• |
ide | kryesore

Intervista/ Rama shpjegon “moskokëçarjen” për refuzimin e negociatave

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Refuzimi i radhës i Bashkimit Europian për të çelur negociatat me Shqipërinë u përcoll me normalitet nga kryeministri Edi Rama, përgjatë takimit mes europianëve dhe drejtuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Fatura e dështimit iu la vetos së Bullgarisë, që nuk i ka tejkaluar shqetësimet për shtetasit me kombësi bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Vetë Rama u shfaq në takim pa asnjë iluzion se diçka mund të ndryshojë nga ky samit, madje nuk bëri asnjë përpjekje që kjo të ndodhë. Në materialin që përcolli nga kanali privat në Facebook, Rama dukej teksa bënte humor me kryeministrin e Holandës Mark Rute për hyrjen në takim, apo ndërsa bisedon me presidentin e Francës, Emanuel Makron. Në “foton e ditës” që publikoi në Facebook ishte sërish i qeshur, ndërsa luanin dhe shtyheshin bashkë me Rute në nisje të samitit.


Që do të shfaqej në Brdo si një turist indiferent për refuzimin që i bën rregullisht Bashkimi Europian e paralajmëroi në një intervistë në El Pais, ku shprehej “Ajo që ndodh në Bruksel nuk varet nga ne as nuk më shqetëson mua. Unë nuk jam pesimist, por nuk dua të humbas më energji duke u ankuar”.

Por çelja e negociatave nuk është një vendim i parëndësishëm për qeverinë shqiptare. Lajmin e mirë nga Europa, kryeministri e ka pritur me padurim vitet e shkuara, madje ka sajuar edhe festa të rreme, që vetë i ka krahasuar më pas me “dasmat, ku krushqit nuk erdhën kurrë”.

Lexo edhe: Historia e negociatave/ Pse “dasmat pa krushq” nuk e fshehin dot më dështimin

Lexo edhe: Krahasimi/ Kur Rama e konsideronte si “vdekje” moshapjen e negociatave këtë qershor

Dështimi me negociatat është përsëritur 7 herë radhazi në të shuarën. Premtimin e parë për çeljen e negociatave, Rama e ka artikuluar në fushatën e vitit 2013, para se të fitonte mandatin e parë qeverisës.

Madje edhe sot, në intervistën që dha për median spanjolle, kryeministri i Shqipërisë përsëriti pa asnjë dyshim se “Evropa është zgjedhja jonë dhe feja jonë”.

Por pavarësisht këtyre, sjellja moskokëçarëse e Ramës e ka një shpjegim dhe këtë ai e ka shpjeguar vetë në të njëjtën intervistë në El Pais, kur thotë: “Për ne është më mirë të mos presim, sepse kur prisni, duhet të ndjeni turpin e refuzimit”.

Me pak fjalë, indiferenca nuk është një rastësi, por Rama është i dënuar të bëjë gallatë në këto takime ku i duhet të shfaqet si turist, sepse vetëm kështu mund të shmanget “turpi i refuzimit” jo për herë të parë apo të dytë, por për herë të tetë./Lapsi.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *