• |
ide | kryesore

Rrëfimi i oficerit shqiptar që shërbeu në Afganistan dhe humbi shokun e ngushtë: Atje është ndryshe

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



“Edhe pse përpara se të nisemi për një mision ne trajnohemi dhe studiojmë për kulturën, ritualet dhe traditat e vendit ku do të shkojmë, në Afganistan gjeta shumë gjëra të reja që ti i kupton dhe i mëson vetëm kur i prek nga afër. Kur shkova në shtëpitë e tyre kuptova që ata ishin një popull aq mikpritës, në mënyrën e tyre, por të pakursyer”, thotë që në krye të bisedës për Gazetasi.al Denis Deliu, oficer i forcave speciale të ushtrisë i cili ka marrë pjesë gjatë dy misioneve në vijën e parë të sulmit në Kandahar të Afganistanit.

Denisi i cili është trajnuar për 7 vite me radhë nga Forcat Speciale Amerikane “Navy Seal”dhe “Green berets” e që tashmë nuk gjendet më në këtë detyrë, rrëfen që në kontaktet me pjesën tjetër të popullsisë, tregtarë, këpucarë, berberë dhe afganas të thjeshtë, kishte gjithmonë biseda apo episode që i kishin ngelur në mendje dhe që e linin të kuptonte shumë gjëra për atë popull.

“Një ditë po ktheheshim nga një detyrë e largët. Afër bazës kishte dy grupe me fëmijë të moshës 6-7 vjeç, njëri me çanta shkolle që dukej se sapo kishin mbaruar mësimin, dhe një grup tjetër që po rrinin përtej. Fëmijët nga grupi i dytë filluan të na gjuanin me gurë në momentin që ne kaluam pranë tyre ndërsa fëmijët që ktheheshin nga shkolla na përshëndetën me duar. Ishte një episod i shkurtër, por që më tregoi shumë për atë popull dhe për rëndësinë që kishte arsimi atje”, – tregon Denisi për Gazetasi.al.

Për ta përforcuar më tej, ai rrëfen që edhe kur forcat e koalicionit zbrisnin nëpër fshatrat që nuk kishin shkolla dhe u bënin dhurata familjeve vendase, sapo largoheshin, ata nisnin sërish t’i godisnin me gurë, sepse në qasjen e tyre, forcat speciale ishin “pushtuesit.”

“Problemi kryesor ishte mungesa e shkollimit, sepse nëse do të arsimoheshin, ata do të kuptonin ndryshimin dhe do fillonin ta pëlqenin atë. Talibanët i kishin frymëzuar kundra nesh dhe pesha jonë ishte shumë e madhe pasi duhej t’u vërtetonim që ne ishim atje për sigurinë e tyre dhe jo për t’u bërë keq. Duhej të ishim të sjellshëm me ta dhe t’i ndihmonim të zgjidhnin problemet. Ata nuk e dinin se si ishte ndryshimi prandaj ishin pro tyre. Kur shihnin se ne po i ndihmonim, disa syresh filluan që të bashkëpunonin me ne”, – vijon ai.

Duke qenë gjithë kohës në luftë, talibanët evoluan edhe në taktika. Tashmë ata kishin nisur që të fusnin brenda strukturave të shtetit njerëz të infiltruar që bashkëpunonin me forcat e koalicionit,të cilët merrnin trajnimin e Amerikës, Shqipërisë, Anglisë duke qenë në dijeni të çdo gjëje.

Në 20 shkurt të vitit 2012, gjatë kohës që Denisi ishte në misionin e njohur si “Eagle 4”, një polic i veshur me uniformë afgane por i infiltruar nga talibanët, i qëlloi nga prapa kurrizit. Denisi humbi shokun e tij të ngushtë, kapiten Feti Voglin.

“Në momentin kur humbëm shokun tonë, ne forcat shqiptare ndryshuam të gjitha rregullat me popullsinë, policinë dhe ushtrinë. Nuk kishim më besim tek ta edhe pse e vijonim bashkëpunimin. Ishim mosbesues edhe pse rregullat e mirësjelljes nuk i humbëm kurrë por në fund të ditës besonim veç njëri-tjetrin dhe forcat e koalicionit.”

Ta prekësh Afganistanin nga afër në një mision të tillë, është një panoramë që nuk mund të imagjinohet shumë lehtësisht pasi atëbotë peripecitë, ashtu si edhe varfëria, ishin më të mëdha.

“Ata vuanin për kushtet më minimale, nuk kishte energji elektrike dhe as ujë. Kandahari ishte një provincë e madhe ku gjithçka ishte e ndërtuar me qerpiç, baltë. Por megjithatë, kur shkoje në shtëpitë e tyre të gjithë të nxirrnin çaj dhe një pite të përgatitur vetëm me brum dhe kripë. Nuk kurseheshin asnjëherë.

Gjatë gjithë kohës ne ishim të pajisur me antiplumb, helmeta dhe armatim, por kur dilnim nga baza dhe zbrisnim në tokë për të bërë takime me të parin e fisit, ishte shumë e vështirë, kjo jo veç për faktin që ishim gjithë kohës të rrethuar me të panjohur por aty sulmi mund të binte kurdo. Vendi ishte i gjithi me mina dhe ne i besonim shumë qenit antieksploziv i cili ecte përpara nesh. Duhej një guxim dhe një vigjilencë e jashtëzakonshme.”

Duke qenë pjesë e një misioni të tillë dhe duke jetuar në atë zonë,krijimi i miqësive me afganët ishte shpesh i pashmangshëm.

“Shumicën e kontakteve që i kishim besnike ishin përkthyesit që punonin me forcat speciale, të cilët ishin më të përzgjedhur e që kishin kaluar të gjithë filtrat sepse do të merrnin pjesë në operacione sekrete që mund të dekonspiroheshin.

Kishte përkthyes afganë-afganë që jetonin në Kandahar, por që vinin nga Kabuli ose nga qytetet e tjera për shkak se të afërmit, fqinjët dhe shokët e tyre duhej të mos e merrnin vesh që punonin me forcat e koalicionit dhe përkthyes afganë- amerikanë me pasaportë amerikane që ishin tërësisht të besueshëm.

Ne trajnuam njerëz që të luftonin për ndryshimin. Në 2014, kur isha në misionin e fundit, i lamë vetë ato të drejtonin misione, të vendosnin vetë objektivat, të merrnin kontrollin gjë që siç duket nuk u arrit siç duhet. Afganët të paktën duhet të kishin bërë më shumë rezistencë.

Ne kemi luftuar kundra talibanëve dhe tashmë e imagjinoj se si është situata atje. Të jesh gjithë kohës nën trysninë e armëve është shumë e vështirë. Tani nuk ka më rend dhe siguri, do sundojë ligji i më të fortëve dhe më të fortët janë talibanët.”

“Unë besoj tek mirësia e atij populli dhe ndihem krenar që do t’i mikpresim ata afganë që shërbyen pranë nesh në shërbimet tona, njerëz që kanë punuar me forcat e koalicionit, sepse ne vetë e kemi provuar si popull migrimin edhe pse nuk kishim luftë. Ata i pret vdekja pasi talibanët i konsiderojnë si tradhëtarë afganët që kanë bashkëpunuar.”

“Përtej kësaj, Shqipëria është pjesë e NATOS dhe ka përgjegjësi për këta njerëz si edhe për t’iu përgjigjur aleancës.”

“Shqipëria duhet të fuqizojë institucionet e sigurisë. Nuk përjashtohet mundësia që me elitën të futen dhe talibanë të infiltruar por mendoj që ne i kemi kapacitetet njerëzore dhe operacionale që t’i verifikojmë dhe t’i mbajë të kontrolluar. Mund t’i marrin në pyetje, mbi trajnimet e tyre, mbi përgatitjen ushtarake për të patur një pasqyrë të qartë”, – thotë ushtaraku shqiptar që shërbeu në Afganistan.

Për Denisin, afganët janë një popull i zgjuar dhe me zemër të madhe që po vuajnë për shkak të pasivitetit të klasës politike dhe influencës së Pakistanit. /GazetaSi



2 Comments

  1. Amerikanet deshtuan ne nivel propagande sepse nuk kane ditur kurre ta bejne ne menyre te qenderzuar. Jo vetem propaganden por edhe ekonomine. Minierat me te fuqishme te bakrit atje zoterohen prej vitesh me tender te hapur nga Kinezet edhe pse shteti ishte nen mbikqyrjen Amerikane. Deshtim kapital edhe per liberalet. Por deshtimi me i madh eshte qe shoku i Denisit,Fetiu, eshte vrare nga njerez te rekruruar prej amerikanev. Te njejtet qe do na vijne edhe ketu.

  2. Afganet me vete do sjellin edhe farat e opiumit kshuqe sallates narkotike kanabis i shtohet edhe nje super komponent qe do i beje super konkurrence perse mendoni ?
    1 problemin talebanet per tregtine e opiumit ka pasur transportin
    2 Me mjelljen e lulkuqes ne shqiperi do bjere cmimi opiumit ne gjith europen do ta harroni kanabisin madje ku ta gjeni sepse opiumi do marre dhene
    Albanistani do behet prodhuesi kryesor i opiumit ne europe dhe jo vetem
    Allahu madherishem po i bekon Talebanet duke ju dhene toka te reja afer tregjeve kryesore te opiumit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *