• |
ide | kryesore

Më 15 shtator, nis gjykimi i parë ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale e Hagës

-Instant, Lajme



Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se më 15 shtator do të nisë gjykimi i parë në Hagë ndaj Salih Mustafës.

Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje t paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për veprat që dyshohet t’i ketë kryer.

 

 

Sipas Dhomave të Specializuara në gjyqin kundër Mustafës janë siguruar nëntë dëshimitarë.

Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

/REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *