• |
ide | kryesore

10 rezultate pozitive që mund të sjellë takimi Rama-Kurti

-Instant, Blog

Situata në Ballkan është sërish e tensionuar, duke na kujturar se pa drejtësi nuk ka qetësi. Pas incidenteve në Mal të Zi dhe tensioneve të vazhdueshme në Bosnje Hercegovinë, të shkaktuara nga Serbia, tani vëmendja është përqëndruar te kufiri Kosovë-Serbi, ku Qeveria Kurti ka vendosur me të drejtë të zbatojë masat e reciprocitetit në lidhje me targat provizore. Sakaq, prej dy vitesh, Qeveria Rama e ka futur Shqipërinë në “Ballkanin e Hapur” – Zona e Novi Sadit e dominuar nga Serbia. Pandemia nuk është zhdukur dhe dy republikat shqiptare vazhdojnë të vuajnë nga nivelet më të larta të varfërisë dhe pabarazisë në rajon. Megjithatë, këto 6 muaj kemi parë masa pozitive ekonomike dhe shumë shpresëdhënëse nga Qeveria Kurti. Në mes të kësaj situate, po përgatitet takimi Rama-Kurti. Le të përfytyrojmë 10 rezultate të dobishme që mund të dilnin nga ky takim, ashtu siç na e do zemra, ashtu siç e kërkojnë interesat kombëtare:


1. Dy kryeminstrat flasin njëzëri për të dënuar kërcënimet e Serbisë në kufirin verior të Kosovës, duke mbështetur zbatimin e masave të reciprocitetit si rruga e vetme për të vendosur marrëdhënie barazie me Serbinë. Me këtë rast, KM Rama tërhiqet nga çdo marrëveshje që lidhet me “Ballkanin e Hapur” dhe dy kryeministrat zotohen të përafrojnë, drejt njësimit, politikat e jashtme të dy republikave shqiptare në përputhje me interesat kombëtare.


2. Hidhet poshtë njëzëri tentativa e Serbisë për të themeluar “Zajednicën” (Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë), një shtet brenda shtetit që e defunksionalizon Kosovën ashtu si “Republika Srpska” (që nisi si “Zajednicë”) defunksionalizon Bosnje Hercegovinën. Sakaq, KM Kurti kërkon dhe KM Rama miraton ngritjen e një grupi pune ndërshtetëror për përgatitjen dhe dorëzimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

3. Denoncohet njëzëri spastrimi etknik që Serbia po kryen ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, duke u zotuar për hapa që ndërmerren me urgjencë për ta paraqitur çështjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare që monitorjnë të drejtat e pakicave kombëtare. Njëkohësisht, dy kryeminstrat zotohen që të ulen së bashku me partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi për një platformë që mbron të drejtat e shqiptarëve.

4. Miratohen në parim hapat për një strategji të përbashkët në përballjen me pandeminë COVID-19 dhe bashkëpunim i ngushtë i të gjitha institucioneve shëndetësore të dy republikave shqiptare.

5. Miratohet një dokument që nis punën drejt bashkimit doganor, duke eliminuar çdo tarifë dhe barrierë jo tarifore për realizimin e tregut të përbashkët të prodhimit, mallrave dhe shërbimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për funksionalizimin e tregut të përbashkët energjitik dhe projekte infrastrukturore të përbashkëta (rrugë lidhëse e hekurudha).

6. Miratohet ngritja, sa më parë, e grupeve të përbashkëta ndërparlamentare dhe ndërqeveritare për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, si dhe për marrëveshje të reja në të ardhmen.

7. Si dy kryeministra që drejtojnë parti që bëjnë pjesë në forumet ndërkombëtare të partive social-demokrate, do të ishte domethënëse nëse KM Kurti ia kujton edhe njëherë KM Rama se Shqipëria është e Kastriotit dhe jo e Kastratit, duke i propozuar që Kosova dhe Shqipëria të ngrejnë një kompani publike të përbashkët për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” dhe akseve të tjera kombëtare, për të mos pasuruar edhe më tej oligarkinë që ka kapur sektorët strategjikë të ekonomisë dhe ka rritur pabarazinë.

8. Për të luftuar varfërinë, si masë lehtësuese, dy kryeminstrat zotohen që brenda këtij mandati dy republikat shqiptare të sansksionojnë me ligj minimumin jetik, në përputhje me përkufizimin e agjencive të OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe sipas kostove socio-ekonomike dhe shportës ushqimore. Përcaktimi i minimumit jetik ndikon tek rritja e pagës minimale, pensioneve, ndihmës ekonomike dhe mirëqënies sociale, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe Shtyllën Evropiane të të Drejtave Sociale.

9. Dy kryeminstrat zotohen për një doktrinë të përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë të dy republikave shqiptare me stërvitje të përbashkëta policore dhe ushtarake.

10. Vendoset për hapat për njohjen e diplomave për të gjitha nivelet arsimore, pa patur nevojë për njësime dhe procedura shtesë. Përafrimin e kurrikulave të arsimit të detyrueshëm, dhe përfshirjen në kurrikulat e arsimit të mesëm të ekskursioneve edukative nga gjimnazet e Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, dy kryeminstrat zotohen për hapa konkretë drejt bashkimit të ligës së futbollit dhe të ligave të tjera sportive.

3 Comments

  1. Duhet te perfundoje dhe nuk duhet te perseritet me,per asnje arsye dhe askend, lufta e ftohte “Rilindje-Kosove”,qe ndodhi per jave te tera, si pasoje e turrit per Minishengen te Rames, dhe fteses per Bregovicin, (qe ne pamje te pare nuk ishte e keqja me e madhe) por qe demi me i madh dhe qe la gjurme, ishte, urdheri per te mbrojt me devotshmeri dhe kokefortesi Bregovicin me cdo cmin(qofte edhe duke u percare lehtesisht me vellezerit andej kufirit, per nje Bregovic e nje Minishengen. Ajo lufte ku u perfshine ne nje ane,kolektivisht ,te gjithe servilat, patrozhanistet, analistet sahanlepires,dhe natyrisht edhe antikosovaret e papermisueshem(te llojit te Frrok Cupit-lloj i spiunave serb te kahmotshem) ,dhe ne anen tjeter persona nga ana tjeter e kufirit,”analiste” te llojit Halil Matoshi, qe iu duk se i erdhi koha per ta realizu projektin e tij te “kombit kosovar”,projekt qe kur e nisi disa vite me pare,i,deshtoi,por qe tani po shfrytezonte terrenin e ri te krijuar per ta vazhdu projektin e vjeter. Natyrisht edhe Halil Matoshi, ashtu sikurse Frrok Cupi (qe 99% te antikosovarizmit e shpreh si nje komentues anonim), nuk doli me emer mbiemer(tek ai portali ku mblidhen antikombetaret,qe e vizitova disa here ato dite),, por me disa nickname si “Prishtine/PRistinanium/Agon” e te ngjashme, (e per te heq gjurmet, na hiqej si i perhrahes i VV, apo si nje cun i ri). Pra ajo lufte beri dem.Nuk dihet te perseritet.Kjo qe thote Bojkeni ,eshte per te miren e perbashket, eshte per interesin kombetar, por kam frike se do mbetet thjeshte “ideale”,pasi qe fajtori i gjithe kesaj situate nuk terhiqet kollaj nga kokefortesite e tij kozmopolitanase.Sidoqofte urojme te kete reflektuar. Ashtu sic Kurti e ruajti qetesine, dhe nuk ra ne te njejtin nivel dhe te kudnersulmonte , as hapur dhe as fshehtas, kur po sulmohej aq neveritshem nga ai kolektive qe permenda me siper, edhe sot, jam i sigurte qe per hir te interesit kombetar, e mirepret Ramen dhe do beje cdo gje qe con ne perafrim mes Shqiperise dhe Kosoves. Topi eshte ne fushen e Rames

  2. Me peqleu dhe pika 10. Ekskursionet. Ne Kosove ka vite qe edhe me ligj,pervec se me deshire, te gjithe maturantet shkojne 1 here ne vite dhe vitizojne qytete kryesore te Shqiperise,bile e shkelin kete ligj,sepse nuk e lene vetem me nje here, por me shume. Fatkeqesisht nga Shqiperia kjo behet vetem ne iniciativa private te njerezve patriote ,dhe jo me organizime nga shkollat. I vetmi politikan qe u ka bere nje thirrje te sinqerte te gjithe vlonjateve te vizitojne Kosoven ka qene Dritan Leli, nje njeri fisnik dhe patriot,dhe qe per kete arsye kam nje respekt te madh per te. Te jeni te sigurte qe ai qe viziton Kosoven, ka shume me pak shanse qe te behet antikosovar ne jeten e tij,prandaj vizitat tek njeri tjetri na lidhin edhe me shume.

  3. Te gjitha ketyre, dhe kenge me ciftelia. Shqipetaret gjithehere me vonese, keto pika ne menyren deshirore por asnje nuk eshte e vertete. Keto jane genjeshtrat e VV.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu