• |
ide | kryesore

Talebanët po bllokojnë rrugët drejt aeroportit të Kabulit, vështirësohen evakuimet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zyrtarët e lartë amerikanë kanë folur për vështirësitë që po hasin në evakuimin nga Kabuli të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, tha se talibanët po shkelin premtimet dhe se Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion atyre që të lejojnë afganët të ikin përmes aeroportit të kontrolluar nga SHBA-ja në Kabul.

“Ne kemi parë raporte se talibanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi për të arritur në aeroport”, – u tha Sherman gazetarëve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha të mërkurën se janë rreth 4.500 personel ushtarak amerikan në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Ai tha se nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talibanët” dhe se linjat e komunikimit me komandantët talibanë mbeten të hapura.

Sa i takon evakuimit nga aeroporti i Kabulit të personelit dhe punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane, Austin tha se ky proces nuk është në nivelin e dëshirueshëm.

“SHBA-ja nuk ka kapacitete aktualisht që të shkojë dhe të marrë numër të madh të amerikanëve jasht aeroportit të Kabulit”, – tha Austin, duke shtuar se çështja më madhore tash për tash është dërgimi i njerëzve deri në aeroport.

Ndërkaq shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane, Mark Milley tha se situata në aeroportin e Kabulit aktualisht është stabile.

Më herët nga pamjet e videove të publikuara u shfaqen disa militantë në kryeqytet duke fshikulluar njerëzit që po përpiqeshin të arrinin në aeroport, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna me armë.

Gjatë një rrëmuje në aeroportin e Kabulit janë plagosur 17 persona më 18 gusht, i ka thënë agjencisë Reuters një zyrtar i sigurisë i NATO-s.

Forcat amerikane morën kontrollin e aeroportit të dielën (15 gusht) për të siguruar largimin e personelit dhe afganëve që kanë punuar me forcat e huaja. Në të njëjtën ditë, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe hynë në Pallatin presidencial disa orë pasi presidenti, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë operacionin e evakuimit, do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara./REL



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *