• |
ide | kryesore

Rebusi Xhaka, burokracitë e Bajramit e grupi plot talent i Rejas: “Kjo skuadër mund të sjellë kënaqësi të mëdha”

-Instant, F1, Sport, Video



Lojtarë të rinj, të tjerë të afirmuar dhe ndonjë problem dëmtimi apo mungese aktiviteti. Ka nga të gjitha për kombëtaren e Shqipërisë dhe teknikun e saj Edoardo Reja, në vigjilje të sfidës së trefishtë kualifikuese për Botërorin 2022 në shtator. Italiani e ka shumë të qartë situatën ndaj ka folur për gjithcka në konferencën për shtyp përpara tre ndeshjeve: Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në Elbasan Arena: “Kemi një listë prej rreth 30 lojtarësh, por kemi probleme me disa të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani, të cilët duan disa javë të rekuperohen dhe të jenë në formë optimale. Pastaj, risia ishte Ivan Balliu, i cili luan në La Liga me Rayo Vallecano dhe po paraqitet shumë mirë në fillim sezoni. Mendova ta rikthej në listë, por dje folëm në telefon, nuk është mirë fizikisht, pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion të abduktorëve e për këtë arsye nuk është ende në kushtet e duhura. Për herë të parë me ne vjen Muçi, i cili ishte pjesë e Kombëtares U-21 dhe e kishim nën vëzhgim dhe gjithashtu kemi marrë Çepelen, të cilin e njohim tashmë. Po integrojmë këto të rinj së bashku me Brojan, Çokajn, Muçin e Çepelen, të cilët janë lojtarët e rinj që duhen vëzhguar për perspektivën“.

Porblemi për Rejan vjen në pikën ku ka patur gjithnjë siguri. Ndonëse nuk kërkon ta bëjë dramë, është e qartë se pankinat për Berishën e Strakoshën nuk janë pozitive për kuqezinjtë: “Më vjen keq për Berishën dhe Strakoshën, që janë në stol me klubet, por janë lojtarë që meritojnë besim. Ata stërviten rregullisht, por nuk kanë mbase reflekset e ndeshjes, pasi nuk kanë pasur mundësi të luajnë”, sqaroi italiani, që është ndalur edhe tek Manaj. Lojtari është pjesë e grupit të Barcelonës, por qëndron në pankinë: “Ai ka luajtur pjesën e parë të miqësoreve dhe është paraqitur mirë. Më ka informuar se është në gjëndje shumë të mirë edhe se nuk luan. Do ta shikojmë dhe do ta verifikojmë në Varshavë, duke parë që do të kemi tre ditë përpara. Do të flas me të gjithë lojtarët për ti pyetur për gjëndjen e tyre”.

Ajo mes kombëtares e Xhakës po bëhet një kalvar i gjatë e i pakuptimtë. Mesfushori luan me Basel, thërritet nga kombëtarja, por del gjithnjë në dritë një dëmtim që Reja vazhdon ta përdorë për justifikim: “Xhaka ishte pothuajse 6 muaj i dëmtuar ndërkohë që tani është rikuperuar. Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjëndje duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë. Jemi dakortësuar që do të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo”.

Empoli sapo ka mposhtur Juventus, e Bajrami, përpos golit në debutim vazhdon të bëjë performanca pozitive, por megjithatë Reja nuk mundet dot ta aktivizojë: “Për Bajramin ashtu siҫ e dini ka qënë kjo seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e luajtur me Shqipërinë. Unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij. Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qënë ky ngërҫ. Përgjigjen do ta kemi vetëm të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim. Unë uroj që të arrijë të vijë me ne duke parë që është një lojtar që mund të na japë diҫka më shumë nga mesfusha e përpara sepse është një lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtarin dhe synon portën. Ka pasime cilësorë, filtruese, do ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër“.

Trajneri Reja nuk shikon asnjë avantazh ose disavantazh në faktin se skuadra do të duhet të luajë tre ndeshje në 9 ditë. “Të luash njëherë në tre ditë nuk është asnjëherë diҫka e lehtë. Por e njëjta gjë është edhe për kundërshtarët tanë kështu që jemi në barazim le të themi. Unë jam i bindur që ky grup mund të bëj mirë”. “E kemi të qartë se do të luajmë ndaj dy skuadrave të rëndësishme, Hungaria dhe mbi të gjitha Polonia, që kanë treguar se janë ‘përpara’ në aspektin e cilësisë, por as ne nuk jemi më pak. Unë jam shumë i bindur që kjo është një skuadër që mund të na dhurojë kënaqësi të mëdha. E kemi të qartë se për të arritur këtë, të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjëndje maksimale. E theksova edhe më lart, do të shikoj dhe do të verifikoj këto tre ditë, edhe se janë pak, duhet të bëj zgjedhjet e duhura, për të hedhur në fushën e lojës lojtarët që janë në gjëndjen më të mirë.

Ekipi do të nisë grumbullimin prej ditës së hënë në Varshavë, ku do të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjes me Poloninë përpara se të rikthehen në Kompleksin Tropikal, ku do të vazhdojnë stërvitjet për ndeshjet shtëpiake ndaj Hungarisë në 5 shtator dhe ndaj San Marinos në 8 shtator.

https://youtu.be/sNPRKyW-pyU



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *