• |
ide | kryesore

Si e pashë nga brenda foltoren e Beratit

-Instant, Ide



1- Beratin siç e pashë

Të premten në Berat mora pjesë në Foltoren e Partisë Demokratike, nismë prej disa javësh e zotit Berisha, ish kryetar i PD. Në këtë qytet e qark kam shërbyer dy legjislatura si deputet. Pjesëmarrësit në sallë i njihja pothuajse të tërë. Po të mos ishte situata e veçantë do të më dukej si mbledhja e radhës e kuvendit të degës së partisë.

Tematika e diskutuar kapte një gamë të gjerë: nga problemet energjitike tek shkarkimi i kryetarit të partisë. Nuk munguan pasionantët panegjirikë, ndonjë me dolli rakie, për zotin Berisha; as kritikët e disa qëndrimeve të diplomacisë amerikane si tolerimi, në mos justifikimi, i narko-aktivitetit të Saimir Tahirit e i dopiostandarteve në përcaktimet e personave ‘u ndalohet hyrja’.

Dikush mallkoi mbështetjen për ‘qeverinë satanike Rama’. (ky formulim më befasoi paksa se nuk prisja t’a dëgjoja në këtë tubim). Kishte edhe të tjerë që shqetësoheshin se mos drejtuesit e ardhshëm të PD mbartnin tek partia një konflikt të panevojshëm me ShBA. Por të gjithë pa përjashtim e shprehën qartë se status quo në PD ishte e papranueshme dhe shihnin tek thirrja e kuvendit të jashtëzakonshëm një hap të parë për të rikthyer normalitetin e besimin në parti.

Javën e shkuar takova në Berat edhe demokratë të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën të ishin të pranishëm. Disa syresh kishin edhe ndonjë rezervë ndaj Lëvizjes së Foltores (‘pse nuk foli Doktori në 26 prill?’). Por asnjë prej tyre nuk besonte se me drejtuesit aktualë Partia Demokratike mund të arrinte ndonjë sukses e aq më pak ndonjë fitore.

Ndërkohë mbi 70% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të partisë (po ata që u mblodhën në Tiranë më 12 qershor për të zgjedhur Këshillin e Kryesinë si dhe për të dëgjuar fjalimin e fundit të deputetit Marku) kanë nënshkruar mocionin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Më thanë se në Përmet e kanë firmosur 90% e delegatëve (pjesa tjetër ndodhet në emigracion). Sondazhet tregojnë se përkrahja e anëtarësisë është edhe më lartë.

2-Bukuroshja u zgjua

Në përrallën e vëllezërve Grimm ‘Bukuroshja e fjetur në pyll’ vajza e mallkuar me një gjumë shekullor çlirohet nga magjia nga puthja e princit që guxoi e luftoi për të arritur tek ajo. Partia Demokratike e pas 25 prillit ishte e prekur nga mallkimi i letargjisë dhe i inercisë. Debatet gjatë zgjedhjeve partiake në maj e më pas ndikuan por nuk mjaftuan për t’a zgjuar. Shumë figura të saj asokohe injektonin ilaç gjumi me parulla si ‘përpara me këtë që kemi’ (interesant janë disa syresh që qortojnë Doktorin që nuk foli në kohë por u mungon sensi autokritik për çka bënë apo nuk bënë ata vetë).

Sot debati e aktivizimi brenda partisë është në kulmin e vet dhe ky është një zhvillim pozitiv demokratik. Është përgjegjësi e madhe e delegatëve të kuvendit që të orientojnë një vendimmarrje të pjekur e të matur e cila e fut partinë në shinën e një opozite të fortë, serioze e të besueshme. Përgjegjësi konkretisht ka Lëvizja e Foltores e cila, ndonëse ka përkrahje masive, ka dobësinë e të qenit e personalizuar dhe jo e institucionalizuar. Përgjegjësi kanë edhe organet drejtuese aktuale të cilëve statuti u delegon disa kompetenca administrative. Prezantimi i këtyre kompetencave si tagër për të refuzuar mbledhjen e Kuvendit (të iniciuar nga delegatët; sipas statutit mjafton 1/4 e tyre) është një kulm i mendësisë antidemokratike! Këshilli është organ i zgjedhur në 12 qershor nga delegatët e kuvendit; kryesia u zgjodh më pas nga këshilli. Nëse ato refuzojnë kuvendin atëherë duhet t’i përgjigjen pyetjes kë përfaqësojnë ato dhe në emër të kujt flasin ata. Po kështu edhe teza groteske se nuk lejojmë ‘kongres anti-irlandez’ (këtë e them për të prishur syrin e keq; jo për origjinën e presidentit të atij shtetit). Zoti Berisha e ka bërë të qartë se problemin me përcaktimin ‘u ndalohet hyrja’ do t’a zgjidhë personalisht pa involvuar partinë. Këtë duhet t’a demonstrojë edhe në kuvendin e partisë. Por t’a zëmë një çast se delegatët janë inatosur me ‘irlandezët’. Pa të drejtë kuptohet!! A nuk do të ishte e udhës për organet udhëheqëse që të sqaronin anëtarët e delegatët e partisë së tyre se e kanë gabim. Duke e bërë këtë në kuvendin e jashtëzakonshëm. Apo edhe në mbledhjet e degëve në çdo qark. Sepse nëse nuk janë të aftë për këtë duhet të shpjegojnë pse qenkan të aftë për të mbajtur vulën e partisë.

*Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike



6 Comments

  1. Janë pabarazitë sociale, padrejtësitë shoqërore, mëritë e vogla, njerëz meskine, njerëz që llogarisin se çdo fitojnë nga kjo rumpallizëm miletantist që kanë sjellë një mbushje të sallave të “Foltoreve” të Berishës dhe jo një mbështetje për Berishën i akuzuar nga SHBA si i kooroptuar. Këta masa njerëzish që mbushin “Foltoret” kanë humbur besimin se partia e tyre e ata do dominojë politikisht në vënd, kanë humbur përfitimet që kanë pasur nga të qenit deputet apo interesant partiak. Prezenca e tyre lidhet me shumë me interesat e tyre personale e me vlerësimet dhe preferencat ndaj Berishës në raport me ardhmërinë e tyre politikë në këtë parti, sesa me kontekstin politiko-moral ku ndodhet Berisha. Berisha si njohës i mirë i karakterit e personalitetit të këtyre njerëzëve u ofron këtyre njerëzve atë që ata duan, një mori premtimesh për interesa të pafund e të vogla ” në një mjedis kulturor mediokër, social –politik zhvillimor anarkik, dhe e ekzaltuar pafundimisht me artikulime fjalësh pa një sens ideologjik e moral. Ky zhvillim në “Foltoret” është në përputhje me ata që ende besojnë se “Berishizmi” me gjithë paqartësinë e tij është ende i dobishëm për ta dhe për pseomodelin e demokracisë shqiptare që detyrimisht për ta është i lidhur me interesin e tyre personal. Banalitet!

  2. Nuk di se si e pe ti foltoren por di se ajo foltore eshte nje shpres jo vetem per demokratet por per gjithe Shqiperine.
    Tani e ka radhen foltorja e rilindjes . Socialistet duhet te ndahen perfundimisht nga sekti i rilindjes . Ne kete menyre dy vampiret e parase se lehte ,dmth palloshi dhe hollandezi , duhet te largohen . Dhe bashke me ta e gjithe kasta e vjeter e politikes 30 vjeçare duhet te largohet nje ore e me pare .

  3. Me 70% firmosje te delegateve brenda 2 javeve tregon se nuk do kete percarje te PD dhe i kane patur idete e qarta prej kohesh, Luli me shoke do habiten sa shpejt do ngelin me shume pak mbeshtetes e nese nuk japin dorheqje nga mandati mbas shkarkimit per te shpetuar te pakten fytyren dhe dinjitetin do perfundojne deputete si Gjuzi ne legjislaturen e kaluar, pa mbeshtetje, pra thjesht fasade te Rames.

  4. A nuk do të ishte e udhës për organet udhëheqëse që të sqaronin anëtarët e delegatët e partisë së tyre se e kanë gabim. Duke e bërë këtë në kuvendin e jashtëzakonshëm. Apo edhe në mbledhjet e degëve në çdo qark.

    Sepse nëse nuk janë të aftë për këtë duhet të shpjegojnë pse qenkan të aftë për të mbajtur vulën e partisë.

    me kujtove nje shok qe kishte qejf e mbante vulen e OJF qe u pat krijuar nga nje grup ivulnetaresh qe ndanin interesa te njejte, por qe shoku sekretar e idelaizonte vulen dhe fuqine e saj magjike …. tani ska as shoqate as vule, njerezve nuk i duhen vulehumburit me vule por lidere qe konvergjojne interesa te perbashketa , qellimi i perbashket per te fituar i kalon interesat e ngushta te kuneterve dhe te vule mbajtesve vulehumbur

  5. Genci, PD i mungojne mendje si e jotja, ndoshta ti e ke mbyllur ciklin ne poste drejtues ne parti, por je i vlefshem si nga mendjet me te mira dhe me nivel ne PD.
    PD sot eshte ne nivel kastravecesh si salianji gjekmarkaj apo gridarja,

    mark marku ka hallin e postit te rektorit ne universitet ndaj ben ham ham kot, marku eshte trangull 😀

    1. “Mëndja e ndritur e Pollos” , meqë ka qenë kundërshtar i Berishës, nëse do të merte përsipër të analizonte “foltoret”, do të bënte mirë që të evidentonte dukurinë e “unit” në fjalimet e liderit demokrat.
      Tranzicioni i kalimit të Shqipërisë në sistemin e mirëfilltë demokratik perëndimor, e pati të keqen e madhe që nuk arriti dot të eliminonte “unin” e kryetarllëkut.
      Do të mjaftonte që për këto fjalime të Berishës, të shoqëruara me thirrjet miliranteske “o Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do” ti bëhej një “statistikë” duke numëruar përsëritjen e fjalës “unë”, apo përmendjen e emrit të vetë Sali Berisha në vetën e tretë, për të kuptuar mbivlerësimin që i bën ai vetes.
      Padyshim që Enveri ishte diktatori më mizor i Shqipërisë dhe do të ishte e marrëzishme që ta krahasosh Berishën me te, por edhe Enveri me hipokrizi në fjalimet e tij nuk e përdorte pothuajse kurrë fjalën unë por fliste në emër të “partisë”
      Më habit falti se si është e mundur që pikërisht ata gazetarë e analistë që e kanë sulmuar më së shumti Berishën që në fillim vitet 90, në “dualizmin” e tij me Bashën, dalin në mbështetje të ish liderit të PD.
      “Mëkati” më i madh i Bashës që ja përmendin të gjitha mediat në Shqipëri, përfshirë edhe ndonjë media “të djathtë”, është se “Basha është gjumash” apo “Basha është i pa aftë”.
      Ndërkaq injorohet fakti se gjatë këtyre 8 viteve që ai udhëhoqi opozitën, ai është akuzuar për të kundërtën.
      Duke shpallur publikisht se do të rinovonte partinë me elementë të rij në udhëheqje, ai krijoi një mërri të madhe ndaj tij nga politikanët e zëvëndësuar të cilët nuk rreshtën sulmet e tyre në mediat socialiste.
      Cilido shqiptar me një gjykim normal mesatar, e ka kuptuar se pse Rama përhapte me propogandat e tij vlerësimet se Basha fle gjumë apo nuk di sesa bëjnë 7 herë 7, apo që ai bënte çfarë i thoshte Berisha.
      Kjp ka qenë strategjia e tij djallëzore makiavelike që me një gurë të vriste dy zogj.
      Të sulmonte ish liderin e PD si një autokrat të pandreqshëm e ta zhvlerësonte Bashën si një lider i pa aftë që bënte çfarë i diktonte Berisha.
      Thua vërtetë të jenë naivë gazetarët e analistët me prirje të majta, që nuk e kanë kuptuar këtë djallëzi të Ramës që e ndjente veten inferior me Bashën që nga humbja e bashkisë së Tiranës, apo këtu luan rol dëshira e fshehtë për ta shkatëruar Partinë demokratike ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *