• |
ide | kryesore

FSHF kërkon të shmangë keqkuptimet: takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve për sistemin VAR

-Instant, F1, Sport



Prej më shumë se dy vitesh FSHF ka punuar për ta implementuar këtë sistem edhe në Shqipëri, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së futbollit shqiptar, duke minimizuar gabimet e arbitrave. E kështu, më në fund, duke nisur nga ky edicion futbollistik, në ndeshjet e Kategorisë Superiore do të nisë të përdoret sistemi VAR, një nga projektet e investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Deri tani janë zhvilluar disa ndeshje miqësore duke përdorur VAR-in, ndërsa së fundmi, sistemi VAR u përdor edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Teutës.

Nuk do të jetë një sistem i thjeshtë, si është dëshmuar edhe në kampionatet më të rëndësishme, kështu që për t’i shpjeguar edhe përfaqësuesve të klubeve se si funksionon sistemi VAR, Departamenti i Arbitrimit në bashkëpunim me Departamentin e Garave në FSHF, ka organizuar në ambjentet e “Shtëpisë së Futbollit”, një takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.

Shefi i Departamentit të Arbitrimit, Sokol Jareci, kishte përgatitur edhe disa video të shkëputura nga ndeshje të kompeticioneve europiane, duke parë rastet se kur duhet të ndërhyjë ose jo VAR-i. Duhet patur parasysh, se sezoni i ri i Kategorisë Superiore do të nisë më 11 shtator, me 180 ndeshje të këtij kompeticioni që do të luhen me sistemin VAR, teksa ky sistem do të përdoret edhe në sfidat e Kupës së Shqipërisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *