijak, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Dhuna në familje”;
Shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme, për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, kanë konstatuar në autostradën Durrës-Tiranë, një mjet që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Pas ndalimit të mjetit, gjatë verifikimeve të bëra nga patrulla e Qarkullimit Rrugor rezultoi se shtetasi S. P., 44 vjeç, banues në Larushk, Krujë, ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shtetasit S. P. iu vendos masa administrative për tejkalim shpejtësie dhe u ndalua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin B. S., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjik ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi F. R., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.