• |
ide | kryesore

Video/ Teuta, fitore me përmbysje e vend i parë: kampionët i shkaktojnë Kukësit humbjen e parë

-Instant, F1, Sport, Video



Pas barazimit një javë më parë, Diego Longo dhe Kukësi i tij provojnë edhe humbjen e parë në javën e katërt të Superiores. Blutë kanë dështuar në provën më të vështirë, atë kundër kampionëve në fuqi të Teutës, duke u thyer 2-3 në një ndeshje plot befasi e përmbysje rezultati. Gjithcka u vendos në pjesën e parë, kur u shënuan të 5 golat, ndërsa 2 kartonët e kuq, penalltia dhe goli i anulluar vetëm sa e bënë më vibruese sfidën.

Skuadra e Martinit mori një avantazh gati blitz me Aleksin në minutën e 7, por po aq e shpejtë ishte edhe përgjigja e Kukësit, që barazoi rezultatin në të 12 me Correira. Një reagim që Teutën e goditi dhe që i dha mundësinë Kukësit të ekzaltonte aftësitë në zotërimin dhe qarkullimin e topit, sipas filozofisë së Longos. Tekniku italian u duk se mori kreditet e zgjedhjes së tij kur në minutën e 27 VAR sinjalizoi një penallti në favor të verilindorëve, për prekje me dorë të Xheksonit brenda zonës. Taipi kompletoi përmbysjen, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë, por Teuta nuk hoqi dorë nga ndeshja, madje aty u zgjua.

Sebino Plaku barazon rezultatin pas 5 minutash, duke kthyer qetësinë tek Martini, që pa skuadrën e tij të jetë cinike, agresive dhe efikase përpara. Goli i tretë, ai i përmbysjes vendimtare, erdhi një minutë nga pushimi, kur Koubemba shënoi me portën bosh, duke dënuar kuksianët në humbjen e parë sezonale.

Tentoi ta ndryshonte këtë gjë Longo dhe të tijtë, por në minutën e 55′ fetën e brazilianit Correira, e prishi pozicioni jashtë loje i kroatit Edi Basha. Dy skuadrat e mbyllën sfidën me 10 lojtarë, pasi në minutën e dytë shtesë Gjelbërim Taipi dhe Asion Daja u ndëshkouan me karton të kuq nga arbitri Juxhin Xhaja. Teuta ngjitet në kuotën e 8 pikëve, duke u bashkuar me Tiranën në krye të klasifikimit, ndërsa Kukësi mbetet i treti një distancë larg.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *