• |
ide | kryesore

BE akordon një miliard euro ndihma për Afganistanin

-Instant, Lajme, Planet



Bashkimi Evropian do të ndajë një ndihmë prej një miliardë eurosh për Afganistanin. Paketa financiare do të shërbejë për të shmangur një “kolaps të madh humanitar dhe socio-ekonomik”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo zotimin e bëri në një samit virtual të G20-ës për situatën humanitare dhe të sigurisë në Afganistan. Në këtë shumë përfshihen edhe 300 milionë euro të cilat BE-ja më herët i kishte ndarë për nevoja urgjente humanitare. Me organizimin e Italisë, udhëheqësit e 20 vendeve më të industrializuara po diskutojnë të martën përmes një samiti virtual për Afganistanin.

Një pjesë e mjeteve të BE-së do të shkojnë edhe për vendet fqinje të Afganistanit të cilat strehojnë afganët që ikin nga sundimi taliban. Sipas shefes së BE-së, paratë do t’iu ndahet organizatave ndërkombëtare që punojnë në terren dhe jo qeverisë së udhëhequr nga talibanët.

Brukseli nuk e njeh këtë Qeveri. “Ne i kemi bërë të qarta kushtet tona për ndonjë angazhim të mundshëm me autoritetet afgane. Ndër to është edhe respektimi i të drejtave të njeriut. Deri më tani, raportet flasin vetë. Por, populli afgan nuk duhet të paguajë çmimin e veprimeve të talibanëve”, tha von der Leyen.

 

 

Disa vende të BE-së janë të shqetësuara për mundësinë e një rritjeje të numrit të azilkërkuesve nga Afganistani, siç ndodhi me sirianët në vitin 2015. BE-ja vlerëson se ndihma financiare për stabilizimin e Afganistanit mund të parandalojë një valë të tillë refugjatësh. Në gusht të këtij viti talibanët morën kontrollin e vendit pas 20-vjetësh të prezencës ushtarake ndërkombëtare në këtë vend të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *