• |
ide | kryesore

Kina mes krizës së borxhit në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe mungesës së energjisë

-Instant, Arkiva, Planet



Në një kohë kur ekonomia kineze po përballet me sfida të shumta, përfshirë mungesën e energjisë elektrike dhe probleme me zinxhirin e furnizimit, duke krijuar shqetësime për sektorin e industrisë, një krizë në rritje e sektorit të pasurive të paluajtshme, kërcënon të krijojë edhe më shumë probleme.

Prej muajsh, një krizë që po përparon ngadalë, e që lidhet me pamundësinë për të paguar nga ana e grupit kinez “Evergrande”, një nga kompanitë më të mëdha në vend në fushën e pasurive të paluajtshme, ka vënë në qendër të vëmendjes këtë sektor.

Sektori i pasurive të paluajtshme përbën një pjesë shumë të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kinës, krahasuar me shumicën e vendeve të zhvilluara, rreth 30 për qind.

Kriza është përshpejtuar ditët e fundit dhe shumë kompani të tjera që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë po ndeshen me pamundësi për të paguar detyrimet e tyre ndaj investitorëve, ose u kanë kërkuar kreditorëve të tyre t’u shtyjnë në kohë pagesat.

Ekspertët paralajmërojnë se përkeqësimi i situatës në sektorin kinez të pasurive të paluajtshme mund të çojë në hezitimin e investitorëve të huaj për t’u besuar kompanive kineze në përgjithësi, një lajm i keq në një kohë kur qeveria e këtij vendi po bën përpjekje për të menaxhuar probleme të shumta.

Mungesa e energjisë

Kriza në sektorin e pronave vjen në një periudhë posaçërisht të keqe për Kinën, e cila përballet aktualisht me mungesë të qymyrit në shkallë të gjerë, të cilin e përdor për të prodhuar rreth 70% të energjisë elektrike të vendit.

Mungesa e qymyrit nxitet nga një sërë faktorësh, mes tyre vendimi i Pekinit për të bojkotuar qymyrin australian. Ky vendim hyri në fuqi vitin e kaluar pasi autoritetet në Kanberra kërkuan një hetim mbi origjinën e pandemisë së COVID-19, e cila u shfaq për herë të parë në Kinë.

Por Kina ka vendosur gjithashtu një sërë rregullash të reja mbi minierat e qymyrit, ndërsa njëkohësisht kërkon që çmimet e energjisë të mbahen artificialisht të ulëta. Kjo ka çuar në mungesën e investimeve në sektorin e qymyrit dhe në rënien e prodhimit.

Këtë javë, Pekini njoftoi se do të lejojë kompanitë e energjisë të vendosin çmime në treg pa tavan, gjë që mund ta rriste ndjeshëm çmimin e energjinë elektrike, por që gjithashtu do të stimulonte më shumë prodhimin.

Masat për përmirësimin e situatës së furnizimit me energji nuk pritet të arrijnë rezultate reale deri vitin e ardhshëm, ndërkohë ekonomia kineze po vuan nga mungesa në shkallë të gjerë e energjisë elektrike. Vendi është përballur me ndërprerje të herëpashershme që kanë ndikuar në gjithçka, nga industritë e rënda, si ajo e çelikut, aluminit dhe çimentos, tek produktet elektronike e mallrat e tjera të konsumit.

Probleme më të gjera në fushën e pasurive të paluajtshme

Në një kohë kur investimet e huaja mund të ndihmonin në përmirësimin e sektorit të energjisë në vend, problemet në tregun e pasurive të paluajtshme po i bëjnë këto investime të duken gjithnjë e më të rrezikshme.

Dështimi i kompanisë “Evergrande” për të shlyer detyrimet muajin e kaluar dhe mungesa e dukshme e interesit të qeverisë kineze për ta shpëtuar atë, ka ngritur pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e kësaj korporate të madhe, e cila ka më shumë se 300 miliardë dollarë borxhe ende të papaguara.

Të martën, investitorët njoftuan se kompania nuk ia kishte dalë të paguante një tjetër detyrim prej 148 milionë dollarësh.

Tashmë kriza që ka prekur “Evergrande” duket se po “infekton” edhe firma të tjera në sektorin e pronës. Javën e kaluar “Fantasia Holdings Group”, një kompani me bazë në Shenzhen, tronditi tregjet duke mos kryer një pagesë prej 206 milionë dollarësh.

Të martën, një firmë tjetër, “Sinic Holdings”, njoftoi se javën e ardhshme nuk do të jetë në gjendje të shlyejë një detyrim prej 250 milionë dollarësh, çka automatikisht ka ngritur shqetësime edhe për dy pagesa të tjera, që duhet të kryejë kjo kompani.

Kriza e financimit

Shumë firma të tjera gjithashtu po shfaqin shenja problemesh të afërta. Kompania “Modern Land Co”, me qendër në Pekin, u ka kërkuar kreditorëve një zgjatje me tre muaj të shlyerjes së detyrimeve. Po kështu “Xinyuan Real Estate” ka bërë së fundmi lëvizje që shihet si masa paraprake për të shmangur vendosjen e kompanisë në kushtet e pamundësisë së shlyerjes së detyrimeve ndaj kreditorëve.

Këto raste, të cilat janë të shumta, u ka dhënë arsye investitorëve ndërkombëtarë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj tregut kinez të pronës. Kompanitë si “Moody’s Investors Service”, “Fitch Ratings” dhe “S&P Global Ratings” i kanë ulur ndjeshëm vlerësimet mbi aftësitë për të marrë kredi për një mori kompanish kineze që ushtrojnë veprimtari në fushën e pasurive të paluajtshme.

Investitorët që disponojnë bono, e që ishin të gatshëm të pranonin një normë interesi prej 10% për bonot e këqija kineze, letrat me vlerë që konsiderohen të jenë të rrezikshme nga firmat e vlerësimit, tashmë në disa raste i kanë rritur normat e interesit në mbi 20%.

Probleme me rritjen ekonomike

Kostot e larta të huamarrjes ka të ngjarë të jenë një problem i vazhdueshëm për kompanitë kineze, thotë për “Zërin e Amerikës” Doug Barry, zëdhënës i Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë.

“Një problem për ekonominë kineze është se borxhi kinez do t’i kushtojë më shtrenjtë tregjeve të kapitalit botëror. Efektet e menjëhershme mund të jenë ulja e ndjeshme e nivelit të investimeve si dhe rritjes ekonomike. Do të kishte një kombinim efektesh të mënjëhershme kjo dhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Kompanitë e huaja me investime të konsiderueshme në Kinë po e ndjekin nga afër situatën duke u përpjekur të sigurojnë që zinxhiri i furnizimit të mos ndikohet e që kostot të jenë të qëndrueshme”, thotë zoti Barry.

“Ekonomia botërore është e ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme me atë kineze”, shton ai. “Shpresa është që autoritetet të kontrollojnë problemet e menjëhershme dhe të bëjnë punën e nevojshme për të stabilizuar për një kohë të gjatë tregjet financiare, të pronës dhe ato të energjisë”.

Reagimi i publikut

Tianlei Huang, bashkëpunëtor i Institutit Peterson mbi Ekonominë Ndërkombëtare, thotë për Zërin e Amerikës se në Kinë publiku nuk duket të ketë ndonjë shqetësim të madh lidhur me ndikimin që mund të ketë kriza e sektorin e pasurive të paluajtshme në pjesë të tjera të ekonomisë.

Sidoqoftë shton ai “nuk mund të mohohet që borxhi i kompanisë “Evergrande” është shqetësues”. Megjithëse borxhi i përgjithshëm i mbajtur nga institucionet financiare është i kufizuar, banka të caktuara me ekspozim të lartë ndaj “Evergrande” so dhe kompani të tjera të dobëta që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë, mund të pësojnë një goditje të rëndë nëse do të përballeshin me pamundësinë për të shlyer detyrimet.

Mungesa e një shqetësimi të përhapur publik mund të lidhet pjesërisht për faktin se sa në Kinë është e vështirë të marrësh informacion për t’u njohur me pamje të plotë të situatës lidhur me borxhin e kompanive të mëdha kineze.

Borxhi i fshehur

“Ajo që është po aq shqetësuese është se “Evergrande” ka gjithashtu shumë borxhe të padeklaruara dhe është e paqartë se sa”, thotë zoti Huang.

“Mund të keni parë video të investitorëve që janë grumbulluar para zyrave të Evergrande e që kërkojnë të paguahen”, thotë ai duke shtuar se “autoritetet lokale tashmë janë në gatishmëri të lartë për çdo tubim në shkallë të gjerë që lidhet me këtë kompani”./VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *