• |
ide | kryesore

Rruga se si Berisha mund ta shpëtojë PD-në

-Instant, Blog



Sali Berisha, i nxitur në dukje nga shtysa thellësisht personale, ka filluar një luftë ndaj udhëheqjes së Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Është e paqartë mënyra sesi mundet të ketë sukses një lëvizje e tillë nga pikëpamja e rregullave të Partisë. Por një lëvizje me bazë të gjerë mundet të ribëjë nga e para edhe rregullat. Ndoshta ky është edhe qëllimi i saj.

Berishizmi është akoma i fortë në anëtarësinë e Partisë dhe në një ballafaqim Basha-Berisha, fituesi ka shanse reale të anojë nga Berisha. Zhgënjimet e njëpasnjëshme në betejën me Edi Ramën e kanë zbehur shpresën demokrate për pushtet dhe besimin se Basha është udhëheqësi i duhur. Nga kjo premisë, shanset për një mbështetje nga baza janë të mëdha.

Sali Berisha është personi i duhur për të nxitur ringritjen e Partisë Demokratike (nga pikëpamja e ndikimit në bazë) por kurrsesi për ta riudhëhequr atë. Konflikti i hapur me administratën amerikane e zhvesh çdo lëvizje të Berishës nga idealizmi nëse synon kreun e Partisë. Opininoni publik do ta lexojë përpjekjen e Berishës për të rimarrë PD-në si interes i ngushtë personal për të lidhur fatin e tij me atë të Partisë që krijoi. Kjo do ishte në dëm të Berishës dhe një premisë e fortë për dështim. Prandaj duhet ta përjashtojë kategorikisht veten nga mundësia për të drejtuar Partinë ose për të ndikuar në zgjedhjen e Kryetarit.

Sali Berisha duhet të ribëjë amanetin e tij politik me këtë lëvizje, duhet të bëjë atë që nuk e bëri gjatë kohëve të arta të tij.

Një lëvizje për ringritjen e një Partie Demokratike duke rrëzuar Kryetarin aktual dhe shpalljen e një fushate zgjedhore një vjeçare për Kryetarin e ri do të ishte ndoshta veprimi më i mbështetur nga baza e etur për të gjetur një lider të ri të cilit mund ti besojë në fitore. Nëse Berisha krijon shtratin demokratik për zgjedhjen e Kryetarit të ri të PD-së, përmes ndryshimeve statuore, kufizimit të mandatit të Kryetarit, shkarkimin automatik në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare, ky do të ishte veprimi më i mirëserdhur për të gjithë demokratët dhe me gjasë puna më e mirë e Sali Berishës.

Meqë jemi këtu, ky do ishte edhe korrigjimi i gabimit që bëri në 2013-ën duke emëruar Lulzim Bashën si pasardhës.

Lulzim Basha i pati gjithë mundësitë për tu dëshmuar si lider. Sot atë e besojnë veç organet e reja drejtuese që i zgjodhi vetë. Ato që i ruajnë vulën.

Partia ka hyrë në një rreth vicioz. Një herë në katër vite, pas çdo dështimi elektoral, konfirmon Kryetarin dështues i cili, menjëherë, rrethon veten me eunukë yes-menë që më shumë bëjnë gjeste sesa flasin. Pushteti i karriges së Kryetarit që, me një të rënë të lapsit të bën apo zhbën karrierën ka sterilizuar debatin e brendshëm, ka eleminuar individin me mendim të pavarur dhe i ka dhënë Kryetarit të Partisë hijen e Zotit në Parti. Partia nuk është më një organizim vullnetar apo shoqëri aksionere por kompani me pronar të vetëm.

Lulzim Basha, e kuptoi shpejt peshën e vulës së Partisë. Në vitin 2017, me një vendim diabolik në limitin e fundit të afatit të dorëzimit të listave zgjedhore për deputetë këputi karrierat politike të Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Arben Imamit, Genc Rulit, Majlinda Bregut e shumë të tjerëve që i bënin hije në oborrin demokrat. Tha që kjo listë është basti i tij dhe e pagëzoi me emërtimin pompoz “Republika e re”.

Basti shënoi humbjen më të thellë elektorale por kjo nuk do të thotë asgjë. Rruga e telasheve ishte spastruar paçka se Partisë i firuan 200 mijë vota. Biznesi i Bashës nuk është fitorja, është PD-ja pa telashe. Ai gjithmonë është marrë me mbarëvajtjen e biznesit të tij brenda PD-së, jo me, ruajna zot, fitoren e zgjedhjeve! Për Bashën e rëndësishme është vetëm alibia e humbjes dhe rimëkëmbja e karriges së Kryetarit menjëherë pas saj. Shpejt e shpejt, për 20-30 ditë. Punë e madhe se PD-ja rudhet. Mund të bjerë 300 mijë vota, e pastaj? Mjaftojnë edhe aq, boll të jemi të dytët e të vazhdojmë biznesin.

Kjo praktikë duhet të marrë fund për të mirën e demokracisë. Sali Berisha, njeriu që ndërtoi mitin e Kryetarit të Partisë së bashku me Edi Ramën me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, ka shansin të korrigjojë gabimin e tij. Një Kryetar i fortë vërtet mundet të të çojë drejt pushtetit dhe të kthehet në autokrat siç ka bërë Edi Rama me bekimin e Berishës (ndryshimet e 2008-ës). Por një Kryetar Partie hileqar që di të shfrytëzojë epërsitë e vulës për të rudhur Partinë e njëkohësisht për të menaxhuar çdo humbje është një fatkeqësi kombëtare. Largimi i tij nga udhëheqja e Partisë dhe moslejimi në të ardhmen i një precedent të tillë, përmes demokratizimit të statutit dhe sanksionimit të shkarkimit të humbësit, do t’i jepte lëvizjes së Sali Berishës legjimitet moral dhe ndoshta do të ishte kontributi më i madh i tij qysh nga themelimi i asaj Partie.

Nuk ka rëndësi shtysa, rëndësi ka rezultati.

Përjashtimi i Bashës dhe Berishës nga drejtimi i Partisë së re do të ishte edhe mundësia më e mirë e shmangies së përçarjes së Partisë. Një Kryetar i ri do të bënte hapjen e madhe pasi do ishte i çliruar nga pengjet e së shkuarës. Gazeta Express



2 Comments

  1. Ajo qe nuk po kuptohet eshte qe Shqiperia ka nevoje per nje opozite pertej PD-se sic e njohim, nje opozite qe ndryshon komplet projektin dhe jo thjesht kryetarin apo kryesine. Berisha eshte i rendesishem ne kete mes sepse e ndjek rreth 30% e popullsise, eshte i njohur dhe me akses te gjere ne media, por mbi te gjitha sepse shpallja non-grata dhe refuzimi per te bere kompromise me superfuqine e jashtme dhe dyshen e preferuar te oligarkise Rama-Basha e bejne politikanin shqiptar me te lire sot. Te lire per thene ca te verteta qe nuk jane thene kurre ne kete vend nga njerez te ketij kalibri dhe qe mund ta ndryshojne komplet lojen. Mos harrojme qe nuk jemi ne vitet 90′ dhe ka nje lodhje dhe mosbesim me nderkombetaret dhe nje urrejtje te pakonsumuar per oligarket.Une pres qe Berisha te shkoje pertej cic-miceve partiake ne kete fushate dhe te krijoje profilin e ri te se djathtes dhe opozites shqiptare, nje levizje populiste qe thekson pabarazine e skajshme, qe i shpall lufte oligarkise dhe monopoleve ( shikoni si eshte konkurrenca ne 2 nga tregjet kryesore ne Shqiperi pas ardhjes se Rames, telefonia dhe bankat) dhe qe denoncon hapur projektet e demshme te nderkombetareve per kete vend. Beteje e madhe gjithashtu kunder emigrimit dhe tendencave per zevendesimin e popullsise. Plakja e popullsise, zhbalancimi gjinor ne universitetete dhe shume ceshtje te tjera per te cilat nuk flitet por qe kane rrezatim pertej elektoratit te djathte. Ne kemi cdo arsye per te krijuar nje levizje populiste te sukseshme. Berishen e ben pariah pas 30 vjetesh ne main stream. Ndoshta eshte gje e mire per demokracine.

  2. Pra detyra e Berishës qenka të luftojë për të heqë Lulin dhe për ta zevëndësuar me një lul të ri.

    Mesa e njoh personalisht politikën 30 vjeçare, megjithë të metat që ka Berisha, mbetet politikani më me integritet nga të gjithë liderët politikë. Nqs kjo është e vërtetë atëherë pse mos të jetë në krye të PD. A ka qenë më i mirë Nano, a është më i mirë Rama? Njerëzit që do të kërkojnë heqjen e Lulit nuk besoj të mbështesin Berishën, për të vendosur një Lul tjetër, por vetëm Berishën. Personalisht nuk shoh absolutisht asnjë figurë politike jo në PD. por as në Shqipëri të krahasohet me Berishën, Meta është më afër Berishës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *