• |
ide | kryesore

Shtëpia e Bardhë: Deri tani janë evakuuar 17 mijë persona nga Afganistani

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën se në 24 orët e fundit ushtria amerikane ka evakuuar rreth 3,800 persona nga aeroporti i Kabulit si dhe 17,000 që nga 14 gushti, përpara se talibanët të hynin në kryeqytetin afgan.

Shtëpia e Bardhë tha se gjithsej, që nga fundi i muajit korrik ishin evakuuar rreth 22,000 njerëz.

Ndër 17,000 të evakuuar gjatë javës së kaluar 2,500 janë amerikanë, tha Gjenerali amerikanWilliam Taylor të shtunën në një konferencë për shtyp në Pentagon.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby u tha gazetarëve se ai nuk kishte një “shifër të saktë” se sa amerikanë kanë mbetur në Kabul dhe në pjesë të tjera të Afganistanit.

Të premten zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se numri i përgjithshëm varet nga disa faktorë. Ai shtoi se Departamenti i Shtetit po punon për të kontaktuar të gjithë qytetarët amerikanë që kanë njoftuar departamentin si dhe afganët në rrezik që kërkojnë ndihmë nga SHBA.

Duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë “një kapacitet të jashtëzakonshëm transportit ajror”, zoti Price tha se “ne do të bëjmë aq sa mundemi, për aq kohë sa mundemi, për të evakuuar sa më shumë njerëz që mundemi”.

Presidenti amerikan Joe Biden përsëriti të premten premtimin për të qëndruar në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen dhe afganët që rrezikuan jetën e tyre duke punuar për qeverinë amerikane gjatë 20 viteve lufte në Afganistan.

Zoti Biden tha gjithashtu se administrata e tij do të bëjë “gjithçka mundet” për të evakuuar në mënyrë të sigurt “aleatët afganë, partnerët dhe afganët që mund të jenë në shënjestër (të talibanëve)”.

Presidenti është përballur me kritika nga ligjvënësit amerikanë se administrata e tij nuk ka vepruar aq shpejt sa duhet për të zhvendosur amerikanët dhe afganët në rrezik, ndërsa talebanët po përparonin me shpejtësi në të gjithë vendin.

Gjenerali Taylor u tha gazetarëve të premten se në aeroportin e Kabulit ka rreth 5,800 trupa amerikane që po ndihmojnë në përpjekjet për evakuim.

Megjithë kaosin dhe dhunën e herëpashershme jashtë aeroportit, presidenti ka theksuar se ushtria amerikane e ka nën kontroll aeroportin dhe po evakuon me mijëra vetë, me qëllim që ata të largohen nga vendi deri më 31 gusht.

Ndërkohë po rriten shqetësimet rreth njoftimeve se afganët dhe qytetarët amerikanë kanë probleme të shkojnë në aeroport për shkak të pikave të kontrollit të talebanëve. SHBA-ja po vazhdon të komunikojë me komandantët lokalë talebanë për të mundësuar qarkullimin e njerëzve nëpër pikat e kontrollit.

Ambasada amerikane në Kabul lëshoi një paralajmërim të ri të shtunën duke këshilluar amerikanët të mos shkojnë në aeroport pa “udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane”, kjo për shkak siç u tha, të kërcënimeve të mundshme që paraqiten nga Shteti Islamik jashtë portave të aeroportit.

Zyrtarët amerikanë, që folën në mënyrë anonime, nuk pranuan të japin detaje rreth kërcënimeve që paraqet ISIS-i, por thanë se ato janë serioze. /VOA



2 Comments

  1. Kjo ishte gjeja e fundit qe i kishte shku ne mend ketyre. Qe do shpalleshin heronj pse evakuojne njerez qe nuk kishin arsye t’i evakuonin. Te pakten akoma zbatojne urdhera

  2. Si zakonisht nje genjeshter e servirur nga mediat fake. Numri i amerikanerve atje eshte shume i larte dhe po u thuhet mos ju afroni aeropoortit se perben rrezik.Te gjithe ne amerike po flasin per nje Saigon dhe Teheran te dyte, bile kete rradhe dhe me turpshem

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *