• |
ide | kryesore

Fundi i pandemisë apo një valë e re në dimër? Si paraqitet në Gjermani situata e Covid-19

-Instant, Arkiva, Planet



Gjermania midis pohimeve se pandemia ka mbaruar dhe shqetësimeve për një valë të re të coronës në dimër. Cilat janë faktet?

“Berghain”, tempulli më i famshëm i vallëzimit në Berlin, është përsëri i hapur. Sipas raporteve, brenda kishte një përzierje të muzikës dhe ekstazës. Eksperti socialdemokrat i shëndetësisë, Karl Lauterbach, i njohur për fjalët e tij shpesh paralajmëruese për pandeminë, e mirëpriti këtë veprim. Hapja e klubit për të shëruarit dhe njerëzit e vaksinuar është një gjë “e madhe”. Me siguri do të ketë edhe të infektuar me virusin Corona. “Por ata që janë të vaksinuar nuk do të sëmuren aq rëndë. Ndaj mund të rrezikohet.”

A do të thotë kjo se Gjermania është afër tejkalimit të pandemisë? Jens Spahn, ende ministër i Shëndetësisë në qeverinë federale në largim, u shpreh optimist në një konferencë për shtyp: “Situata e pandemisë është e tillë që ne aktualisht nuk kemi probleme me të”.

Kështu duket se mendojnë edhe shumica e gjermanëve. Në një sondazh nga instituti për hulumtimin e opinionit “Infratest Dimap” thuhet se vetëm 42 përqind e të anketuarve janë të shqetësuar nga një rritje e sërishme e numrit të të infektuarve, që është shumë më pak sesa në verë, kur 62 përqind e të anketuarve kishin frikë nga mundësia e rritjes së shifrave të pandemisë.

Ndalohet vala e re
Kur shikojmë shifrat, shihet qartë se Gjermania e ka stopuar me sukses valën e katërt të pandemisë, e cila në verë dukej si e domosdoshme. Incidenca e infektimeve brenda shtatë ditësh është diku rreth 60 në 100.000 banorë. Ndërsa numri i të infektuarve është ndalur. Shifrat janë më të larta se në të njëjtën periudhë në vitin 2020, por situata është tërësisht nën kontroll.

Por incidenca e shifrave javore më nuk është më standardi i vetëm i matjeve. Qeveritë federale dhe të landeve kanë rënë dakord që si indikator të përdoret edhe e ashtuquajtura shkallë e personave të shtruar në spitale, si pasojë e infektimeve me virusin Corona. Kjo shifër aktualisht më pak se 1.6 të shtruar në spitale në 100.000 banorë brenda një jave – që sipas ekspertëve është në fushën e gjelbër. Situata në repartet e kujdesit intensiv është po ashtu nën kontroll – përqindja e pacientëve me Covid në njësitë e kujdesit intensiv është pothuajse kudo në nivelin e përqindjes njëshifrore.

Por virusi është ende aktiv dhe i rrezikshëm. Në hartën e Institutit Robert Koch shihet se shumë rajone dhe qytete ende janë të shënuara me ngjyrë të kuqe, që do të thotë se shifrat e infektimeve javore në 100.000 banorë janë më shumë se 100.

Politika mbetet e kujdesshme
“Ende është shumë vështirë të thuhet se ku jemi në këtë moment me pandeminë, për të cilën mund të supozojmë se do të zgjasë dy deri në katër vjet në të gjithë botën,” tha Berit Lange nga Qendra Helmholtz për Kërkimin e Infeksioneve, në një intervistë për DW. “Ajo që ne dimë është se në Gjermani nuk kemi ende imunitet të mjaftueshëm të popullatës për të shmangur plotësisht shpërthimet e reja që rëndojnë spitalet.”

Sipas shifrave zyrtare, shkalla e personave të vaksinuar plotësisht është aktualisht rreth 65 përqind. Shkalla e vaksinimit tek personat mbi 60 vjeç, të cilët janë veçanërisht të rrezikuar, është pothuajse 85 përqind. Ndërsa tek të rinjtë shumë më e ultë. Instituti Robert Koch thotë se shkalla e vaksinimit mund të jetë pesë pikë përqindje më e lartë, sepse shumë vaksinime nuk janë raportuar tek Instituti. Autoritetet thonë se evidenca mund të jetë më e ultë sesa shifra e personave të vaksinuar.

Tani fillon sezoni i ftohtë dhe jeta po zhvillohet gjithnjë e më shumë brenda në shtëpi. Kjo rrit rrezikun nga infektimet. Politika e di këtë “por”… Pas mesazhit se situata është pak a shumë nën kontroll, Ministri Spahn dërgoi menjëherë një paralajmërim: Kuota e vaksinimit nuk do të jetë e mjaftueshme për një vjeshtë-dimër të sigurt. “Ne nuk duhet të ecim shumë shpejt, por hap pas hapi. Kështu që të mos kemi nevojë të kthehemi mbrapa”.

Një “Freedom-Day” (Dita e Lirisë) si ajo në Britani të Madhe, në të cilën të gjitha masat do të përfundojnë, aktualisht në Gjermani nuk është në horizont. Epidemiologu Lange, nuk mendon se kjo është me rëndësi: “Pyetja nëse dikush do të caktojë një ditë të tillë është vetëm politike. Pyetja nëse një gjë e tillë vërtet ka qëndrueshmëri është – epidemiologjike”. Kjo sepse kur shkalla e infektimeve rritet përsëri, atëherë sistemi shëndetësor përballet me gjendjen, ndërsa politikanët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të rivendosin masat mbrojtëse.

Në fokus: Nxënësit dhe të pa vaksinuarit
Politika është fokusuar aktualisht tek dy grupe – tek nxënësit dhe personat e pa vaksinuar. Nxënësit e grupmoshave nën 12 vjeç po përballen çdo ditë me pandeminë, e ata numërojnë mbi nëntë milionë në Gjermani. Shumica e personave të infektuar ndërkohë i takojnë këtij grupi. Por mjekët thonë se deri tani ka pasur vetëm disa raste të sëmundjeve serioze të fëmijëve. Virologia Jana Schroeder paralajmëron në një intervistë për DW se edhe fëmijët kanë përfunduar shpesh në spitale për shkak të Coronës.

Për mbrojtjen më të mirë ende janë në fuqi rregullat e higjienës, urdhrat e testimit dhe karantinës, të cilat mund të dallojnë nga landi në land, por edhe nga nga shkolla në shkollë. Një pikë e zakonshme mosmarrëveshjeje është aktualisht mbajtja e maskave në shkolla. Instituti Robert Koch thotë se maskat duhet të mbahen, ndërsa shumë pediatër janë të mendimit të kundërt. Disa lande tashmë kanë hequr kërkesën për maska apo kanë kufizuar domosdoshmërinë e mbajtjes së tyre. Udhëzime për të gjitha shkollat dhe landet nuk ka.

Presioni nga ata që nuk janë vaksinuar
Grupi tjetër në fokus të politikës është ai i personave që nuk janë vaksinuar. Mendohet se rreth tre milionë persona të moshës mbi 60 vjeç ende nuk janë vaksinuar. Vaksinim me detyrim nuk ka, por presioni ndaj këtyre personave po shtohet. Në shumë restorante, në parukeri ose në koncerte dhe evenimente të tjera kërkohet dëshmi për vaksinim, shërim apo testim (3G). Restorantet lejohen të kërkojnë madje edhe (2G), që do të thotë se në restorante mund të lejohen vetëm të vaksinuarit apo shëruarit.

E gjitha kjo mund të shtojë presionin ndaj personave që nuk janë vaksinuar, sepse ndërkohë edhe testet prej datës 11 tetor janë me pagesë,për personat që nuk duan të vaksinohen. Një test tani duhet të kushtojë rreth 25 euro.

Shtrëngimi tjetër ka të bëjë me rregullat e karantinës. Deri më 1 nëntor do të hiqen pagesat në Gjermani për kohën e karantimit, për personat që nuk janë vaksinuar. Qëllimi është që të shtohet numri i të vaksinuarve dhe që të arrihet “imunizimi i tufës”./DW/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *