• |
ide | kryesore

Deri tani 35% e bizneseve janë fiskalizuar/ Kontabilistët: Numri i subjekteve është i ulët, të shtyhet edhe 1 vit faza tranzitore

-Instant, Lajme, Të fundit



Nga fillimi i fiskalizimit prej 1 janarit 2021 dhe deri tani janë fiskalizuar 35% e subjekteve që kanë detyrimin të ndryshojnë faturimin. Në total parashikohet të fiskalizohen 120,000 subjekte. Nga 1 shtatori 2021 kur nisi faza III parashikohej të fiskalizoheshin 90,000 biznese, kryesisht të vegjël.

Deri më 3 Tetor, numri i bizneseve të vogla të fiskalizuara arrinte në 20,685. Sipas të dhënave të përditësuara të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, deri tani janë 41,546 tatimpagues në total të fiskalizuar. Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me para në dorë janë 33,535 dhe subjekte që kanë lëshuar fatura pa para në dorë janë 22,615. Kontabilisti Armand Mala thotë për “Monitor” se duke qenë se numri i bizneseve të fiskalizuara është i ulët do të jetë e pamundur të fiskalizohet gjithë pjesa e mbetur e bizneseve në këtë pak periudhë të mbetur deri me 31 dhjetor.

“Nëse fiskalizimi i subjekteve do të vazhdojë me këtë ritëm do të duhet të paktën edhe viti tjetër si periudhë tranzicioni për zbatimin e procesit. Në anën tjetër, duke u fiskalizuar të gjitha subjektet do të ketë edhe problematika të pakonstatuara deri tani. Që sistemi të jetë 100% i logjikshëm dhe të mos bëhen konfuzë bizneset, duhet të nisë në fillim të vitit fiskal, për të mos u krijuar problematika me ‘para dhe pas fiskalizimit’”, nënvizon Mala.

Kontabilisti Mala pohon se janë të shumtë faktorët që kanë ndikuar në numrin e ulët të bizneseve të fiskalizuar, që nga shtyrjet e nisjes të procesit deri te mungesa e kapaciteteve të administratës tatimore për të përballuar fluksin menjëhershëm të bizneseve. “Së pari shtyrjet e herëpashershme për nisjen e fiskalizimit janë keqkuptuar nga bizneset, të cilët mendojnë se do të ketë sërish shtyrje tjetër.

Së dyti, pavarësisht dëshirës së madhe të Tatimeve, dukshëm kapacitetet nuk ishin siç flitej (janë vonesat nga AKSHI për marrjen e certifikatës elektronike).

Së treti, duhej testuar procesi për 1,000-2,000 subjekte, madje edhe duke i stimuluar ato biznese të fazës pilot, pasi duke dëshmuar histori suksesi bizneset do të nxiteshin më shumë. Nga ana tjetër çdo reformë kërkon kohën e saj të realizimit, s’ka kurrë shkop magjik. Për mendimin tim nëse fiskalizohen 50% e bizneseve deri në fund të vitit është sukses”, thekson Mala.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo më herët vlerësoi se një ndër arsyet kryesore se pse shumë biznese nuk po fiskalizohen është, pasi prej tyre është keqkuptuar akti normativ për mosvendosjen e gjobave. Dhamo rekomandoi që në këtë situatë duhet që administrata tatimore të sqarojë tatimpaguesit se çfarë nënkupton faza tranzitore, cilat janë detyrimet e subjekteve për fiskalizimin deri më 31 dhjetor dhe se çfarë do të ndodhë me ato që nuk janë fiskalizuar pas 1 janarit 2022.

Drejtoria e Përgjithshme Tatimore e pyetur më herët nga “Monitor”, nëse duhet shtyrë faza tranzitore përtej 1 janarit 2022 tha këtë përgjigje. “Me Aktin Normativ Nr. 27, datë 1.7.2021, është shtyrë vendosja e penaliteteve që lidhen me fiskalizimin deri në datën 1 Janar 2022. Prej datës 1 Shtator 2021, të gjitha subjektet duhet të fiskalizojnë transaksionet e tyre”. Më herët edhe përfaqësues të shoqatave të biznesit në një takim me DPT kërkuan shtyrjen e afatit për aplikimin e gjobave, parashikuar aktualisht për 1 Janar 2022./Monito



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *