• |
ide | kryesore

Sektorët që po rimëkëmben dhe ata që ende po vuajnë pasojat e pandemisë

-Instant, Lajme, Të fundit

Sektori i fasonit, turizmit dhe transportit këtë vit shënuan rritje të aktivitetit, por ende mbeten poshtë niveleve të parakrizës. Ndërtuesit, përpunuesit e qumështit, eksportuesit e fruta-perimeve pohojnë rritje të prodhimit në raport me 2019-n. Për t’iu përshtatur realitetit të ri, sipërmarrjet po zbatojnë modele të reja të të bërit biznes. Ekspertët kërkojnë që edhe qeveria të nisë rimodelimin e ekonomisë. Shumë kompani dhe shoqata të biznesit nuk i vlerësuan pozitivisht nismat e qeverisë për marrje kredie, nëpërmjet dy garancive sovrane.
Hapja e tregjeve dhe heqja e masave kufizuese kanë ndikuar pozitivisht te shumë sektorë të ekonomisë në Shqipëri, pas bllokimit dhe kushtëzimit të ekonomisë në 2020. Përfaqësues të shoqatave dhe kompanitë pohojnë se gjatë këtij 7-mujori, aktiviteti i tyre është rritur në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s. Për disa sektorë, rikuperimi ka qenë i shpejtë në krahasim me periudhën e 2019-s, ndërsa të tjerë shprehen se normaliteti mund të kthehet në vitin 2023.


Në kahun tjetër, pandemia nxori në pah domosdoshmërinë e bizneseve për t’u përshtatur me realitetin e ri. Ndërmarrje të shumta fason kanë investuar për diversifikimin e prodhimit. Për t’iu përshtatur ndryshimit, kompanitë e sektorit të shërbimeve kanë rritur investimet për porositë delivery.


Operatorë të strukturave akomoduese më të mëdha në vend po investojnë për ngritjen e laboratorëve në resortet e tyre, që do të shërbejnë për kryerjen e testit tampon dhe dhënien e rezultatit për turistët. Përfaqësuesit e shoqatave thonë se edhe ekonomia duhet të ketë qasje të re zhvillimi, duke u orientuar drejt zhvillimit të tregtisë dixhitale dhe robotikës. Ekspertët e konsiderojnë të zbatueshëm modelin e ri, nëse qeveria harton legjislacionin e duhur për përshtatjen.

Pandemia diktoi nevojën e shumë sipërmarrjeve për likuiditet, qoftë për pagat e punonjësve dhe investime. Në mbështetje të sektorit privat, qeveria miratoi dy instrumente për përfitim kredie me vlerë 26 mln lekë. Pjesa më e madhe e bizneseve e konsiderojnë të paleverdishëm përfitimin e kredisë nga Garancitë Sovrane 1 dhe 2, për shkak të interesit të lartë dhe burokracive.

Kthimi i masave kufizuese të ekonomisë, për shkak të një vale tjetër të pandemisë në muajin shtator 2021 si nga përfaqësuesit e shoqatave, ashtu edhe nga bizneset, vlerësohet si një kthim mbrapsht i krizës. Ndërsa kufizimet drastike të ekonomisë përmbysin çdo parashikim pozitiv të sipërmarrjes shqiptare për kthim të shpejtë në normalitet.

 

Sektorët e rimëkëmbur nga pandemia

Pandemia tregoi se sektorët me varësi të lartë nga tregu i jashtëm (kryesisht vendet fqinje) ishin më të ekspozuarit ndaj krizës. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, thotë se te sektori i ndërtimit, ushqimit, fruta-perimeve e bujqësisë është vënë re kthim i shpejtë në normalitet. Vështirësi, sipas tij, po has sektori fason, i përpunimit dhe riciklimit të plastikës, si dhe vazhdon rritja galopante e çmimit të transportit të mallrave.

“Pandemia ndikoi negativisht te disa makrosektorë të prodhimit, ndërsa te disa të tjerë nuk pati ndikim. Makrosektorët e ushqimit dhe pijes patën vetëm një ‘ngrirje’ kur u bë mbyllja e ekonomisë, pasi para karantinës patën shitje shumë herë më të larta se vitet e tjera, sepse njerëzit mësynë supermarketet. Edhe gjatë 2020, këta makrosektorë nuk patën probleme, përveç industrisë së përpunimit të pijeve alkoolike, për shkak të mbylljes së bareve, restoranteve dhe klubeve të natës. 

Sektori i ndërtimit pati një “ngrirje” momentale prej rreth 1-2 muajsh. Por pas hapjes së ekonomisë dhe zbatimit të programeve të rindërtimit, ky sektor jo vetëm që kapi trendin e vitit, por tejkaloi edhe 2019-n.

Tekstilet dhe këpucët vuajtën gjatë gjithë vitit pasojat e pandemisë. Shumë kompani mbyllën aktivitetin dhe shkurtuan numrin e të punësuarve. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve ende nuk po e rimarrin veten për shkak të humbjes të prodhimit të stinëve dhe stokut të magazinimeve nga mungesa e shitjeve.

Industria automotive ka pasur rënie të lartë, sepse nuk kishte shitje në 2020 të automjeteve në Europë. Shqipëria ka varësi të lartë nga kërkesa për materialet gjysmë të gatshme, që i shërbejnë industrisë automotive në Ballkan dhe Europë. Mungesa e shitjeve të automjeteve ndikoi tek ulja e kërkesës për materiale porositëse, sidomos për alumin, hekur dhe materiale të tjera të pjesës së metaleve.

Për shkak të pandemisë, tregu u çorientua dhe kjo u reflektua në rritjen galopante të çmimeve të transportit, që ndikoi në të gjitha mallrat e importit. Transporti i një kontejneri me mallra nga 1,500 dollarë, kushton deri në 18,000 dollarë. Në pandemi kishte edhe episode të caktuara në uljen drastike të çmimit të energjisë elektrike dhe në fund të 2020, rritje dyfish të çmimit energjisë, që ndikon te kostoja e prodhimit. Një fenomen tjetër që u vu re në pandemi ishte luhatja e shpeshtë e çmimit të karburanteve, plastikës, letrës, që ndikuan te rritja e kostos të prodhimit”./Monitor

1 Comment

  1. monitori nuk flet thuajse fare per industrine e jetes se nates qe eshte me e demtuara. diskot dhe klubet kane lene pa pune mijra njerez. pertej kesaj mbyllja e jetes se nates ndikon direkt tek shume industri te tjera. butiqe parukjere taksi jane ne faliment (se njerezit rrobat i blejn me dal, nderkohe qe po nuk dolen per cfare ti duan)… zinxhiri eshte keputur ndaj monitori ben mire te monitoroje mire gjerat. 20%e gdp vjen nga NATA dhe nese nuk hapet shume biznese keq e kan punen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu