• |
ide | kryesore

Ballkani i Hapur/ Ku bashkohen dhe ku ndahen SHBA me BE për aleancën Rama-Vuçiç-Zaev

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Për herë të parë që nga takimi i parë i Minishengenit Ballkanik në Novisad, i pagëzuar së fundmi me emrin Ballkani i Hapur, reagoi brenda dy ditëve qeveria gjermane, Departamenti i Shtetit dhe Bashkimi Europian.

SHBA dhe BE kanë pasur shpesh diferencat e tyre në mënyrën se si t’i arrijnë qëllimet e përbashkëta në Ballkan, ndaj edhe për “Ballkanin e Hapur”, të Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit, amerikanët dhe europianët treguan pikëpamje të ndryshme brenda aleancës.

Reagimi i parë erdhi fillimisht nga një zëdhënës i qeverisë gjermane. Nuk vonoi pasi tij reagimi i Departamentit të Shtetit dhe më pas një reagim edhe nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero.

As SHBA dhe as BE nuk e artikulojnë emërtimin “Ballkani i Hapur”

Një pikë që i bashkon reagimet e perëndimorëve, qoftë në gjermanisht, qoftë në anglisht apo çfarëdo gjuhe tjetër, është fakti se zëdhënësat apo diplomatët e huaj të gjithë bashkë nuk e përmendin as emërtimin “Minishengeni Ballkanik” as “Ballkani i Hapur”.

Shpërfillja duhet të provokojë frustrim tek Vuçiç, Rama dhe Zaev. Në takimin e fundit mes tyre në Shkup, emërtimi u kthye në çështjen më të rëndësishme të samitit dhe kapi titujt kryesorë në mediat e të tre vendeve. Jehona nuk doli dot jashtë kufijve ballkanikë dhe kjo nuk është rastësi. Ngjan si një marrëveshje e pashkruar mes zyrtarëve perëndimorë. për të mos ia përmendur emërtimin nismës për të cilën Vuçiç, Rama dhe Zaev janë investuar aq shumë në fushatë marketingu.

Edhe SHBA, edhe BE janë pro Tregut të Përbashkët Rajonal

Ideja e Tregut të Përbashkët Rajonal e ka zanafillën në Samitin e Triestes në vitin 2017 dhe ka pika të përbashkëta, ashtu siç ka dallime thelbësore me nismën e Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit të quajtur “Ballkani i Hapur”. Ideja ka lindur gjatë diskutimeve në takimet e Procesit të Berlinit të organizuara nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron. Por në këto diskutime është diskutuar gjithnjë për marrëveshje mes 6 vendeve.

Tre vjet më pas, në Samitin e Sofjes u miratua Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Plani ka të bëjë me hapa konkrete si heqja e barrierave tregtare, bashkërendimi i politikave në investime, njohja e diplomave dhe përvojave profesionale në mënyrë të ndërsjelltë nga vendet e rajonit dhe inkurajim i marrdhënieve tregtare online. Deklarata e përbashkët në Sofje u firmos nga të gjashtë vendet pjesëmarrëse, me gjithë rezervat që kishin njëri ose tjetri.

Koncepti i Ballkanit të Hapur ecën paralel me synimet e Tregut të Përbashkët Rajonal, por ndërkohë diferencat janë të mëdha.

Kushti i BE për gjithëpërfshirje në Tregun e Përbashkët Rajonal

Para se të niste Samiti i Triestes në vitin 2017, ishin të njohura rezervat e Kosovës dhe të Malit të Zi për këtë treg të përbashkët. Kosova e kishte shpjeguar këtë qëndrim me faktin që nuk njihej nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, ndaj me to nuk mund të kishte një “treg të përbashkët”. Prishtina kishte rezerva edhe për shkak të bashkëpunimit të ngushtë mes Serbisë dhe Rusisë, që mund të ketë influencë të madhe në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, Mali i Zi ishte i qëndrimit se një treg i tillë do të shihej si alternativë e mundshme e integrimeve të Ballkanit në BE.

Edhë në Samitin e Sofjes, në vitin 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Abdullah Hoti tha se pengesë për bashkëpunimin mbetej mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Duke marrë parasysh rezervat e Kosovës dhe të Malit të Zi, Bashkimi Europian gjithnjë ka predikuar gjithëpërfshirjen në Tregun e Përbashkët.

Edhe në deklaratën e fundit të një zëdhënësi të qeverisë gjermane, bëhej e qartë se “në të njëjtën kohë” me nismën e bashkëpunimit, duhej marrë parasysh edhe gjithëpërfshirja. Zëdhënëi i qeverisë gjermane i kujtoi vendeve të Ballkanit Perëndimor premtimet e dhëna para Merkel në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Më pas ai citoi edhe kancelaren gjermane, duke mbetur brenda nismës së Procesit të Berlinit dhe duke shpërfillur totalisht nismën e Ballkanit të Hapur, për të cilën ishte pyetur.

Qëndrimin e Bashkimit Europian e vulosi zëdhënësja e Komisionit Europian Ana Pisonero e cila kujtoi specifikisht Samitin e Sofjes ku u nënshkrua deklarata për Tregun e Përbashkët Rajonal mes 6 vendeve të Ballkanit.

“Është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, tha Pisonero.

SHBA nuk përmend as “gjithëpërfshirje” dhe as Procesin e Berlinit

Ndërkohë që Tregu i Përbashkët Rajonal mund të konsiderohet një ide e lindur dhe e diskutuar në Procesin e Berlinit, bie në sy fakti që në përgjigjen që dha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, Bashkimi Europian nuk përmendet në rolin e mbikqyrësit të procesit për krijimin e këtij tregu.

Ideja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për një treg të përbashkët, siç është rasti i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duket se është e mirëpritur nga DASH, që e sheh me pozitivitet nismën dhe nuk e kushtëzon atë me ombrellën e Procesit të Berlinit.

Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian” u tha në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Vihet re se DASH, ndryshe nga Bashkimi Europian nuk e sheh si problem mungesën e shteteve të tjera, pra nuk përmend “gjithëpërfshirjen” në deklaratë dhe ky është një dallim tjetër madhor me deklaratat e bëra nga Bashkimi Europian.

Ballkani i Hapur, si trashëgimia e padëshiruar e Merkel

Samiti online i 6 Korrikut, ishte i fundit ku merrte pjesë nismëtarja e Procesit të Berlinit, Angela Merkel. Me largimin e saj shumëkush vuri në pikëpyetje nëse procesi do të vazhdojë njësoj. Një nga qëllimet kryesore kishte qenë mbajtja afër e vendeve të Ballkanit, ndërkohë zgjerimi ishte ende larg. Por dështimi i fundit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave la shijen e hidhur se Procesi i Berlinit ishte një dështim. Produkti i vetëm pas 7 vitesh ishte heqja e tarifave roaming në Ballkan.

Vetë Merkel nuk mundi të përmendte më shumë se kaq. “Pra, në tërësi ka pasur dritë dhe hije në vitet e fundit”, tha kancelarja në konferencën e fundit, “Disa gjëra janë bërë, por ka edhe shumë për të bërë,” shtoi ajo.

Por Merkel ka lënë pas një trashëgimi që sot pakkujt i bën përshtypje, por 7 vite më parë ishte e paimagjinueshme: aleanca Rama-Vuçiç. Të dy ishin bashkë në një përpjekje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë dhe sot janë bashkë në”Ballkanin e Hapur”. Projekti ngjan me një mutacion të Procesit të Berlinit, jashtë kontrollit të Bashkimit Europian, por me gjasë nën konsideratën e SHBA./Lapsi.al



5 Comments

  1. Si BE dhe SHBA për këtë lloj marrëveshje bashkimi kërkojnë nga populli tyre Referendum ndërsa në narkoshtete të botës së tretë nuk ka nevojë se vendos lideri suprem.

    Akoma nuk është thënë dhe sqaruar se çfarë do përfitojnë Shqiptarët nga neo-Jugosllavia.

  2. Nëse deklaratat e BE dhe SHBA nuk janë fjalë për presje të çdo fjale dhe presje ça ka bërë Edi Rama – cik më cik, pa asnjë ndryshim, pa as edhe më të voglin ndryshim, as më shumë, as më pak – këta të lapsit e japin lajmin si konspiracion. Ballkani i hapur është gjetje e bukur marketingu për proçesin e Berlinit. Sigurisht SHBA dhe BE mbeshtesin. Ata e mbeshtesin për njëmijë e një arsyje por kryesisht sepse është në interesin e tyre. Sa më shpejt të ndodhë aq më shpejt qytetarët Shqiptarë do perfitojnë rritje te standarteve të jetesës. Të tjerat janë dokkra hini.

  3. Një nga shprehjet proverbiale të Namik Hotit, ose gjatë siç donte ai ta thërrisnin Namik Vehbi Fadile Hoti është kjo: “Berisha si malok, kur hyp në kalë nuk zbret kurrë veç duke e rrëzuar me plumb”! Kjo shprehje e thënë gjatë një interviste në TVSH bëri bujë dhe kujtohet edhe sot e kësaj dite. Më vonë dikush e pyeti Namikun: Po sikur të mos zbresë edhe me plumb? Atëherë vrisni kalin! U përgjigj qetësisht kryeekologjisti…Shurranjosi salih ju ka pickuar trute o shpellkare e byrektore

    1. Ka thënë malësorë jo malok, pastaj unë jam malok vetë, 100% safi dhe nuk e shoh dot me sy. Dhe e fundit, të krahasosh numrin e votave, më shumë merr vota nga lalucët sesa nga malokët.

      Të fala e gjithë të mirat se ti qënke mesu me fille mignon, ne me byrek të shkretët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *