• |
ide | kryesore

Video/ Penallti me VAR në shtesë, Tirana rifiton kryeqytetin: Partizani dorëzohet në golin e Limajt

-Instant, F1, Sport, Video



Tirana triumfon në derbin e kryeqytetit dhe kthehet në krye të renditjes, me krenarin se e veshi kryeqytetin përsëri me ngjyrat bardheblu, pas dy ndeshjesh. Fitorja e parë e Orges Shehit në derbi dhe kundër ish-skuadrës së tij në kohën kur luante futboll. Partizani tani është në krizë të plotë, ende pa asnjë fitore në 6 javë dhe performanca e sotme nuk është se i jep dorë Ilir Dajës, pankina e të cilit lëkundet, pavarësisht deklaratave të presidentit Gazment Demi se trajneri nuk rrezikonte edhe në rast humbje në derbi. E tani duhet parë, nëse goli me penalltinë e akorduar me VAR i Limajt nuk do ti kushtojë teknikut, më shumë se tre pikë.

Nuk ishte ndeshja më spektakolare në rastet e krijuara, por 90 minuta u luajtën si një betejë e vërtetë për topin e parë e në cdo sektor të fushës. E megjithatë, 90 minutat e shumëpritura të Superiores, përjetuan vetëm 60 sekonda lojë në start, për tu ndërprerë menjëherë nga arbitri Hamitaj, për shkak të flakadanëve të hedhur nga të dy tifozeritë, që kanë bërë të pamundur shikueshmërinë brenda në Air Albania. Takimi u ndërprerë, edhe pse lojtarët qendruan në fushë, me delegatët e FSHF-së që komunikuan vazhdimisht me arbitrin, për të dhënë ok-in e rinisjes pas vetëm 4 minutash.

Vetëm agresivitet në mesfushë e kaos në zonat respektive, por raste të pastra nuk pati, sidomos në pjesën e parë, ku avantazhi mbërriti atëherë kur nuk mendohej më, në minutën e 5 shtesë të pjesës së parë. Për të bërë diferencën mes dy skuadrave mendoi VAR, që thërriti Hamitin, të kontrollonte imazhet e një faulli të bërë nga Belica, dy minuta më parë. Përplasja mes Junior e Behirachte vonoi thirrjen e arbitrit, që pasi u konsultua me pamjet akordoi penallti për bardheblutë. Limaj nuk gaboi nga 11 metra, duke i cuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0.

Partizani nuk dukej në gjendje të rrezikonte portën e Bekajt, i cili ishte spektator thuajse gjatë gjithë duelit me topin që rrallëherë vinte drejt katërkëndorit të tij. Zëvendësimet e Dajës nuk ndryshuan asgjë në ritmin e të kuqve, që shpesh dukeshin kaotikë e sulmonin me kokë ulur pa asnjë ide. Tirana priti e mbyllur prapa, në kërkim të ndonjë kundërsulmi, që Xhixha e Seferi mund ti kishin shfrytëzuar më mirë. Megjithatë, Tirana merr arratinë në krye të renditjes me 14 pikë, ndërsa të kuqtë ndalen në kuotën e 4 pikëve, 10 larg kreut e në krizë të plotë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *