• |
ide | kryesore

Manchester United konfirmon Solskjaer, por vetëm deri në… dhjetor

-Instant, Sport

Në Shqipëri me shumë mundësi do të ishte shkarkuar tashmë pa shumë dilema. Megjithatë, në Angli, duke lënë mënjanë Chelsean, është shumë më e vështirë të ndërpritet një projekt teknik. Është ky mentalitet, përveç një kontrate të rëndë deri në vitin 2024, që vazhdon ta mbajë Solskjaer në pankinën e Manchester United, pavarësisht një fillimi të diskutueshëm të sezonit, veçanërisht nëse llogarit skuadrën në dispozicion dhe nënshkrimet e nivelit të lartë si ato të Varane, Sancho dhe Cristiano Ronaldos.


Drejtuesit e Djajve të Kuq kanë vendosur ta konfirmojnë të paktën deri në dhjetor, në fund të një muaji të zjarrtë që nis me udhëtimin në Londër kundër Tottenham të shtunën, vazhdon me atë të Bergamos në Champions League, derbin me Cityn, përballja me Watfordin e Ranierit, ndeshja kundër Villarrealit dhe përfundon me Chelsean në Stamford Bridge në fund të nëntorit. Me pak fjalë, Solskjaer mbetet, por është pothuajse i sigurt se ai nuk është më gurthemeli i një projekti afatgjatë. Përveç rezultateve, problemi real i trajnerit norvegjez është edhe raporti me lojtarët. Ronaldo e ka bërë të qartë në më shumë se një rast, mes garancive për një pozicion startues dhe gjesteve të zemërimit drejt pankinës. Nuk duhet harruar këtu se, Pogba, i përjashtuar nga formacioni i parë kundër Liverpool dhe i ndëshkuar me karton të kuq pasi hyri, u kërkoi falje shokëve të tij, por donte të shmangte çdo kontakt me trajnerin.


Drejtuesit e United dhe Antonio Conte kanë pasur tashmë një kontakt të parë. Të vetmet pika për t’u përcaktuar janë ato që kanë të bëjnë me stafin, të cilat trajneri nga Leçe do të dëshironte t’i transferonte plotësisht në Mançester. Megjithatë, Djajtë e Kuq kanë disa plane B. Zidane duket më larg, pasi ka shprehur dyshime për një të ardhme në Premier League. Gjithnjë të nxehtë janë edhe emrat e Rodgers, i cili ka një kontratë akoma me Leicester dhe Ten Hag, trajneri i Ajax.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu