• |
ide | kryesore

Në gjyqin e Salih Mustafës/ Dëshmitari tregon torturat dhe si i urinuan kur kërkoi ujë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një dëshmitar i mbrojtur tha në gjyqin e Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën se ai u mbajt për 17 ditë në një stallë lopësh në fshatin Zllash, rreth 30 kilometra në lindje të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, gjatë luftës në 1999.

Dëshmitari tha se ishte rrahur deri sa kishte humbur ndjenjat dhe më pas personat që e kishin kapur “më kanë kap nga krahët më kanë ngreh zhag dhe më qitën jashtë më quan në ahur-stallë të lopëve”.

“Në atë ahur kam ndejt 17 netë, në ditën e 18 jam liruar, aty kanë ndodh çdo ditë tortura, dhe vetëm kemi prit kush po vjen mem qu nalt e mem rre, kaq më kujtohet”, tha dëshmitari.

Ai tha se e kishin keqtrajtuar me rrymë elektrike dhe se ushtarët i kishin urinuar sipër në dy raste.

“M’i lidhshin telat në dy këmbët dhe e lëshonin rrymën”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se “seksualisht nuk jam abuzuar por ata kanë urinuar në mua sa kam qenë në bodrum kur kam kërkuar ujë. Erdhën 2 ushtarë dhe më rrahën më shtrinë për toke dhe më urinuan e më thanë: qe uji’”.

Mustafa akuzohet për përfshirje në vrasje, tortura, trajtime mizore dhe arrestime arbitrare gjatë luftës së Kosovës në prill 1999 në një kompleks paraburgimi të drejtuar nga UÇK-ja në Zllash, i cili thuhet se drejtohej nga një njësi që ai komandonte.

Ai dyshohet se ka kryer krime kundër të burgosurve të akuzuar nga luftëtarët guerilë si bashkëpunëtorë me serbët armik ose për mos mbështetjen e kauzës së UÇK-së.

Dëshmitari i mbrojtur i tha gjithashtu gjykatës të hënën se të ndaluarve në Zllash u sillnin ushqim “një herë në dy deri në tre ditë”, të cilin ata e ndanin me njëri-tjetrin. Ai kujtoi sesi të burgosurit kishin vetëm tre batanije dhe ca kashtë për të fjetur.

Ata nuk u lejuan të përdorin tualetet në qendrën e paraburgimit dhe nuk kishin as një kovë për ta përdorur në vend të kësaj.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të kryera gjatë luftës për rezistencë të forcës guerile 1998-1999 kundër sundimit shtypës të udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç.

Ato janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por janë të vendosura në Hagë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar. Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte aq i fortë sa të gjykonte rastet e UÇK-së dhe të mbronte dëshmitarët nga ndërhyrja.

Por e ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirim.

Gjyqi vazhdon.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *