• |
ide | kryesore

Çmimet e larta të energjisë, DW: BE larg ujdisë për zgjidhjet

-Instant, Lajme, Planet

Ministrat e Energjisë të Bashkimit Europian konsultohen të martën për rritjen e ndjeshme të çmimeve në shumë vende të BE dhe se çfarë kundërmasash duhen marrë.


Në shumë vende të BE, rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në problem për qytetarët. Si mund të ndalen lëkundjet kaq të mëdha të çmimeve të energjisë në BE? Me këtë çështje merren ministrat e Energjisë së BE në takimin e tyre në Luksemburg (26.10). Komisioni Europian paraqiti para disa ditësh një paketë instrumentash që mund të vihen në përdorim për t’u përballur me rritjen e çmimeve, si për shembull uljen e tatimeve apo subvencionime për sipërmarrjet e vogla.


Por një grup brenda BE kërkon më shumë. Franca, Spanja dhe Greqia duan që të merren masa më të thella në nivel europian, që të shmangen në të ardhmen çmimet e larta. Për shembull reformimin e tregut të shumicës për tregjet e energjisë duke mundësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe magazinimin e tij.

Jo ndërhyrje në tregjet e brendshme

Përballë kësaj qëndron një grup tjetër brenda BE, që kërkon zgjidhje në tregjet ekonomike. Gjermania dhe tetë vende të tjera u shprehën kundër reformave në tregjet e energjisë. Në një dokument të përbashkët me Austrinë dhe Holandën thuhet, se “nuk mund të mbështesim masa, që janë në kontradiktë me tregjet e brendshme të gazit dhe energjisë elektrike, si për shembull një reformë të shpejtë të tregut të shumicës për energjinë.”

Symbolbild Steigende Energiepreise

Polonia dhe Hungaria nga ana e tyre bëjnë përgjegjëse masat e paketës së klimës të BE si tregtinë me emetimet e dioksidit të karbonit për këtë rritje të ndjeshme çmimesh. Në sistemin e emetimeve të BE, ofruesit e energjisë psh. duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serë, CO2. Disa vende, mes tyre Gjermania theksojnë, se masat e mbrojtjes së klimës janë zgjidhja për çmimet e larta të energjisë dhe jo origjina e problemit.

Pozicionet e vendeve të BE në lidhje me çmimet e larta të energjisë janë kaq larg njëri-tjetrit, edhe sepse jo të gjithë janë të prekur njësoj nga rritja e çmimeve. Sipas vëzhguesve në Luksemburg nuk pritet arritja e ndonjë ujdie, me gjasë ajo do të shtyhet në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE./DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu