• |
ide | kryesore

Përfundimtare/ Mesi në Paris, kulisat e marrëveshjes së vështirë financiare

-Instant, Kryesore, Sport



Lionel Messi ka zbarkuar në Paris pët tu zhvendosur nga Barcelona drejt Ligue 1. Më në fund, ashtu sikurse ishte njoftuar, ai do të jetë lojtar i PSG. Pas më shumë se 48 orëve që pranoi ofertën e PSG, Lionel dhe babai i tij Jorge Mesi duket se janë pajtuar me gjigandin francez.

Lart Lionel Mesi i sapo mbërritur në aeroportin Bourget Paris

Raportimet e fundit nga “L’Equipe” thonë se Messi ka arritur marrëveshje me skuadrën e PSG, teksa avioni i tij pritet në orët e ardhshme në kryeqytet.

Media prestigjioze franceze zbulon se “Pleshti” do të kryejë ekzaminimet mjekësore në fund të ditës dhe më pas do të nënshkruajë kontratën 2-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër.

Deri dje në mbrëmje, e përditshmja sportive franceze njoftoi se kontrata e futbollistit, gjashtë herë fitues i tipit të artë, me klubin kishte përfunduar dhe problem mbetej vetëm çështja e ndarjes së të drejtave të imazhit. PSG përfitoi për shkak se liga franceze e futbollit ka rregulla më elastike se ajo spanjolle. Nëse në gadishullin iberik kontrata nuk u bë e mundshme, kjo ndodhi për shkak se liga spanjolle ka vendosur një rregull që e ndalon çdo klub të paguajë rroga mbi shifrën e 70% të xhiros së tij. Me pagën që  ishte rënë dakord për kontratën e Mesit, Barcelona kalonte në 110%, njoftoi presidenti Laporta.

I njëjti rregull ekziston në fakt edhe në Francë. Por me një ndryshim. Për shkak të pandemisë, ai do të zbatohet pas dy vjetësh. Pra për aq kohë sa PSG po bën kontratën me Mesin (e cila parashikon edhe një vit tjetër opsion zgjatjeje).

Me pagën e re të Mesit, totali i rrogave të PSG shkon në 100% ose thënë ndryshe 414 milionë euro.

Argjentinasi mendohet se do të fitojë rreth 40 milion euro në secilin nga dy vitet e kontratës së tij.

Ky është një lajm fantastik, u shpreh për këtë kontratë presideti kundërshtar i Olimpique Lyonaise, Jean Michel Aulas. “Për vlerën  e përgjithshme të marketingut të Ligue 1 dhe për vlerësimin e saj të përgjithshëm, ky është një plus i pamohueshëm”, tha ai.

Krahas llogarive financiare, gazeta sportive ka bërë edhe ato sportive duke hamendësuar se si do të rreshtohet në fushë PSG pas mbërritjes së yllit argjentinas. Ekipi i Mauricio Poçetinos, i mbushur me yje, ka tre mundësi rreshtimesh, 4 2 3 1, 4 3 3 ose 3 5 2 (Mesi me te kuqe në tre pozicione të ndryshme).

Lexo me tej:

Bomba Mesi në faqet e shtypit, çfarë ndodhi? Ku do shkojë?

Barcelona lëshoi ​​një deklaratë për shtyp që pati efektin e një bombe pasditen e së enjtes së shkuar, duke njoftuar se Lionel Messi nuk do ta zgjaste aventurën në gjiirin e klubit katalanas. “Megjithë një marrëveshje midis FC Barcelona dhe Leo Messi me synimin e qartë të të dy palëve për të nënshkruar një kontratë të re sot, ajo nuk do të jetë e mundur të zyrtarizohet për shkak të pengesave ekonomike dhe strukturore (rregullorja e Ligës Spanjolle)”, shpjegoi klubi.

Për shkak të “pengesave strukturore dhe ekonomike të klubit”, njoftoi sot Barcelona, Leo Messi s’mund të vazhdojë me Barcelonën duke shpallur kështu, zyrtarisht, se lojtari qe larguar nga klubi i fëmijërisë.

“Barça do të donte të falënderonte lojtarin për kontributin e tij në rritjen e institucionit dhe t’i uronte atij më të mirat në jetën e tij personale dhe profesionale”, thuhej në njoftimin për shtyp të klubit katalan.

Megjithatë, që nga ky moment në nivelet drejtuese të Barcelonës ka shpërthyer konflikti që i ka ndarë më dysh ata që mendonin se nënshkrimi i kontratës me Mesin mund të arrihej, duke marrë një kredi të majme nga liga dhe mbështetësve të presidentit Laporta që pretendojnë se kjo do të rrezikonte të ardhmen financiare të klubit. Sidomos pas publikimit të një videoje që u bë virale ku shihej Mesi që e përshëndeste ftohtë presidentin, zërat janë shkuar se nuk u bë gjithçka për të ruajtur këtë trashëgimi të gjallë të Barçës. Pikërisht me këtë motiv një nga drejtuesit e klubit,  Jaume Llopis ka dhënë dorëheqjen.

Edhe tifozët duken të zemëruar. Mes tyre po përforcohet ideja se mund të shiteshin lojtarë pa kontribute për skuadrën si Umtiti, Kutinjo dhe Grizman për të ruajtur Mesin.

Por tani dhimbja e dikujt është gëzim për të tjerë. Tifozët e PSG janë në kulmin e histerisë dhe përpara stadiumit Parc des Princes janë shtuar radhët e atyre që presin zbarkimin e Mesit.

©Lapsi.al/ Burimi L’equipe



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *