• |
ide | kryesore

Ishin duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 persona në Korçë

Arkiva



Tre persona janë arrestuar nga policia ndërkohë që tre të tjerë janë shpallur në kërkim pasi janë kapur duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm me automjetet e tyre.  Sipas policisë ata u kishin marrë 200 euro secilit me premtimin për kalimin drejt vendeve të BE.

Në pranga janë vënë S. R., 29 vjeç, banues në Tiranë, T. M., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe M. H., 26 vjeç, banues në Librazhd, ndërkohë që po punohet për kapjen e P. M., B. M. dhe N. Q.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditen tre raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kapën duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur tre raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. R., 29 vjeç, banues në Tiranë, T. M., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe M. H., 26 vjeç, banues në Librazhd.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin S. R., duke transportuar me mjetin tip fuoristradë “Benz”, 6 emigrantë të paligjshëm si edhe shtetasin T. M., duke transportuar me mjetin tip “Renault”, 4 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, këta shtetas iu kishin premtuar atyre kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera për këto raste, dyshohet se të implikuar në këto ngjarje janë edhe shtetasit P. M., B. M. dhe N. Q., të cilët u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, shtetasin tjetër M. H., duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen” 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim”, njofton policia.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *