• |
ide | kryesore

Zjarri në Tetovë/ Gjithçka dihet deri tani për tragjedinë me të paktën 14 viktima

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Zjarri në spitalin për trajtimin e rasteve të Covid-19 në Tetovë rezultoi tragjik. Konfirmohet se deri tani plot 14 pacientë të shtruar nuk mundën ti mbijetojnë flakëve që përfshinë spitalin modular mbrëmjen e djeshme.


Sipas Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut, nuk ka viktima mes stafit mjekësor.


Raportohet se një trup i pajetë nuk është identifikuar ende. Fatmirësisht, flakëve i shpëtuan 12 pacientë të tjerë. Mediat maqedonase shkruajnë se personat e mbijetuar janë jashtë rrezikut për jetën dhe janë çuar për shërim në disa spitale të tjera deri në Shkup.

Deri tani nuk është përcaktuar asnjë shkak zyrtar për zjarrin. Megjithatë, në kuadrin e dyshimeve flitet për një shpërthim të bombolave të gazit apo oksigjenit, që do të rezultonin fatale.

Një burim zyrtar i Shërbimit të Zjarrfikësve në Tetovë do të deklaronte se gjatë luftës me zjarrin është bërë e mundur edhe nxjerrja e viktimave dhe të mbijetuarve.

“Deri sa po lokalizonim zjarrin, nxirrnim edhe viktima edhe të mbijetuar” – deklaroi Sasho Trajçevski nga Shërbimi i Zjarrfikësve në Tetovë.

Spitali është shkrumbuar pothuajse i gjithi. Edhe pse ekipet e zjarrfikësve u gjendën prezente pasi zjarri nisi, burime nga vendi i ngjarjes raportuan se puna për shuarjen e tij qe tejet e vështirë. Flakët e zjarrit po shpërndaheshin me shpejtësi të madhe.

Situata e jashtëzakonshme do të prodhonte dhe një reagim të shpejtë. Në një takim urgjent u mblodh shtabi i krizës ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, zv.kryeministri i parë, Artan Grubi dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryeministri Zaev do të reagonte në rrjetet sociale, ku mes të tjerash theksoi se do të zbardhen shkaqet e ngjarjes së rëndë.

“Shkaqet e zjarrit  do të përcaktohen. Kjo është një ngjarje tragjike që kërkon zbardhje të tërësishme”, është shprehur kryeministri i shtetit fqinj, Zoran Zaev.

Ndërsa ngjarja ka shokuar vendin, Komuna e Tetovës në Maqedoninë e Veriut shpalli tre ditë zi për viktimat.

Ka qenë Këshilli i Komunës së Tetovë i cili në mbledhjen e sotme urgjente që mori këtë vendim. Ndërkohë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, paralajmëroi ndihmë financiare për familjet e viktimave.

Presidenti, Stevo Pendarovski, anuloi ngjarjet e paralajmëruara me rastin e 8 shtatorit, Ditës së Pavarësisë, për shkak të zjarrit në spitalin modular në Tetovë, në të cilin të paktën 14 persona kanë humbur jetën.

Organet hetimore kanë nisur pa humbur kohë punën. Prokuroria themelore në Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular për Covid-19. “Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë publikë nga Tetova dhe dy nga Shkupi. Ekipi prej pesë prokurorëve, së bashku me ekipe nga institucionet kompetente po i ndërmerr të gjitha veprimet në drejtim të konfirmimit të arsyeve për zjarrin e shkaktuar”. Ky informacion konfirmohet nga Prokuroria e Tetovës.

“Gabime në ndërtim në spitalin që mori flakë.” Ky titull po qarkullon rëndom në media ditën e sotme. Sipas lajmeve që vijnë nga Maqedonia e Veriut, spitali i Covid-19 në Tetovë ka rezultuar me gabime infrastrukturore. Në mesin e muajit prill ky spital ka pasur gabime ndërtimi në dysheme. Megjithatë, alarmi që është ngritur atëhere për gabimet, theksonte se ato konsideroheshin të vogla. Foto më poshtë është e datës 21 janar të këtij viti. Spitali asokohe ishte në përfundim. ©LAPSI.AL 

2 Comments

  1. Dashamir Shehi mendon se iu takon institucioneve të shprehen, duke shmangur kështu gjykimet personale. Por Lulzim Basha duhet të marrë një vendim politik, pohon kreu i LZHK.

    “Berisha, është kapitull i mbyllur.”

    Çdo hezitim i lidershipit demokrat në këtë drejtim, sipas Shehit dëmton jo vetëm këtë parti por të gjithë opozitën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu