• |
ide | kryesore

Blinken do të dëshmojë në Kongres mbi tërheqjen amerikane nga Afganistani

-Instant, Arkiva, Planet, Të fundit



Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të dëshmojë sot para një paneli të Kongresit që po shqyrton tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani në fund të luftës 20 vjeçare, më e gjata në historinë amerikane.

Ligjvënësit republikanë në opozitë dhe disa demokratë të partisë së Presidentit Joe Biden, e kanë kritikuar mënyrën e tërheqjes së trupave, qytetarëve amerikanë dhe mijëra afganëve, që punuan për forcat amerikane si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.

Kritikat u bënë edhe më të ashpra pasi 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane humbën jetën gjatë një sulmi vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të tërheqjes. Shteti Islamik-Khorasan, një degë afgane e grupit terrorist që vepron në Lindjen e Mesme, mori përgjegjësinë për sulmin.

Sekretari Blinken dëshmon të hënën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. Ndërsa të martën ai do të dëshmojë para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Anketat e opinionit publik në shkallë kombëtare tregojnë mbështetje të gjerë për vendimin e Presidentit Biden për t’i dhënë fund asaj, që ai e ka quajtur, një “luftë pa fund” në Afganistan, por jo mënyrën se si u zhvillua tërheqja.

Kryediplomati Blinken ka të ngjarë të përballet me pyetje të vështira, se pse SHBA nuk filloi evakuimin e qytetarëve amerikanë më herët, veçanërisht pasi zoti Biden njoftoi qëllimin e tij në prill për të respektuar marrëveshjen e ish-Presidentit Donald Trump me talebanët, për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr forcat amerikane.

Ligjvënësit gjithashtu kanë kritikuar agjencitë amerikane të zbulimit, për dështim në parashikimin e marrjes së shpejtë të Afganistanit nga talebanët dhe rënien e qeverisë afgane, ndërsa Presidenti Ashraf Ghani u largua papritmas duke kërkuar azil politik në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Republikanët thonë se duan t’i përqëndrojnë pyetjet e tyre tek puna e Presidentit Biden gjatë javëve dhe ditëve përfundimtare të luftës. Nga ana tjetër, demokratët shpresojnë të shqyrtojnë të gjitha përpjekjet e luftës amerikane nën drejtimin e katër presidentëve – republikanëve George W. Bush dhe Trump, dhe demokratëve Barack Obama dhe Biden.

Presidenti Bush e filloi luftën në Afganistan në fund të vitit 2001 për të zhdukur al-Kaidën, përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. Rreth 3,000 njerëz u vranë në Shtetet e Bashkuara nga sulmet me aeroplanët e rrëmbyer nga terroristët.

Presidenti Biden e ka quajtur tërheqjen “sukses të jashtëzakonshëm” dhe mbrojti vendimin për t’i dhënë fund luftës amerikane në Afganistan, duke thënë se ai nuk do t’ia kalojë përgjegjësinë për menaxhimin e përfshirjes ushtarake amerikane një udhëheqësi të pestë amerikan. /VOA/



3 Comments

  1. Ky esht nje Pall Kari i papare. Si tha, u zhgenjyem qe qeveria e talebaneve nuk ishte gjithperfshirse se skishte gra dhe gay people. O te qivja blonkenin..

  2. Ky mban pergjegjesi vetem nqs ka gabuar menyren e terheqjes, dmth menyren e organizimit logjistik. Se te tjerat i kish firmos Trump qe kur nxorri nga guantanamo shefin e ketyre dhe beri marveshjen e terheqjes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *