• |
ide | kryesore

Bajrami humbet Poloninë: leja e Empolit vjen vonë, gati për Hungarinë

-Instant, Sport



Më në fund gati për kombëtaren. Nedim Bajrami, pas triumfit të FSHF në CAS për të drejtën e përfaqësimit të mesfushorit me fanellën kuqezi, ka marrë edhe aprovimin e Empolit, por për fat të keq shumë vonë për të siguruar debutimin e lojtarit për ndeshjen e nesërme kundër Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi i Empolit bën me dije se “Nedim Bajrami është thirrur nga kombëtarja shqiptare për sfidat e radhës kualifikuese për Botërorin 2022: mesfushori 22-vjeçar do t’i bashkohet kuqezinjve për 2 ndeshjet që do të zhvillohen në “Elbasan Arena”, ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe ndaj San Marinos më 8 shtator”.

Lojtari do të bashkohet me skuadrën kombëtare të premten në Tiranë, kur kuqezinjtë të kthehen nga transferta e Varshavës. Bajrami kandidohet menjëherë për një fanellë titullari, duke parë formën e mirë që po kalon në këtë start të Serie A, por edhe sepse skuadra e Rejas përballet me dy ndeshje tepër impenjative në harkun e tre ditëve.

Vonesa e Empolit në dhënien e lejes, erdhi për shkak të një emaili formal që i dërgohet klubeve për të lënë të lirë futbollistët. Nevojitej që kjo ftesë të dërgohej 14 ditë para nisjes së grumbullimit. Gjithsesi është arritur të gjendet gjuha e përbashkët mes drejtuesve, teksa Bajrami do të jetë në dispozicion të trajnerit Reja për 2 ndeshjet e radhës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *