• |
ide | kryesore

Të panjohurat e shoqërisë SVEA/ Si Shqipëria investoi mbi 62 milionë franga ari në 1925

-Instant, Arkiva, Dossier



Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të vuante problematika serioze ekonomike e ndaj do të kishte diskutime të shumta lidhur me rrugën që duhej ndjekur për të arritur zhvillimin e vendit. Në këtë periudhë, në Shqipëri do të vinin studiues të huaj që do të analizonin potencialin ekonomik të vendit.

Vendi kishte dalë nga perandoria osmane me një prapambetje të thellë. Në vend mungonin rrugët, hekurudhat apo edhe mekanizmat financiarë të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik.

Dy mendimet kryesore që mbizotëronin në vitet e para të Pavarësisë së vendit ishin ato për sigurimin e të ardhurave ekonomike përmes koncesioneve që do t’i siguronin disa të ardhura arkës së shtetit, ndërsa rryma tjetër do të ishte ajo e marrjes së një mbështetje financiare nga jashtë e përmes rolit të shtrukturave shtetërore të vihej në efiçencë pasuria nëntokësore.

Për të shmangur varësinë ekonomike që mund të krijonin koncesionet e kompanive të huaja, rruga e parë që u ndoq ishte ajo e kërkesës për një kredi nga jashtë. E në vitin 1922, Shqipëria do t’i drejtohej për një kredi Lidhjes së Kombeve, ku kishte pak kohë që ishte anëtarësuar.

Lidhja e Kombeve nuk i dha Shqipërisë huanë e kërkuar e opsioni që mbeti ishte marrja e një kredi zhvillimore për vendin, që parashikon te ndër të tjera programin më të madh të investimeve të ndërmarra ndonjëherë në Shqipëri.

Në mesin e viteve ‘20, kur Shqipëria ishte afruar me Italinë e kur Italia kishte arritur të merrte rolin e kujdestarit ndërkombëtar për Shqipërinë, u diskutua një kredi zhvillimore, pjesë e të cilës do të ishte edhe krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Nëse do ta llogarisnim me vlerën e sotme, kjo kredi do të kishte vlerë më shumë se 200 milionë euro.

Si u krijua Shoqëria për Zhvillimin Ekonomikë të Shqipërisë (SVEA)

Në funksion të realizimit të programit më të madh të investimeve të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, u krijua një mekanizëm i veçantë i emërtuar SVEA, ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (Societa per lo Sviluppo Economico Albania).

Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë, në bazë të konventave të nënshkruara në vitin 1925, kishte si funksion dhënien për shtetin shqiptar të një borxhi të destinuar për ndërtimin e veprave publike dhe kjo kredi do të garantohej nga të ardhurat e doganeve dhe të monopoleve të vendit ku bënin pjesë duhani e kripa.

SVEA ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë u themelua në Romë para se të krijohej Banka Kombëtare e Shqipnis’, me 23 prill 1925 dhe një muaj më pas me 29 maj 1925 u firmosën marrëveshjet mes qeverisë shqiptare, grupit financiar italian dhe vetë SVEA-s për të rregulluar pjesët e tjera të financimit.

Fillimisht parashikohej që borxhi të mos bazohej në një shtet të vetëm por të ishte i shpërndarë në disa shtete në formën e një huaje ndërkombëtare, -përmes obligacioneve me interes 7.5 %. Shteti italian parashikohej të mbante peshën më të madhe në këtë borxh, por në fund rezultoi se do të ishte vetëm shteti italian ai i cili do ta mbante atë.

Kapitali i kompanisë SVEA ishte 1 milion lira por më kalimin e kohës u shtua në 15 milionë. Presidenti i parë i saj ishte Angelo Valvassori Peroni, një figurë e njohur e politikës dhe financave italiane.

Më sipër: Angelo Valvassori Peroni, presidenti i parë i SVEA-s (ilcitadino.it)

Në Këshillin Administrativ bënin pjesë edhe Mario Alberti,si zëvëndëspresident, që njëkohësisht drejtonte edhe Bankën Kombëtare të Shqipnisë dhe një serë zyrtarësh të tjerë të bankës si Amedeo Gambino, Ugo Viali apo Giuseppe Bianchini. Po ashtu, pjesë e këshillit ishin edhe disa personalitete shqiptare.

Më sipër Mario Alberti, zv.presidenti i SVEA-s dhe Guvernatori i parë i Bankës Kombëtare të Shqipnis’

Borxhi u emetua me 12 nëntor të vitit 1925 në vlerë 50 milionë franga ari por deri në fund të Luftës së Dytë Botërore u paguan vetëm 2 milion franga ari. Me këto para do të niste praktikisht programi më i madh i investimeve i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ku bëjnë pjesë edhe blloku i ministrive dhe një serë veprash të tjera të trashëguara deri në ditët e sotme.

Borxhi iu dha Shqipërisë dhe në vitin 1926 u ngrit edhe Banka Kombëtare dhe SVEA nisi punën për realizimin e investimeve, kryesisht në godina publike, rrugë dhe ura.

Projektet e parashikuara në programin më të madh të investimeve në historinë e Shqipërisë

Rrugët

Elbasan-Korçë

Rrogozhinë-Lushnje-Fier

Lushnje-Berat-Këlcyrë

Pukë-Ura e Vezirit

Milot-Mat-Dibër Peshkopi-Bicaj-Kukës

Lezhë-Ungrej-Burrel-Mat

Orosh-Ura e Vezirit

Rruga e Dukagjinit

Berat-Fier-Seman

Fier-Ballsh

Tiranë-Kërrabë-Elbasan

Tiranë-Ura e Beshirit-Kavajë

Hekurudha Tiranë-Durrës

Tiranë-Qafa e Murrizës Dibër

Shkrel-Theth

Kukës-Krumë-Gjakovë

Berat-Çorovodë-Voskopojë-Korçë

Në total ishin 1 mijë e 10 kilometra rrugë me një kosto rreth 13.5 milion franga ari

Për kanalizime dhe tharje apo bonifikim

Fusha e Vlorës

Fusha e Myzeqesë

Fusha e Bregut të Matit dhe Këneta e Shëngjinit

Liqeni i Vivarit

Tharje të vogla kënetash

Totali i shpenzimeve llogaritej 11.2 milion franga ari

Më sipër Rruga Vlorë-Skelë (Luce)

Godinat që do të ndërtoheshin

Ndërtesa presidenciale

Ndërtesa e parlamentit

Ndërtesat për ministritë

Ndërtesa e prefekturës së komandës së Xhandarmërisë

Ndërtesa e Komandës së Forcave të Përgjithshme të Armatosura

Ndërtesa e Spitalit të Përgjithshëm

Ndërtesa e qeverisë dhe komandave si dhe meremetime ndërtesash të vjetra

Ndërtesë për shkollë të lartë për vajzat

Kostoja totale e tyre llogaritej 4.5 milion franga ari

Limane, tharje dhe punë bujqësore

Irrigacion tokash

Moli i Durrësit dhe tharja e kënetës

Moli i Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit

Rregullim dhe kanalizim ujërash

Kredit për zhvillimin e bujqësisë

Kostoja totale 29.6 milionë franga ari

Ura

Ura e Vjosës

Ura e Rrogozhinës

Ura e Kuçit

Ura e Mbrostarit

Ura e Topojanit

Ura e Kukësit

Ura e Elbasanit të Vjetër

Ura e Drashovicës

Ura e Kotës

Ura e Bunës

Ura e Kardhiqit

Ura e Bregut të Matës

Ura e Librazhdit

Ura të tjera të mëdha

Totali 3.6 milion franga ari

Mësipër: Gjatë ndërtimit të Urës në Lezhë (LUCE)

Në total

13 milionë e 460 mijë franga ari do të investoheshin në rrugë

11 milionë e 185 mijë franga ari për kanalizime dhe tharje

4 milionë e 535 mijë franga ari për ndërtesa qeveritare

29 milionë e 500 mijë franga ari për porte, bonifikime dhe punime bujqësofre

Dhe 3 milionë e 615 mijë franga ari për ura.

Totali i investimeve arrinte në 62 milionë e 295 mijë franga ari nga të cilat50 milionë franga ari ishin të huasë së SVEA-s dhe 12 milionë e 295 mijë franga ari do të vinte si rrjedhojë e punimeve të detyrueshme, pra si rrjedhojë e pagesës së taksës së rrugëve që banorët e Shqipërisë e shlyenin duke bërë punë pa pagesë disa ditë në muaj.

Lëvrimi i kësaj huaje ishte parashikuar me këste, i shtrirë ndër vite dhe i justifikuar me ecurinë e punimeve infrastruktuore.

Në këtë kontekst nis ndërtimi i rrugëve të vendit, i ministrive, bulevardit, porteve, godinave të bankave etj.

Por autoritetet shqiptare dhe ato italiane hasin në shumë vështirësi edhe për shkak të rregullave të transferimit të parave nga një vend në një vend tjetër, ku kishte detyrime që duheshin respektuar për shkak të ndryshimeve valutore.

Ndërkohë, tensionet politike reflektoheshin edhe në ecurinë e programit më të madh të investimeve që Shqipëria kishte ndërmarrë ndonjëherë. SVEA angazhoi në punimet e infrastrukturore kompanitë italiane që erdhën në Shqipëri dhe në bashkëpunim me disa kompani shqiptare realizuan punimet që duheshin.

Më sipër: Ndërtimet e godinave në Tiranë (Luce)

Shqipëria në fakt, nuk arrin të paguajë këstet e kredisë, sikur parashikonte marrëveshje. Ndaj, nis një proces rinegocimi ku Shqipërisë i akordohen nga Italia edhe 100 milion franga ari të tjera, praktikisht në vlerën e sotme edhe 400 milionë euro. Pamundësia e Shqipërisë për të paguar këstet e kredisë shërbeu si shkak për debate të forta mes autoriteteve të të dy vendeve, e në prill të vitit 1939 edhe si shkak për pushtimin apo aneksimin e Shqipërisë ushtarakisht nga Italia.

Veprimi i aneksimit të Shqipërisë nga Italia solli në fakt një përshpejtim të punimeve infrastrukturore dhe prezenca italiane u rrit ndjeshëm. Krijimi i zonës së lirës dhe vendosja e raportit të ri mes frangës shqiptare dhe lirës italiane si dhe bashkimi doganor i dy vendeve lehtësoi ndjeshëm transferimin e parave në Shqipëri.

Në këto kushte, u përfunduan pjesa me e madhe e veprave infrastrukturore që ishin parashikuar në këtë kredi. Ndërkohë, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria pagoi vetëm 2 këste të kredisë. Gjithsesi, pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, u bë bilanci i luftës dhe në fund rezultoi se Italia duhej të paguante reparacione lufte për Shqipërinë për faktin se e kishte pushtuar Shqipërinë dhe kishte shfrytëzuar burimet e saj. /Nga Kreshnik Kuçaj, SCAN TV

 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *