• |
ide | kryesore

“Nëse i pranojnë, mirë, përndryshe të rrinë në shtëpi”: Reja vë pikat mbi ‘i’, Bajrami kërkon golin, Uzuni minutat…

-Instant, Sport



“Kemi 28 lojtarë, me raste bëjmë zgjedhje me të tjerë. Të gjithë këtu, nuk ka titullarë e zëvendësues. Unë bëj zgjedhje. Nëse i pranojnë, mirë, përndryshe rrinë në shtëpi”. Edoardo Reja shpejton të tregojë kush komandon, por nuk është se kjo lidhet me ndeshjen e fituar kundër Hungarisë. Tekniku mori kreditet nga goli i një lojtari për të cilin shfaqi pakënaqësi vetëm një ditë më parë, por goli i Brojës nuk është se ndryshon gjithcka: “Ka shënuar edhe Çikalleshi. Çfarë të bëj? Të hedh në fushë Brojën, Çikollashin e këdo që shënon? Nëse vjen në formë e me kondicion, të shohim se si do të jetë me klubin. Nëse luan titullar duhet marrë në konsideratë. Ai ka aftësi të rëndësishme. Ka një talent dhe hapësirë rritje nga mosha që ka, por duhet përmirësuar në shumë aspekte”.

E megjithatë një mesazh për Brojën tekniku italian e ka: “Ai duhet të vihet në pozicion që t’u japë lehtësi mesfushorëve. Nëse ai e mëson edhe këtë… trajneri që ka tani nuk e vinte të luante se futbolli ka dy funksione. Kur ai të mësojë të bëjë gjërat pa top, do të bëhet një lojtar i kompletuar” analizoi Reja, që shtoi – “Do të luajmë shanset tona, tani kemi San Marinon, një ndeshje që duhet ta përballojmë në mënyrën e duhur. Pasta do të luajmë shanset me Poloninë. Duhet të hakmerremi për humbjen e rëndë”.

DEBUTIMI SUPER I BAJRAMIT: DUA TË SHËNOJ NDAJ SAN MARINOS

Nedin Bajrami është i lumtur për debutimin e tij me kuqezinjtë. Një performancë super e kurorëzuar pastaj me një fitore shumë të rëndësishme. “ Luajtëm shumë mirë të gjithë dhe jemi të lumtur që morën fitore. Është hera e dytë që jam këtu me ekipin dhe më kanë pritur mirë. Duhet të vazhdojmë kështu. Kam folur me trajnerin shumë, ndihem mirë në rolin tim në mesfushë” – tha mesfushori i Empolit që ka një dëshirë për sfidën e ardhshme. “E dinim që duhet ta fitonim këtë ndeshje dhe jemi të lumtur edhe me tifozët dhe duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër. Nëse luaj shpresoj të shënoj në sfidën ndaj San Marinos”.

NDESHJA SPECIALE E UZUNIT: KUNDËR LOJTARËVE QË STËRVITEM ÇDO DITË

“Ishte ndeshje shumë speciale, luaja me lojtarë që stërvitem çdo ditë. Ndihem krenar për këtë ngjyra, jam më gati se kurrë. Nuk ndryshoi asgjë, grindën e kishim nga minuta e parë në të fundit. Duhet të vazhdojmë së bashku kështu. Duhet të aktivizohem më shumë për trajnerin, jam në formën time më të mirë”. Myrto Uzuni flet shkurt, por tregon të gjitha ndjesitë që i kaluan pas fitores me Hungarinë, që rikthen Shqipërinë në shinat e kualifikimit, por i ka dhënë edhe një kënaqësi personale sulmuesit të Ferencvaros, që e pa veten përballë shokëve të skuadrës në Hungari. “Jam shumë i karikuar, kjo është forma më e mirë, pres të luaj akoma më shumë me Kombëtaren. Ndihem i lumtur, por dua të aktivizohem akoma më shumë”, u shpreh Uzuni.

GJASULA: E LAMË GRUPIN TË HAPUR

Klaus Gjasula i gëzohet fitores kundër Hungarisë, me të vetmen keqardhje, se do ti duhet të mungojë në sfidën e tretë të shtatorit: atë kundër San Marinos: “Për mua ishte fitore e merituar dhe fati që nuk i kishim në Poloni erdhi sot me golin e vonë. Jemi të gëzuar duhet te vazhdojmë kemi ndeshje të tjera, është një mundësi e mire për ne sepse kemi lënë grupin e hapur” – tha mesfushori, që do ti mungojë Rejas, për fat, në një ndeshje shumë më të thjeshtë se ajo që kaloi. “Me vjen keq, por ishin ne kundërsulm dhe mendova te bej faull para se te ndodhi ndonjë gjë. S’kemi çfarë i bëjmë kemi shumë lojtar te tjerë qe duan te luajnë dhe nuk përbën problem”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *