• |
ide | kryesore

“Cristiano Ronaldo duhet të largohej më herët”: Chiellini tregon pasojat që vuajti Juventus

-Instant, Sport



Inter-Juventus nuk është kurrë një ndeshje e parëndësishme në Serie A, aq më pak nëse zikaltrit janë kampionë në fuqi të Italisë dhe Juventusi është i detyruar t’i ndjekë edhe këtë sezon. Protagonisti i sfidës do të jetë kapiteni i Juventusit Giorgio Chiellini i cili ka folur për fillimin e vështierë të bardhezinjve, që tani, megjithatë, duket se kanë gjetur rrugën e duhur. Një nga shkaqet, për Chiellinin, ishte lamtumira e Cristiano Ronaldos, jo aq për cilësitë e jashtëzakonshme të lojtarit portugez, por për modalitetet dhe kohën: “Ai duhej të ishte larguar më shpejt”.

Lamtumira e portugezit, në fakt, ishte në ajër prej disa kohësh: “E kishim ndjerë – i zbuloi Chiellini Dazn-it –, kishim arritur në një pikë ku Cristiano kishte nevojë për stimuj të rinj dhe një ekip që të luante për të, e prisja që të largohej në verë. Kur i gjen ato kushte, ai është gjithmonë vendimtar, ishte i tillë edhe te Juventusi, por ne po kalojmë një program rinovimi dhe ai kishte nevojë për një ekip që mendonte më shumë për të tashmen sesa për të ardhmen”.

CR7 iku nga Torino më 28 gusht pasi luajti në kampionat kundër Udineses. Pas një muaji të parë me luhatje, Allegri gjeti sistemimin perfekt në fazën mbrojtëse siç dëshmohet nga fitoret e njëpasnjëshme dhe katër të fundit me rezultatin 1-0: “Sigurisht nëse ai do të kishte qëndruar do të kishte qenë një vlerë e shtuar, por lamtumira e vonë ishte një tronditje. Do të kishte qenë shumë më mirë për ne nëse do të ikte më herët, do të kishim qenë në gjendje të përgatiteshim më mirë për sezonin. Ne e paguam për këtë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *