• |
ide | kryesore

Rama në Prishtinë/ A do të kërkojë falje për portretin e rremë që i vizatoi Vuçiçit?

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Prej vitesh Edi Rama u përpoq t’ua vizatojë shqiptarëve portretin e presidentit të Serbisë me ngjyra të hapura si e ardhmja, jo të zymta siç ka qenë e shkuara. Kur Vuçiç hipën mbi skenën e Ballkanit të Hapur bashkë me Edi Ramën, ai flet për heqjen e kufijve që pengojnë zhvillimin, për të mirat që sjellin kamionët kur lëvizin pa barriera doganore, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të shërbimeve në mënyrë që ekonomia të lulëzojë dhe e ardhmja të jetë më e begatë në Ballkan. Dhe si noter i qëllimeve paqësore, presidentit serb i ka qëndruar gjithnjë Edi Rama. Nuk mund të kishte përdorur Vuçiç vizatues më të mirë se Rama për imazhin liderit modern.

Aq është munduar Rama ta modifikojë portretin e ish-zëdhënësit të Millosheviçit, saqë në dhjetor të 2019 e çoi në Durrës, kur në rrënojat e tërmetit tragjik mbetën të vdekur disa dhjetëra viktima. Sfondi ishte perfekt për të dhënë prova mbi dhembshurinë e presidentit serb në raport me shqiptarët. Mes pallateve të dëmtuara nga tërmeti, Vuçiç u shfaq solidar me tragjedinë që kaploi Shqipërinë asokohe.

Dhe ndërsa reklamonte idenë e minishengenit për një Ballkan të Hapur përkrah Ramës, u duk sikur Vuçiçi kishte lënë pas ndarjen shekullore që provokonte e shkuara e luftës, e pastrimit etnik, e shkuara e përdhunimeve dhe varreve masive.

Këto fjalë të fundit i shkonin për shtat retorikës së politikanëve të Kosovës, kur pyeteshin për Ballkanin e Hapur. Që nga Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Albin Kurti, ata i mëshuan faktit se Serbia nuk e njihte shtetin e Kosovës, se serbët nuk kishin kërkuar falje për vrasjet masive dhe se Vuçiç nuk bënte asnjë përpjekje për kërkesat e familjarëve të të zhdukurve që kërkonin një varr për të afërmit e tyre, vrarë në luftë.

Ngjyrat që përdorën ata për të portretizuar Vuçiçin, ishin të tjera nga ato të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës. Tregonin se ai kishte qenë zëdhënës i Millosheviçit, se në prapaskenë Serbia nuk e kishte ndalur fushatën për mosnjohjen e Kosovës dhe se nuk mund të bëheshin pjesë e një projekti të inicuar nga Vuçiç, thjesht se ky kishte përqafuar përkohësisht një ide si ajo e Ballkanit pa kufij. Dilema mes Vuçiçit që shihte Rama dhe atij që shihnin politikanët e Kosovës është zgjidhur këto ditë me situatën e re të krijuar në veri të Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi detyrimit për vendosjen e targave të përkohshme për mjetet e Serbisë që hyjnë në Kosovë, ka dalë në skenë një Vuçiç tjetër. Ai e ka zhveshur kostumin modern të liderit paqësor, atë që bashkë me Ramën e qepën me shumë mundim, dhe është armatosur me retorikën e luftës.

I ka shndërruar pikat kufitare të Jarinjës dhe të Bërnjakut në dy vatra të nxehta të konfliktit në Ballkan. Fillimisht i bllokoi dy pikat kufitare me ekstremistë të gatshëm të përshkallëzojnë situatën përballë forcave special të Kosovës. Pastaj urdhëroi vendosjen e tankeve në kufi dhe fluturimin e avionëve dhe helikopterëve në hapësirën kufitare me Kosovën. Dy pikat të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan janë djegur gjatë natës.

“Serbia provon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marr përmasa rajonale. Derisa, presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale. Prandaj, provokimet të tilla, përfshirë edhe veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta këto dy dekada”, ka qenë komenti i Albin Kurtit për situatën në veri.

“Të gjithë papritmas shqetësohen kur shohin helikopterë dhe aeroplanë serbë në Serbinë qendrore, sepse ata nuk duhet të ekzistojnë, ose nuk duhet të ngrihen derisa (Albin) Kurti ose dikush nga bashkësia ndërkombëtare ta miratojë këtë”, ka thënë presidenti serb në një telefonatë me shefin e NATO-s Stoltenberg, ndërsa vartësit e tij kanë bërë deklarata akoma më provokuese që nxisin konliktin e armatosur.

Kostumin e politikanit paqësor të begatisë dhe prosperitetit, Aleksandër Vuçiç përfundimisht e ka zhbërë në situatën e re të krijuar në veri të Kosovës. Në anën tjetër të kufijve që ai dhe Rama kërkonin t’i hiqnin, tani qëndrojnë tanket dhe ushtarët serbë.

Për këtë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pasur vetëm një mesazh të shkurtër në Twitter, në të cilin këshillon që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”. Pjesën më të ashpër të reagimit, ia la Olta Xhaçkës së Ministrisë së Jashtme, e cila kërkoi tërheqjen e tankeve nga kufiri në veri të Kosovës.
Të hënën, kryeministri i Shqipërisë do të jetë në Prishtinë. Nëse nuk arrin të artikulojë dot një akuzë apo një thirrje për mikun e tij Vuçiç në situatën e krijuar në veri të Kosovës, atëherë mbetet për t’u parë, nëse do të kërkojë falje, që e ndihmoi presidentin serb të ndërtonte imazhin e rremë të liderit paqësor të Ballkanit./Lapsi.al



9 Comments

  1. Them se po. Do të kerkoj falje. Për këtë po shkon në Kosovë. Për të kërkuar falje, që e ka quajtur Vuqiqin, burrë të mirë….

  2. Tani qe Lideri Global do shkoje ne Kosove gjithcka do rregullohet.Ai nuk rregullon dot HALEN tone se eshte shume e vogel por po qe per rajonin dhe me gjere ai i rregullon ne moment.Ah sikur te kisha dy bythe…

  3. Akuzon Lulashin,
    se po komploton,
    por në fakt Saliu,
    Ramën po ndihmon!

    Ramën po ndihmon,
    ky plak krejt i marrë,
    PD-në që do fort,
    duke e përçarë!

    Me ato që ndodhin,
    sot në kampin blu,
    kush është pro Berishës,
    është njeri pa tru!

  4. Berisha kishte parashikuar rezistence dhe dorëheqje nga Basha, si dhe çdo kryetar, që do ta pasonte atë, për t’i shkuar deri në fund shpërdorimit vetjak, që ai do t’i bënte PD-se, në një karshillëk të tillë “vetëvrasës” me SHBA-të. Pikërisht ky është antiheroizmi si tipar dallues i Berishës dhe që e përcakton përfundimisht atë, si politikanin më të poshtër të kësaj epoke post komunizëm. Berisha po kërkon hapur dhe me këmbëngulje sakrifikimin e të tjerëve për të. Berisha nuk ka qenë hero. Kurrë nuk mund të gjejmë një sakrifikim sado të vogël në funksion të vendit të tij

  5. Sali Berisha pas shpalljes “non grata” nga SHBA dhe perjashtimit nga grupi parlamentar i PD, ka dale ne terren duke takuar bazen e partise dhe kerkuar “kokën” e Bashes, per ta rrezuar nga kryetar i PD.

    Prandaj thone qe “halli hallit nuk i ngjan”, ku halli i Sali Berishes qe kerkon te shpetoje koken e vet dhe familjes, ku halli i nuses se djalit te tij qe ka problem zgjedhjen e bikinive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *