• |
ide | kryesore

Kremlini për dy zyrtarët “non grata” në Kosovë: Provokim i qëllimshëm, nuk e njohim!

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar për herë të parë në lidhjen me shpalljen “non grata” të dy zyrtarëve rusë në Kosovë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, në një deklaratë të publikuar në faqen e ministrisë, thekson se ky vendim nuk do të ketë pasoja mbi statusin juridik të diplomatëve të shpallur “non grata”.

Ne supozojmë ky hap i administratës së Prishtinës nuk do të ketë asnjë pasojë për statusin juridik të diplomatëve të përmendur rusë”, tha ajo.

Teksa e konsideron vendimin e Prishtinës si “provokim të qëllimshëm”, Zakharova i bën thirrje UMNIK, misionit të OKB-së dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë që të garantojnë sigurinë e kushteve të punës për zyrtarët rusë. Sipas Zakharovës, zyrtarët e shpallur non grata janë të akredituar nga UNMIK-u.

“I bëjmë thirrje UNMIK-ut dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë, në kuadër të kompetencave të tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të garantojnë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për punën normale të personelit të zyrës ruse në Prishtinë. Ne presim garanci të duhura me shkrim nga administrata e OKB-së”, deklaroi Zakharova.

Kujtojmë se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi këtë të premte se kërkoi nga Ministria e Jashtme që të shpallte “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, duke theksuar se aktiviteti i tyre “ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.

“Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhej në deklaratën e Osmanit.

Menjëherë pas këtij vendimi, reagoi ambasada e ruse në Beograd, duke thënë se vendimet e Prishtinës nuk kanë fuqi ligjore, pasi Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet.

Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne. Ne po bashkëpunojmë me misionin e UNMIK-ut, duke përfshirë këto çështje, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Beograd.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *