• |
ide | kryesore

Faza III e fiskalizimit/38% e bizneseve të pajisur me certifikatën e AKSHI-t

-Instant, Lajme, Të fundit



Nga 1 shtatori nis procesi i fiskalizimit për bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë për konsumatorin, shumica e të cilëve janë të vogla. Një javë para nisjes së fazës të fund të faturimit të ri rezulton sipas të dhënave zyrtare se rreth 38% e totalit të bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen janë pajisur me certifikatën e sigurisë. Pajisja me certifikatën e sigurisë nga AKSHI është kushti kryesor për nisjen e procesit të fiskalizimit (certifikata ngarkohet në portalin SelfCare). Administrata tatimore llogarit në total fiskalizimin e 120,000 bizneseve, ku 90,000 prej tyre janë biznese të vogla. Deri tani me certifikatën e sigurisë janë pajisur 46,000 biznese.

Edhe pse faza e tretë e fiskalizimit pritet të nisë me një numër të vogël të subjekteve të pajisura me certifikatën e sigurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha për Monitor se nuk parashikon shtyrje të afatit të zbatimit të procesit.

“Afatet e fillimit të efekteve të ligjit të fiskalizimit sipas fashave janë afate ligjore, të cilat nuk mund të shtyhen apo pezullohen me vullnetin e instancave ligjzbatuese siç është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Është në tagrin dhe kompetencë e instancave kompetente politikëbërëse dhe ligjbërëse që në vijim të një analize të hollësishme të situatës duke marrë në konsideratë edhe të gjitha sugjerimet apo propozimet e grupeve të interesit apo institucioneve zbatuese të propozojnë dhe të vendosin lidhur me afatet ligjore”, nënvizoi DPT.

Edhe faza e dytë e fiskalizimit nga 1 korriku nisi me numër të ulët të bizneseve që kishin detyrimin të pajiseshin me certifikatën e sigurisë. Duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve nuk ishin të pajisura me certifikatë sigurie, kontabilistët paralajmëruan problematika me njohjen e TVSH-së të faturave të pafiskalizuara. Faza e dytë parashikonte fiskalizimin e 34 mijë bizneseve.

Për numrin e ulët të bizneseve të vogla të pajisura me certifikatë sigurie, arsyeja kryesore sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo është miratimi i aktit normativ për mosvendojen e gjobave deri më 31 dhjetor 2021.

“Heqja e penaliteteve është një problem i madh, pasi shumë biznese mendojnë se nuk do të gjobiten dhe për këtë arsye nuk nisin fiskalizimin. Mosvendosja e gjobave është keqkuptuar nga shumë subjekte që mendojnë se fiskalizimi do të nisë nga 1 janari 2022. Në këtë situatë do të ishte më e drejtë që në udhëzim të përcaktohej se nëse një biznes që nuk fiskalizohet do të gjobitet dhe nëse je subjekt i fiskalizuar, por ke probleme nuk do të penalizohesh. Në këtë formë udhëzimi nuk do të keqinterpretohej nga bizneset”, thotë Dhamo.

Numri i ulët të bizneseve që shoqëroi nisjen e fazës së dytë të fiskalizimit më 1 korrik krijoi vonesa në tërheqjen e certifikatës së sigurisë te AKSHI për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve. Bizneset në fillimin e procesit në këtë fazë u hasën edhe me problemet e bllokimit të portalit SelfCare, për shkak të mbingarkesës. Ekspertët parashikojnë që nisja e fazës së tretë të krijojë më tepër konfuzion, pasi më 31 gusht përfundon afati i përdorimit të dokumentacionit tatimor ekzistues. /Monitor



2 Comments

    1. Mos ua ver re – kane dashur te thone ‘rrotkarizimi’
      Eterit e ketyre ne 1945 aplikuan ‘kolektivizimin’!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *