• |
ide | kryesore

10 ditët që tronditën Afganistanin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Talibanët e morën Afganistanin në vetëm 10 ditë duke kontrolluar qytet pas qyteti të gjithë vendin. Luftëtarët talebanë morën kryeqytetin e tyre të parë krahinor më 6 gusht dhe deri më 15 gusht ata ishin në portat e Kabulit.

Përparimi i tyre i rrufeshëm bëri që dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve mbërritën në kryeqytetin afgan të tjerë u drejtuan për në vendet fqinje.

Kaos në Kabul, pasi Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe mijëra bashkatdhetarë të tij u përpoqën të bënin të njëjtën gjë.

Talebanët përparuan rrufeshëm

Të inkurajuar nga tërheqja e forcave amerikane dhe atyre të tjera ndërkombëtare, në qershor talebanët kontrollonin pjesë të mëdha të vendit. Por pas 6 gushtit, përparimi i tyre u përshpejtua me një vrull të ri. Kryeqytetet provinciale u rrëzuan njëra pas tjetrës.

Deri më 8 gusht, talebanët kishin marrë kontrollin e Kunduzit. Herati, Lashkar Gah dhe Kandahari i ndoqën brenda pak ditësh.

Forcat afgane u shkërrmoqën

Pavarësisht 20 viteve të mbështetjes së jashtme, miliarda dollarë financim, një programi të gjerë trajnimi dhe mbështetjeje ajrore amerikane, forcat afgane të sigurisë u rrëzuan. Në disa zona, ata vërtet qëndruan dhe luftuan. Në Lashkar Gah, trupat afgane u vendosën në pozicionet kryesore pasi talebanët sulmonin në mënyrë të përsëritur.

Qindra komando u dërguan për të rivendosur rendin, por kur talebanët shpërthyen më 11 gusht një makinë bombë jashtë selisë së policisë, beteja pothuajse kishte përfunduar.

Në shumë zona, njësitë afgane që e gjetën veten pa municion dhe furnizime të tjera, thjesht ikën. Trupat e armatosura dhe të stërvitura nga SHBA për të mbrojtur afganët e zakonshëm i lanë ata të kujdesen vetë për veten. Në disa vende, autoritetet ranë dakord të lejojnë talebanët të marrin pushtetin për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme.

Në Ghazni, u raportua se shefi i policisë dhe guvernatori u lejuan të largohen nga qyteti në këmbim të marrëveshjes për lënien e qytetit nën kontrollin e talebanëve.

Më 14 gusht, Mazar-i-Sharif ra në duart e talebanëve, me pak rezistencë nga trupat afgane, disa prej të cilëve u larguan nga qyteti dhe u drejtuan për në kufirin me Uzbekistanin në Haraitan.

“Katastrofë humanitare”

Deri më 15 gusht, 17600 njerëz që iknin nga talebanët kishin mbërritur në Kabul me shpresën se ai do të qëndronte. Me mijëra të tjerë kishin ardhur më herët raportoi Zyra e OKB -së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Me shumë pak mbështetje nga autoritetet afgane, shumë prej tyre flinin në parqe dhe zona të tjera publike.

Disa thanë se ata kishin ardhur nga qytetet e pushtuara ku talebanët po vrisnin anëtarët meshkuj të familjes që kishin punuar për forcat e sigurisë dhe po vendosnin kufizime për gratë. Programi Botëror i Ushqimit tha se konflikti kishte “të gjitha shenjat dalluese të një katastrofe humanitare”.

Kaos në Kabul

Ndërsa Presidenti Ghani u largua nga vendi, stafi i ambasadës amerikane iku me helikopeter nga kompleksi i tyre mjaft i fortifikuar. Mijëra njerëz po shkonin drejt aeroportit të Kabulit.

Luftëtarët talebanë fillimisht u ndalën jashtë qytetit, ndërsa bisedimet urgjente u mbajtën në pallatin presidencial. Më pas ata u transferuan për të marrë kontrollin e plotë.

E ardhmja e pasigurt

Saktësisht, se si talebanët synojnë të sundojnë mbetet e paqartë dhe mund të ndryshojë në të gjithë vendin. Raportet nga brenda territorit të kontrolluar nga talebanët deri më tani japin një pamje të përzier.

Në qytezën Balkh, 20 km nga Mazar-i-Sharif, BBC Neës zbuloi se gratë dhe vajzat lejoheshin në vende publike të pashoqëruara, por kishte raporte për një grua që ishte vrarë për shkak të mënyrës se si ishte veshur.

Në vende të tjera, përfshirë një zonë rurale veriore pranë kufirit Taxhik, gratë kanë thënë se tani janë të detyruara të mbulohen me një burka dhe nuk mund të dalin të pashoqëruara.

Ka gjithashtu raporte për gra të reja që u ofrohen luftëtarëve talebanë për martesa të detyruara. Përfaqësuesit talebanë në Katar këmbëngulin se kjo është “një gënjeshtër”. /Përshtatur nga BBC ©LAPSI.al



1 Comment

  1. Ajo qe Amerikanet nuk kuptuan apo nuk konsideruan edhe pse kishin 20 vjet atje , eshte se keto grupe kane kanalet e veta historike te komunikimit ne nivel tribush te cilet aq sa bejne lufte, aq edhe merren vesh me njeri-tjetrin. Pak a shume kjo eshte forma sesi behet rotacioni pushteti ne ate lloj shoqerie. Fraksioni qe eshte dominant i jep kohe tjetrit te dorezohet. Sipas politicos, baballaret cojne njerin djale tek njeri dhe tjetrin tek tjetri fraksion qe ne cdo rast ti kene krahet e mbrojtura. Budallenjte e vetem ne kete rast dolen amerikanet qe u rropen nga miliardat dhe u poshteruan ne menyren me ekzemplare te mundshme, sepse Afganet normale nuk kishin asnje arsye qe te sakrifikonin koken e tyre per te mbrojtur 4 fuoristradat me leke qe ndoqen profesorin e nderuar te antropologjise dhe intelektualin e madh boteror Ashraf Ghanin nderkohe qe linte vendin. Me te drejte McCarthy i ulerinte dje Blinken-it se ku dreqin ishte futur Ghani. Mendoni se do sakrifikonte ndonje polic apo ushtar koken per Ramen? Askush!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *