• |
ide | kryesore

Dy standartet e BE për reformën në drejtësi

Blog



Shumëkujt, por cinefilëve jam i sigurt që i kujtohet, titulli i njerës nga kryeveprat e kinematografisë botërore, “Kramer kundër Kramer”, film i vitit 1979 që ngjiti në majat e artit të shtatë Dustin Hoffman dhe Meryl Streep, dhe u kurorëzua me disa “Oscar”, përfshi atë të filmit më të mirë.

Po e përdor këtë titull duke pasur ndër mend dikë tjetër – një Krämer të vërtetë që kam njohur personalisht – Hannes Krämer – ish-drejtori i shërbimit juridik të Komisionit Europian deri para pak vitesh. Kam pasur rastin të shkëmbehem me të në Strasburg, në Luksemburg apo në Londër, kur diskutohej aderimi i BE në KEDNJ, reforma e politikës së azilit në BE apo reforma të tjera institucionale në BE. E them pa mëdyshje që, me sa kam pasur rast ta dëgjoj dhe ta lexoj, më është dukur një nga juristët më të përgatitur në të drejtën e BE-së dhe çka do them më poshtë nuk hedh asnjë hije dyshimi mbi këtë vlerësim. Megjithatë, qëndrimet që z. Krämer, jo personalisht, por si përfaqësues i Komisionit Europian, ka mbajtur në lidhje me Reformën në Drejtësi në Shqipëri, krahasuar me probleme krejt të njëjta me Poloninë për shembull, më bënë që ta përdor si simbol të kontradiktës që dua të nxjerr në pah.

Kontradikta e parë e z. Krämer, pra, edhe e Komisionit, edhe e BE-së, me veten e tyre, qëndron në faktin se megjithëse në më shumë se një çështje me rëndësi kardinale për marrëdhënien mes së drejtës së BE-së dhe KEDNJ, dhe për më tepër, që kishin të bënin me jetë dhe fate njerëzish, Komisioni Europian hezitonte të ndërhynte si palë e tretë para Gjykatës së Strasburgut! Ndërkohë që për problemet e vetingut në Shqipëri, në çështjen Nikehasani k. Shqipërisë e ndërmori këtë hap1 . Thua vetingu shqiptar të kishte më rëndësi se një politikë e BE-së që ka të bëjë me jetë njerëzish, ka kushtuar deri tani miliarda euro dhe u intereson të gjithë gjyqtarëve administrativë të të gjitha shteteve anëtare të BE-së?!

Nga kjo kontradiktë procedurale që më ka çuditur jo pak, por kaloj tek ajo që më çudit akoma më shumë – kontradikta në themel mbi nocionin e gjyqësorit të pavarur.

Në funksionin e tij si jurist pranë shërbimit juridik të Komisionit, Z. Krämer ka mbajtur disa qëndrime shumë të forta, natyrisht në emër të Komisionit, duke bërë që reforma gjyqësore në Poloni të konsiderohej nga Gjykata e BE-së si problematike në shumë aspekte, sidomos nën këndvështrimin e Kartës mbi të Drejtat Themelore të BE-së (neni 47 i Kartës dhe neni 19 i TBE). Komisioni vetë, përfaqësuar nga z. Krämer në Gjykatën e Luksemburgut, ka vënë në lëvizje një sërë padish me pretendimin se reforma polake e drejtësisë shkelte disa nga parimet themelore për një drejtësi të pavarur. Në disa të tjera ka ndërhyrë si palë e tretë. Kjo ka çuar në konfliktin më të madh juridik që një shtet anëtar ka pasur me të drejtën komunitare të Bashkimit që më 1952.

Që të kuptohet, ‘filmi’ që luhet me Reformën në Drejtësi në Shqipëri, po marr për shembull tri nga këto çështje – A. K kundër Krajoëa Rada S¹doënictëa – KRS (Gjykatës Supreme Administrative) dhe CP dhe DO S¹d Najëy¿szy (Këshilli Kombëtar i Magjistraturës) – çështjet e bashkuara C-585/18, C-624/18 and C625/18. Këto çështje, që u vendosën nga Dhoma e Madhe e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së në Luksemburg më 19.11.2019, trajtojnë një problematikë shumë të rëndësishme edhe për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Pyetja kryesore ishte nëse Dhoma Disiplinore e Gjykatës së Lartë në Poloni, e ngjashme me KPA-në dhe deri diku edhe me KPK-në Shqipëri për nga pikëpamja e qëllimit dhe funksioneve, ishte apo jo e pavarur?

Ndërkohë që në këtë çështje në Luksemburg, z. Krämer mbante një qëndrim duke kundërshtuar pavarësinë e KRS në Poloni, në Gjykatën e Strasburgut duke ndërhyrë si palë e tretë në lidhje me reformën shqiptare, më pak se një vit më vonë, i harronte krejt këto parime që i mbronte në Luksemburg dhe që për më tepër sapo ishin sanksionuar nga Gjykata e BE. Nuk është qëllimi i këtij artikulli që të përpunoj argumente të detajuar juridikë. Do ketë kohë edhe për to. Por për të nxjerrë në pah thjesht mesazhin, po ndërtoj dy kolona për të treguar se çfarë qëndrimi mban Krämer/Gjykata e BEsë në lidhje me Poloninë dhe çfarë qëndrimi mban Krämer/ BE-së në lidhje me Shqipërinë për një problem identik, për KRS – Dhomën Disiplinore polake, nga njëra anë, dhe për KPK/KPA shqiptare nga ana tjetër. (Footnotes)

Krämer për Poloninë (vendimi AK §§ 138 – 152) 1. Anëtarët e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë në Poloni që vlerësojnë gjyqtarët, zgjidhen nga një organ politik (në atë rast nga Presidenti i Republikës). 2. Dhoma Disiplinore në Poloni u krijua ad hoc në bazë dhe për të vënë në zbatim legjislacionin për Reformën në Drejtësi. 3. Dhoma Disiplinore në Poloni përbëhet nga gjyqtarë, por të emëruar rishtazi në Gjykatën e Lartë, duke anashkaluar gjyqtarët ekzistues dhe gëzon autonomi të konsiderueshme në raport me Gjykatën e Lartë.

Krämer për Shqipërinë ?! 1. Anëtarët e KPK dhe KPA, të cilët vlerësojnë gjyqtarët në Shqipëri, zgjidhen me marrëveshje nga një organ politik (nga Kuvendi). 2. KPK dhe KPA në Shqipëri u krijuan ad hoc në bazë dhe për të vënë në zbatim legjislacionin për Reformën në Drejtësi. 3. KPA dhe KPK përbëhen nga persona të emëruar rishtazi, të cilët, a fortiori nuk janë magjistratë (me një përjashtim) dhe pjesa dërrmuese e të cilëve nuk kanë qenë kurrë gjyqtarë dhe gëzon autonomi/pavarësi të plotë nga Gjykata e Lartë ose Kushtetuese.

Në vendimin e lartpërmendur, § 152, Gjykata e Luksemburgut thotë se kur të tria këto elementet merren së bashku, atëherë juridiksioni i krijuar nuk përbën më gjykatë të pavarur dhe të paanshme për qëllimet e nenit 47 të Kartës së BE.

Të tria këto elemente janë të pranishme, së bashku, në rastin e organeve shqiptare të vetingut, gjë që sipas analizës së Gjykatës së BE-së, bën që KPK dhe KPA të mos jenë të pavarur dhe të paanshëm.

Pra, mjafton një analizë apriori, si ajo që bën Gjykata e BEsë sipas nenit 267 TFBE, që të dalin problemet, se analiza in concreto e funksionimit të vetingut në Shqipëri nxjerr në pah edhe probleme të tjera. Çuditërisht, këto pretendime dhe konkluzione të Gjykatës së Luksemburgut, të detyrueshme për z. Krämer, për të gjithë Komisionin, shtetet anëtare, amb. Soreca etj., nuk përmenden fare në rastin e Shqipërisë dhe reformës së saj, të renditura në kolonën djathtas më lart. Askush nuk thotë që KPK dhe KPA, sipas këtyre kritereve të së drejtës së BE-së, nuk janë organe të pavarura nga politika. Pra, pyetja është se pse z. Krämer/BE thotë të tjera gjëra mbi aspekte themelore të Reformës në Drejtësi në Poloni dhe ai ose përfaqësuesit e Komisionit ose të vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri nuk ngritën/ngrenë të njëjtat probleme në lidhje me Reformën në Drejtësi në Shqipëri? Përse institucionet polake të vetingut qenkan në kundërshtim me standardet, megjithëse përbëhen tërësisht nga magjistratë, ndërsa tonat qenkan në përputhje, megjithëse përbëhen tërësisht, me një përjashtim të vetëm, nga jomagjistratë?! Problematika jonë është çuditërisht e njëjtë me atë polake për sa u përket organeve disiplinore. Madje, ajo ngjan si dy pika uji edhe me objektivin primar, që vetingu fillon nga gjykatat e larta dhe kushtetuese, që janë majat a pushtetit gjyqësor.

Është e vërtetë që me qëndrimin si palë e tretë para Gjykatës së Strasburgut Z. Krämer/Komisioni shprehet se gjithë konceptimi dhe vënia në jetë e Reformës në Drejtësi është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, duke shmangur përgjegjësinë e Komisionit, por pastaj shtojnë se kjo reformë është e nevojshme për të luftuar korrupsionin, etj., etj., kështu që duhet analizuar nën atë prizëm. Por edhe në Poloni, partia në pushtet PiS e justifikon Reformën në Drejtësi si luftë kundër korrupsionin dhe komunistizimit të gjyqësorit polak! Përse nuk e analizuan në të njëjtin prizëm?

Për të qenë edhe më konkret në lidhje me debatin që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri në lidhje me zgjatjen apo jo të mandatit të KPK, më lejoni të kujtoj edhe një element tjetër që nënvizohet nga vendimi i sipërcituar i Luksemburgut, të cilin Komisioni, i përfaqësuar nga z. Krämer, e ka mbështetur si argument. Në paragrafin 148 të vendimit polak A.K., Gjykata e Luksemburgut shprehet se fakti që një organi politik i është njohur kompetenca diskrecionare për të zgjatur mandatet e gjyqtarëve është në vetvete një element problematik shtesë që vë në dyshim pavarësinë e tyre. Me ndryshimet e 21 nëntorit 2018, legjislacioni polak e hoqi këtë mundësi të zgjatjes së mandatit që të ishte në përputhje me të drejtën e BE-së. A thua në Shqipëri me ndryshimet eventuale të 21 nëntorit 2021 (?!) kjo mundësi do futet, pra, Parlamenti do zgjasë mandatin e KPK, që të jemi në përputhje me kërkesat e BE-së?! Për ata që duan ta kuptojnë, është krejt e thjeshtë – diskrecioni politik në zgjatjen e mandatit të një organi që gjykon gjyqtarët tregon se organi në fjalë, pra, KPK në këtë rast, nuk është organ i pavarur. Aq më tepër që, pasur parasysh qëndrimet e qarta politike ndaj gjyqësorit, një zgjatje e tillë e mandatit të KPK është në të njëjtën kohë edhe shpërblimi, edhe instrumentalizimi i mëtejshëm i institucionit nga politika. Zgjidhja aktuale që ofron Kushtetuta është shumë më e mirë në këtë drejtim.

Ajo që lexoni në lidhje me qëndrimin e BE-së për Reformën në Drejtësi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është në vazhdën e këtyre qëndrimeve konsekuente të BE-së, në përputhje me të drejtën e BE-së. Kam pasur mundësi t’i dëgjoj me veshët e mi, sidomos në një konferencë në Shkup, në mars 2020. Mos u çudisni që atyre u thonë ashtu. Ashtu u thonë të gjithëve, edhe Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Kroacisë edhe Ukrainës, etj. (po rezervohem nga referimet jurisprudenciale këtu). Vetëm neve na thonë ndryshe dhe shumëkush mund të shtrojë pyetjen – përsëri vetëm ne?!Pra, si është e mundur që Bashkimi Europian dhe në veçanti Komisioni përplasen me Poloninë etj. se nuk po respekton standardet e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit, ndërsa në Shqipëri nxisin dhe përkrahin shkeljen e të njëjtave standarde në aspekte të veçanta të Reformës në Drejtësi?! Justifikimi i sforcuar që Polonia është vend anëtar dhe Shqipëria jo, nuk qëndron, sepse nocioni i gjyqësorit të pavarur është kusht thelbësor nën kriterin e parë të Kopenhagës dhe konceptohet njësoj në dy sistemet. Të dyja gjykatat europiane i referohen njëra-tjetrës në këtë analizë dhe ajo e Luksemburgut deri tani nuk ka argumentuar asnjë specifikë materiale të këtyre kritereve që përmenda më lart, për vendet anëtare të BE në raport me KEDNJ. Një afirmim i kundërt do ishte shumë problematik dhe do vinte në dyshim standardet e KEDNJ në lidhje me këtë element të procesit të rregullt. Aq më tepër, që vitin e fundit edhe vetë Strasburgu e ka rritur stekën jurisprudenciale në raport me pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit, edhe duke u frymëzuar nga vendimi A.K. dhe të tjerë vendime në Luksemburg. Ajo që duket qartë është që në Shqipëri po mbështetet një reformë dhe ndryshime të saj, që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Mirëpres çdo argument, juridik, që të më bindë për të kundërtën.

Prandaj problemi nuk është nëse partitë politike në Shqipëri do merren apo jo vesh për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut dhe me çfarë kushtesh. Ky orientim rrezikon ta degjeneroje debatin politiko-institucional, siç e kam shkruar diku tjetër, nga debat që duhet të ketë natyrë res publica, në marrëveshje sipas lex mercatoria. Debati themelor është nëse zgjatja e mandatit të organeve të vetingut dhe po të keni qartësi dhe guxim, edhe vazhdimi në tërësi i funksionimit të tyre në këtë mënyrë, a janë në përputhje me standardet e BE-së apo jo? Përgjigjja është te një linjë e gjatë dhe e konsoliduar jurisprudence në Luksemburg dhe Strasburg, ku vetëm vendimi Xhoxhaj k. Shqipërisë është përjashtim nga linja.

Përse Shqipëria nuk duhet të zbatojë edhe ajo parimin, edhe në luftën ndaj korrupsionit në drejtësi, por si shpeshherë përjashtimin, i cili në këtë rast është qartazi në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës së BE-së?!

Prandaj titulli i këtij artikulli mund të ishte fare mirë edhe Komisioni kundër Komisionit, ose Europa kundër Europës, në lidhje me nocionin e pavarësisë së organeve disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Europa të tjera standarde kërkon për gjyqësorin polak dhe për të kundërtat e tyre për gjyqësorin shqiptar.

Ajo që nuk arrij të kuptoj është nëse zbatimin dhe mbështetjen e një modeli në kundërshtim me standardet e BE-së e bëjnë pa dashur, nga padija e tyre, këtu nuk do fusja natyrisht Hannes Krämer, apo e bëjnë me dashje, duke menduar se ne jemi të paditur ose se jemi gati t’i shkelim standardet për ndonjë qokë shqiptare ose evropiane?!

Panorama



3 Comments

  1. E thjeshtë fare, reforma këtu është e Fondacionit Soros dhe për pasojë kontrollohet nga ajo. Bie fjala një prokuror u shkarkuar edhe pse jeton në një apartament të zakonshëm thjesht sepse nuk ka lidhje me fondacionin, ndërsa në Poloni reformën duan ta bëjnë në mënyrë të pavarur nga jashtë

  2. Ky idiot ka blloku ceshtjet kunder shqiprise ne Straßburg na hiqet edhe si jurist I mire kur vet ka pranu presionet qe I behen per te nderhyre ne ceshtje per ti zvarritur. Une vete kam nji ceshtje penale qe eshte pranuar dhe po shqyrtohet dhe ky e ka blloku dhe Te njejten gje bejn edhe tjeret qe jane vene nga babloku ne detyre ne Straßburg. Babloku kur do terhiqet nga bllokimi I ceshtjes dhe pranon „fajin“ humbjen e gjyqit sic ishte rasti I lulzim bashes kunder shqiperise ne GJEDNJ me hedhjen ne ere te pallatit te tij ne 2013 ku babloku pranoj humbjene gjyqit ku ne te vertet shqipria e pranoj Pa gjyq demshperblimin me 13 milion euro dhe nuk e ankimoj ne dhomen e madhe ne Straßburg. Ky jep leksion tani per Reformen ne drejtsi. Me e forta babloku ben sikur ja ka bllokuar leket dhe nuk po e ekzekuton vendimin me arsyetiminse arka e shtetit nuk ka leke por luli mund te fle I qete Se ai do marre kokerr me kokerr Te gjithe kamaten per vonesen e pageses. Faktikisht ai I ka vene ne pune mire ato 13 milion euro pasi kamata po ecen dhe ne taksapaguesit jemi korrekt me pagesen gjithmone

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *