• |
ide | kryesore

Duhen dy fitore, Reja ka marrë 11 mbrojtës: “Kam marrë dy lojtarë për çdo rol të fushës”

-Instant, Sport, Video



Dy ndeshje vendimtare për kualifikueset e Botërorit, kundër Hungarisë e Polonisë, në të cilat duhen dy fitore për të tentuar ëndërrën e prezantimit për herë të parë në histori në finalet e një kampionati Botëror. E megjithatë, për të përmbushur këtë mision, kundër dy rivalëve direktë, tekniku Edoardo Reja ka grumbulluar 11 lojtarë difensivë: “Më duhet gjithmonë të bëj zgjedhjet e mia, po të shikoni listën do të vini re se kam marrë dy lojtarë për çdo rol të fushës, kështu që nëse bëni llogaritë, nuk është ndonjë numër i ekzagjeruar – u justifikua italiani -. Kam tre lojtarë që luajnë në qendër, si zakonisht. Por kam marrë gjashtë në këtë rast, ka ardhur edhe Dermaku që është rikuperuar, pasi ka munguar në ndeshjet e kaluara”.

Një këndvështrim ndryshe i italianit që ka thirrur edhe lojtarë me një gjendje jo optimale fizike e pikërisht për këtë ka zgjeruar listën e emrave, për të mos rrezikuar asgjë: “Tashmë e ka kaluar dëmtimin dhe po rikuperohet, ashtu sikurse Veseli që ka pasur probleme fizike dhe jam shumë kurioz t’i shikoj gjatë javës, në çfarë gjendje janë dhe pastaj të bëj vlerësimet e mia. Kam marrë Balliun, i cili po bën shumë mirë me klubin në La Liga në Spanjë, është një lojtar që e kam ndjekur dhe mund të na vlejë shumë për të ardhmen”.

Vendi i dytë është synimi për të tre kombëtaret e përfshira, me Anglinë që bën një fushatë më vete. Nëse kundër Hungarisë edhe një barazim mund të mos jetë penalizues, kundër polakëve është e domosdoshme fitorja: “Anglia është skuadra më e mirë në grupin tonë dhe thuajse e ka të sigurtë kualifikimin për në Botëror. Duhet të kemi shumë kujdes Poloninë, që për momentin është rivali ynë kryesor. E rëndësishme është që shanset që ne kemi për të arritur në play-off varen nga ne, pasi jemi aktualisht të dytët dhe e kemi ne në dorë. Nëse e mundim Poloninë, jemi në rrugë të mbarë, por aktualisht Shqipëria, Hungaria dhe Polonia, kemi shanse të njëjta për të arritur në fazën play-off. Jemi në kondicionin e duhur për të arritur këtë objektiv. Gjithçka varet nga ne”.

https://youtu.be/UBZXQ7fLxkA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *