• |
ide | kryesore

“Shënuam 5, morëm 3 e Teuta nuk të lejon kurrë kaq gola”: Brdaric i shqetësuar nga ç’mund të ndodhë në Loro Boriçi

-Instant, Sport



Një mundësi revanshi e dhënë shumë shpejt në kohë, por edhe një përballje direkte për tu fituar, që mund të thotë shumë më tepër në cështjen titull se një fitore në javën e dytë të kampionatit. Vllaznia duhet të provojë se Superkupa ishte një rastësi e ka mundësinë ta bëjë këtë në Loro Borici, përballë publikut të saj. Teuta është skuadra për tu mundur e Thomas Brdaric, tekniku i kuqebluve e ka të qartë e për tia arritur qëllimit i përdor të gjitha: mbështetjen e tifozëve dhe vënien në sedër të të tijve. “Të gjithë mezi po e presim këtë ndeshje dhe jemi gati – tha tekniku gjerman -. Të gjithë janë të inkurajuar për të dhënë kontributin e tyre dhe për t’u përmirësuar. Kjo është një thirrje edhe për tifozat tanë, duam që të jemi gati në çdo lloj mënyre të mundshme. Kemi vetëbesim dhe jemi në rrugën e duhur. Kemi një dëshirë mjaft të madhe për të marrë 3 pikët. Përvoja të kaluara si ajo e ndeshjes së fundit me Teutën në Superkupë, janë përvoja që dhembin, por ne do të përpiqemi të mësojmë sa më shumë nga to”.

Të dy skuadrat e kanë nisur me fitore, duke ruajtur madje filozofinë e shfaqur që në sezonin e kaluar. Vllaznia mbetet një skuadër offensive, e përligjur me 5 gola në Lac, por teknikun gjerman e shqetësojnë tre golat e pësuar, shumë nëse konsiderohet se durrsakët pikën e fortë kanë pikërisht kundërsulmin. “Kemi biseduar me lojtarët për ndeshjen e kaluar dhe jemi mjaft të kënaqur që shënuam 5 ndeshje. Megjithatë kemi folur edhe se si i pësuam 3, mendoj se kemi qenë mjaft të përkushtuar gjatë stërvitjes së kësaj jave dhe jemi stërvitur mirë – shpjegoi Brdaric -. Synojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv. Fitorja ndonjëherë arrihet edhe me 1 gol, nuk i dihet kurrë, sepse varet edhe si shkon ndeshja. Ne si Vllazni, jemi një ekip ofensiv. Ne nuk duam të ndryshojmë parimet dhe bazat tona në lidhje me këtë gjë. Mendoj se dhe tifozët identifikohen më këtë lloj loje që ne bëjmë, dhe e shikojnë veten e tyre aty”.

Një javë e rëndësishme në Superiore, e dyta e kampionatit, që do të startojë të gjitha me një minutë heshtje në nderim të mjekut fizioterapist të Kombëtares, Ylli Mihali, i cili u nda nga jeta pak ditë më pare, pas një beteje të gjatë me Covid-19 në moshën 55-vjeçare.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *