• |
ide | kryesore

Ultrasit e Beitar Jeruzalem rrahin një grua me aftësi të kufizuar: “Te ne nuk ka vend për gra e invalidë”

-Instant, Sport



Kanë xhiruar madje edhe një dokumentar të transmetuar në Netflix – Forever Pure – për Ultrasit e Beitar Jeruzalem. Fatkeqësisht nuk ka asgjë për tu mburrur. Tifozët e ekipit izraelit në fakt njihen për intolerancën e tyre. E edhe fundjavën e kaluar nuk zhgënjyen. Anëtarët e klubit “La Familia”, gjatë ndeshjes kundër Hapoel Tel Aviv, u bënë protagonistë të një përleshje me mbështetësit e tjerë të klubit të tyre. Nga njëra anë, disa nxisnin ekipin e tyre, nga ana tjetër rreth njëqind anëtarë të “La Familia”, u përpoqën me forcë t’i mbyllnin gojën tifozëve të tjerë në shenjë proteste për përfshirjen në formacion të lojtarit Youssouf Kamso Mara, me origjinë nga Guinea dhe musliman.

Përkrahësit e Kamso Mara raportuan se ata ishin goditur me grushte e shkelma nga “La Familia”. Mes të sulmuarve ishte edhe një grua me aftësi të kufizuara, e shtruar më vonë në spital. “Në shkallët tona nuk ka vend për gra dhe invalidë”, thanë ata, sipas pohimit të vetë gruas për mediat. Pronari i Beitar i Jeruzalem, Moshe Hogeg – i cili ka vite që lufton racizmin në sport dhe i lodhur nga kjo situatë, e ka nxjerrë klubin në shitje në shtator – postoi një mesazh në Facebook duke kërkuar falje ndaj të sulmuarve. Ai shtoi se “La Familia ngjan me një organizatë terroriste” dhe u bëri thirrje autoriteteve të ndërmarrin veprime kundër anëtarëve të saj. Në të kaluarën kishte pasur tashmë gjeste proteste kundër myslimanëve. Në vitin 2019 kur klubi firmosi me nigerianin Ali Mohammed, “La Familia” kishte publikuar një postim proteste në mediat sociale: “Ne kemi një problem me emrin e tij që nuk mund të shqiptohet në stadiumin tonë ose të printohet në fanellën tonë”. Situata ishte përkeqësuar në vitin 2020, kur Hogeg u përpoq t’i shiste 50% të Beitar Sheikut Hamad bin Khalifa Al Nahyan, një anëtar i familjes në pushtet në Abu Dhabi, një shitje që u bllokua më pas nga Federata izraelite e futbollit pas një hetimi që zbuloi marrëveshje të paqarta në të cilat Al Nahyan ishte përfshirë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *