• |
ide | kryesore

Pengu i Erla Mëhillit nga PD: “Sulmet ndaj familjarëve nuk do t’i bëja më”

-Instant, Arkiva, Paparazzi



Erla Mëhilli, ose ndryshe zëdhënësja më jetëgjatë në krah të liderit historik të PD-së, Sali Berisha, nuk e fsheh se në 15 vitet që ka punuar me të në krah, figura e tij nuk i ka bërë aspak hije, përkundrazi, i ka dhënë shkëlqimin, besimin dhe lirinë, që vetëm ajo ka ditur ta mbajë për kaq gjatë, e së fundmi bekimin për t’u bërë pjesë e ekranit me një program televiziv nën logon e Euronews Albania.

“Propozimi i parë për programin erdhi nga Ilva Tare dhe drejtuesit e televizionit. Nuk e prisja, sepse nuk e kisha menduar të kisha një emision. Kur takova Ilvën ajo më tha që do të largohej në Amerikë” – rrëfen Erla për revistën Bordo.

Ato ditë të muajit mars kur i erdhi propozimi dhe befas duhet të vendoste, ajo punonte ende si këshilltare e Sali Berishës, e sidomos ky moment dyzimi ndodhi pak para se fushata zgjedhore të startonte.

Ajo e pranon se ai e priti shumë mirë zgjedhjen e saj dhe largimin nga zyra e tij drejt një studioje televizive. Erla ishte bindur se ky ishte një largim krejt natyral, i cili herët a vonë do të ndodhte, ndaj na konfidon se pak para ndarjes, Berisha i ka dhënë edhe një këshillë.

“Edhe pse nuk isha shkëputur zyrtarisht nga posti i këshilltares së Berishës, ai e priti shumë mirë dhe më dha një këshillë; të ruaja ritmin në program. Sigurisht që kemi folur edhe pas programit të parë dhe kemi kontakte sërish, pavarësisht punës time të re”, tregon ai.

Të punuarit krah Berishës për Erlën kanë qenë një shkollë, ose siç preferon ta quajë një universitet të dytë. E ky universitet nisi teksa ajo, shumë e re vendosi të ngjitej në zyrat e PD-së, e më pas në foltore për të komunikuar deklaratat e Partisë.

Foltorja e Partisë Demokratike nuk e ka trembur për asnjë çast, edhe pse asokohe, kur u ngjit mbi të, ishte vetëm 27 vjeç. Nga ai çast, Erla Mëhilli u bë zëri dhe fytyra e një forcë madhore politike, ku qoftë edhe një fjalë apo gjest, mund t’I shkatërronte të ardhmen, por nuk ndodhi asgjë, sepse të kesh një besim të fortë tek vetja siç ajo e ka, do të thotë të shohësh edhe përtej kthinës më të errët, ku asnjë pikë dritë nuk parashikon të ardhmen.

Sot, e ulur në një kolltuk komod, atë të prezantueses së “Raw Politics” në EuroNews, daljen e saj të parë publike, Erla e kujton si një sfidë, një vend ku artikulimi, e padyshim vitet e studimeve në Itali për Shkenca Komunikimi u materializuan lehtësisht në vetëdijen e saj.

“Eksperienca politike më ka ndihmuar shumë për të pasur një program politik në televizion. Nëse kjo do të kishte ardhur më përpara, nuk e di nëse do ta kisha bërë. Politikën e njoh shumë mirë, kam kontaktet e duhura dhe një formim të shëndetshëm. Vitet e fundit në opozitë më kanë bërë të jem më e ftohtë në gjykimin tim, por edhe të kem një mendim më të pjekur politik” – thekson prezantuesja e Euroneës Albania.

Tani, pasi u ka dhënë fund detyrave zyrtare, jo më si zëdhënësja më jetëgjatë e PD- së dhe e ish kryeministrit, e pranon se shpesh në atë post është ndier e “gozhduar”, duke cytur natyrën, pse jo edhe aspektin femëror, kur bëhej fjalë për veshje paksa më ekstravagante.

Ajo flet edhe për marrëdhënien me të shoqin, ish-deputetin Keltis Kruja.

“Me Keltin nuk debatojmë shumë, sepse ai është më i qetë si natyrë. Unë jam më instiktive, Kelti është më me këmbë në tokë. Kur bëja analiza politike e kisha të vështirë të ruaja ekuilibrin, të isha më objektive, ndaj Kelti mundohej të më mbante në këtë pikë duke u bërë busull për mua dhe kritiku im më të fortë”.

Vitet e fundit, kohën më të madhe e kalon me fëmijët, Kelti është gjithnjë prezent, por ama e pranon se ai nuk hyn tek ata baballarët që merren gjithë kohës me fëmijët. E pranon se mëmësia e ka ndryshuar, i sheh gjërat ndryshe dhe shumë prej tyre që ka bërë, qofshin edhe për kauza politike, sot ndoshta as që do t’i imagjinonte.

“Mëmësia më ka pjekur. Po të kthesha pas në kohë, shumë gjëra do t’i bëja ndryshe në profesionin tim. Kur isha zëdhënëse e PD-së, deklaratat politike ishin të forta. Disa sulme politike përfshinin edhe familjarët, ndaj me syrin e gruas dhe nënës që i shoh sot, nuk do t’i bëja. Të gjithë e dinë që ato kanë qenë qëndrime partiake dhe jo personale, por ka qenë e panevojshme gjuha konfliktuale, aq më tepër në gojën e një vajze të re”, tregon ajo.

Në një farë mënyre, ajo ndjen një lehtësim, thekson se ata që e njohin ja dinë natyrën, madje edhe personazhe të majtë, disa prej të cilëve i ka ftuar në emision, nuk e shohin si Erla e PD-së, pa e fshehur se mund të ketë paragjykime për faktin që ajo është e Djathtë, ashtu si nuk e mohon, që është po kaq kritike për të djathtën, kur ka qenë e nevojshme.

Në fund, ajo e mbyll duke folur sërish për Berishën.

“Këto 8 vitet e fundit, kur kemi qenë më të lire dhe nuk kemi qenë më brenda kornizave politike flisnin më shpesh për familjen, artin, letërsinë, muzikën…. Berisha është një enciklopedi, një universitet më vete” – përfundon Erla Mëhilli.



1 Comment

  1. Memesia me “pelqen” ha ha cfare budallalliqesh. Do me thene kjo ka qene keshilltare e Berishes? me duket se kjo lexonte cfare i thoshin..me pak fjale nje manikin qe flet..I shoqi deputet kjo qe “ju luten” per tu bere folese. “zanati” ka perfitime..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *