• |
ide | kryesore

Nuk ka fituar asnjë ndeshje, habit Daja: “Ajo që më pëlqen është se lojtarët kanë mentalitet fituesi”

-Instant, Sport



“Është evidente fakti që kur kemi forca të shumta afër topit, dorëzojmë edhe pasimin më të thjeshtë. Na kushton energji, dhe ndërtimin e sulmit nga poshtë. Mundesh ta dorëzosh topin, por jo në gjendje kur je pa presion. Ajo që më pëlqen është se lojtarët kanë mentalitet fituesi dhe lojtarët e kanë treguar pavarësisht rezultatit”. Ilir Daja i jep lojtarëve të tij atë që në fakt deri tani kanë treguan se nuk e kanë. Partizani ndalet në një tjetër barazim dhe në tre ndeshjet e para nuk kanë provuar ende shijen e fitores. Madje të kuqtë kanë falur gola e kanë pësuar situata që vetëm mentalitet fituesi nuk kanë treguar. “Na bën entuziast fakti që ekipi ka një kondicion të mirë, dhe po përmirësohen. Kemi një grup lojtarësh të ri, që një pjesë janë nën 21 vjeç, do të evidentoja Rrapajn”.

Nga ato që evidenton vetë tekniku, Partizani ka probleme në të gjithë repartet. Me Hoxhën që ka bërë tre gafa penalizuese në tre ndeshje e një sulmi që ka shënuar dy gola në tre ndeshje, një nga të cilët me penallti, nuk shpëtojnë as mesfushorët e aq më pak mbrojtësit. “Pres më shumë nga Kardozo, por minutat që kishte Filipoviç në dispozicion ishin për arsye shëndetësore si pasojë e një gjendje virusale”, tha tekniku. “Nuk kemi akoma një mbrojtje të konsoliduar, sepse po të shikohet me situatat që krijohen nga ekipet kundërshtaret ne pësojmë gol”.

Një mendim edhe për Kaçen, që i shkoi pranë golit me një goditje dënimi, por ende nuk po jep atë që shpresonte Partizani: “Sigurisht që Kaçe ka akoma për të dhënë, ka potencialin, natyrshëm me përmirësimin e gjendjes fizike do ta ndihmojë ekipin. Po rritet nga ndeshja në ndeshje, që nga ajo me Teutën, si dhe sot. Ishte prezent në lojë dukë ndërtuar dhe duke i ndryshuar lojën”, përfundoi tekniku.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *