• |
ide | kryesore

Zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë, Lajçak viziton Kosovën

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, këtë të mërkurë do të vizitojë Kosovën për të diskutuar në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut dhe procesin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.


Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka bërë me dije se vizita e tij do zgjasë 2 ditë ku pritet që të takohet me udhëheqës politikë, parlamentarë, komunitetin ndërkombëtar, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mediave, si dhe të rinj.


Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen disa ditë pas raundit të ri të bisedimeve që u zhvilluan në Bruksel në nivel të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

Pas përfundimit të takimit trepalësh (Kosovë-Serbi-BE) më 8 shtator, Lajçak pati thënë se nuk ka përafrim të qëndrimeve nga ana e palëve.

“Pozicionet në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Na pret punë e madhe në të ardhmen”, shkruante në Twitter.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovië, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu