• |
ide | kryesore

Anglia përballë Hungarisë që nuk fiton nga viti 1962: sa i shërben Shqipërisë kualifikimi i Tre Luanëve

-Instant, Sport



Anglia sheh pranë kualifikimin direkt për në Katar 2022. Të besuarit e Gareth Southgate janë në krye të Grupit I me katër pikë larg Shqipërisë, që është momentalisht në kuotën 15. Me tre ndeshje ende për tu luajtur, qëllimi është afër për Tre Luanët, të cilët megjithatë nuk mund të bëjnë hapa të gabuar, me rrezikun për të vënë në pikëpyetje gjithçka. Edhe për faktin se ndeshja kundër Shqipërisë është programuar për raundin e parafundit. Këtu, atëherë, ndeshja kundër Hungarisë është vendimtare për finalistët e Euro 2020, me Shqipërinë që pret Poloninë, -1 nga ekipi i Edy Rejas.

Raundi tjetër mund të jetë një pikë themelore në grupin I. Anglia vjen nga fitorja e thjeshtë në fushën e djegur të Andorras: 5-0 falë golave të Chilwell, Saka, Abraham, Ward-Prowse e Grealish. Një sukses i ardhur pas barazimit në fushën e Polonisë, në 8 shtatorin e kaluar. Hungaria ndërkohë vjen nga humbja në shtëpi pikërisht kundër Shqipërisë, rezultat që rrezikon të jetë vendimtar për ta në renditje: vendosi goli i Brojas në fund. Formacioni i drejtuar nga Marco Rossi është në vendin e katërt, në kuotën 10 pikë: -9 nga Anglia e -5 nga Shqipëria. Fitorja e Anglisë mund ti kthehet e dobishme në një farë mënyrë Shqipërisë, nëse kuqezinjtë barazojnë me Poloninë. Në këtë situatë, britanikët do ishin të kualifikuar 6 pikë mbi kuqezinjtë dhe kjo do të bënte që në ndeshjen direkte të besuarit e Southgate të mos kishin detyrimin e pikëve. Një ‘favor’ modest, por që mund ta bënte teknikun e Tre Luanëve të thërriste lojtarë për tu provuar në ndeshjen me kuqezinjtë, që në atë rast do të kishin detyrimin e fitores.

Anglia dhe Hungaria janë përballur 23 herë në historinë e tyre, duke marrë parasysh edhe ndeshjet miqësore. Siç pritej, bilanci është qartë në favor të britanikëve: 16 fitore dhe pesë humbje, me vetëm dy barazime. Në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve, skuadra e Southgate fitoi me një rezultat të pastër 4-0 më 2 shtator: shënuan Sterling, Kane, Maguire dhe Rice. Janë tre fitoret radhazi për anglezët kundër Hungarisë, duke marrë parasysh edhe miqësoret në vitin 2006 dhe 2010. Por një statistikë domethënëse është ajo e fitores së fundit hungareze kundër britanikëve: 2-1 më 31 maj të vitit 1962 në Kupën e Botës. Dhe të mendosh se kjo ishte fitorja e katërt radhazi dhe e pesta në gjashtë ndeshje për magjarët: që atëherë 14 ndeshje pa fitore për Hungarinë kundër Anglisë, me 12 humbje dhe dy barazime.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *