• |
ide | kryesore

Tirana kundër Partizanit e statistikave: Bardheblutë kanë fituar vetëm 9 herë në 40 përballjet e fundit

-Instant, Sport



Nuk ka rëndësi nëse luan për mbijetesë, për kampion, apo sa pikë i ndajnë dy skuadrat: ajo që tifozët nuk falin është humbja në derbi. E takimi është programuar në 25 tetor, me Tiranën që vjen si kryesuese e kampionatit e me Partizanin në krizë rezultatesh, ende pa shijuar fitoren e parë të këtij sezoni në Superiore. Hegjemonia 6 vjecare e kohës së artë të të kuqve është tani vetëm një kujtim i zbehtë, por bardheblutë duhet të luajnë kundër rivalit të përjetshëm e kundër statistikave, që të marra në histori e kanë ngjyer të kuq kryeqytetin.

Ajo në Arena Kombëtare është përplasja kryeqytetase numër 162 në të gjitha kompeticionet mes dy klubeve që janë rivalë, armiq, të urryer, por gjithë të respektuar. Të kuqtë kanë në favor 66 fitore dhe 51 barazime, duke i lënë 44 suksese kundërshtarit, shifra që natyrisht Tirana kërkon ti përmirësojë. Në këtë mënyrë të të ndërtuarit të historisë edhe golavarazhi sigurisht që do të ishte në favor të Partizanit 227-172, për më tepër që Tirana ka fituar vetëm 9 herë në 40 përballjet e fundit me të kuqtë. Statistikat megjithatë nuk do të zbresin në fushë të hënën, aty ku 25 herë kampionët janë kryesuesit e kampionatit me një moral të jashtëzakonshëm pasi kanë mposhtur Teutën trofembajtëse edhe pa lojtarët e tyre më të mirë, që në derbi do të jenë gati.

E kundërta ndodh me të kuqtë, që kanë katër barazime e një humbje në 5 javët e para dhe duhet të bëjnë kthesën në ndeshjen më delikate. Duke ditur ngarkesën emocionale të një ndërqytetase e duke patur parasysh precedentët, si Tirana ashtu dhe Partizani kanë shanse të barabarta për të fituar, por nëse për Dajën do të ishte fitorja e parë në kampionat, për Shehin do të ishte fitorja e parë në derbi… e kundër ish-skuadrës së tij.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *