Bernard Challandes nuk është më tekniku i kombëtares së Kosovës. 70 vjecari zviceran vuan kështu humbjen e tretë radhazi në kualifikuese, që erdhi në shtëpi nga Gjeorgjia. Lajmin e bëri të ditur vetë Federata e futbollit e Kosovës në një konferencë për shtyp, ndërsa nisi menjëherë kontaktet për të zgjedhur njeriun që do të drejtojë Dardanët në ndeshjet e mbetura dhe për fushatën e ardhshme kualifikuese për kampionatin europiane.
Dy janë emrat më të lakuar në ambjentin kosovar: Roberto Carlos, ish-kampioni i botës me Brazilin dhe një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të të gjitha kohëve dhe ish-tekniku i Bayern Mynih, Felix Magath. E gjithë cështja është se gjermani, që ka nga ana e tij eksperiencën, ka pretendime shumë më të larta se braziliani, që nuk është ulur në një pankinë që nga 2015 dhe skuadrat që ka drejtuar nuk kanë qenë në nivelin e atyre të Magath.

Kështu, për të qenë të kujdesshëm nëse gjërat me Magath nuk shkojnë si duhet, pak orë më parë, sipas asaj që bëhet e ditur nga burime pranë FFK-së, është kontaktuar Carlos. Drejtuesit e futbollit kosovar kanë synimin ta mbyllin sa më shpejt cështjen e trajnerit të ri, për ta patur në pankinë për dy ndeshjet e fundit në nëntor, që do të ishte një mundësi e mirë për atë që do të marrë drejtimin e Dardanëve që të njihet me skuadrën dhe të bëhet gati për sezonin e ardhshëm.